Sherret e Kuvendit, replikat për taksat dhe rusët

562
Si çdo të enjte, parlamentarët ofrojnë spektaklin e akuzave dhe kundër-akuzave, sulmeve e replikave, duke u marrë fare me pak me projekt-ligjet

Parlamentarët nuk zhgënjyen as dje, kur në seancën e zakonshme të Kuvendit u përfshinë nga akuzat dhe replikat. Një seancë e gjatë, me replika e sherre, por fare pak e përqendruar në boshtin kryesor që duhet të jetë, ligjvënia. Si shpeshherë, rendi i ditës dhe projekt-ligjet shërbyen si fond për të parë “përleshjen” e radhës me tema të ndryshme. Qeveria kishte pritur seancën plenare për t’u dhënë përgjigje gjithë zërave nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët e konsiderojnë të papërballueshëm tarifën e kalimit në rrugën e Kombit. Ministri u Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, deklaroi se koncesioni i mirëmbajtjes së rrugës dhe investimeve që do kryejë në të kompania nuk do të ndikojë, as tek bizneset në të dy anët e kufirit, as tek qytetarët. “Koncesionari parashikohet të investojë 262 milionë euro, përdoruesi i rrugës do paguajë. Pse del kaq kjo tarifë? Sepse aq është trafiku. Këtu nuk ka asnjë impakt ekonomik nga vendosja e kësaj tarife. Bizneset shqiptare nuk do të afektohen fare”, tha Gjiknuri. “Asnjë masë nuk ke marrë përveçse ke larë duart me 120 mijë euro, nuk është gjë tjetër vetëm pasaportizim dhe kuotizim, do të thotë të vendosësh një kufi mes veriut të Shqipërisë dhe Tiranës”, tha Basha. Përballja vijoi gjatë mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha, i cili ka qenë ministër i Transportit gjatë ndërtimit të Rrugës së Kombit. “Vetëm dy rrugë ka, ose për mirëmbajtjen e rrugëve paguajnë të gjithë taksapaguesit, ose për mirëmbajtjen e rrugëve paguajnë të gjithë përdoruesit e rrugëve në fjalë.”, tha Rama. “Pse paguajnë dhe taksapaguesit, dhe përdoruesit? PS vazhdon t’u marrësh shqiptarëve 240 lekë për litër karburanti dhe pastaj u vendos dhe tarifë për rrugët në të cilat udhëtojnë?”, u shpreh Basha. “E dimë dhe historinë, i dimë dhe të pandehurit që janë këtu në sallë, dimë dhe shumë e shumë bëma të tjera, kjo rrugë është një rrugë e papërfunduar”, nënvizoi kryeministri Rama. “Një mijë herë do e bëja me krenari atë që bëra me Rrugën e Kombit, ke 5 vjet në qeveri dhe nuk ke një fakt të vetëm, tash 10 vjet. Të bëjnë sytë xixa nga xhelozia. Ke 5 vjet në qeveri nuk ke avancuar asnjë projekt, ke pesë vjet në qeveri i vetmi projekt është kanabisi, dhe tani heroina dhe kokaina”, replikoi Basha. “Në vend të tundet një flamur i rreckosur i një patriotizmi pervers që nuk ka vend fare me patriotizmin është mirë të thuhet një formulë alternative”, tha Rama. Argument kryesor i qeverisë Rama është se ideja e mirëmbajtjes së rrugës me komani private është zhvilluar nga qeveria e kryeministrit Berisha. Ky i fundit pohoi këtë dhe deklaroi se anulimi erdhi, pasi doli vlera e kostos. “Taksa nuk u vu dhe nuk do vendosej. Taksa nuk u vu, sepse është arterie e kombit, jo vetëm e Shqipërisë, është dhe e Kosovës”, tha Berisha.

Pas Rrugës së Kombit, financimi rus i Partisë Demokratike ishte një tjetër temë debati mes kryeministrit Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha. “Mos e thirr më shpejt fatin tënd”, iu drejtua Rama-Bashës, por ky i fundit kërkoi të bëhej një hetim parlamentar për t’i dhënë fund kësaj historie. “Çështjen e gropës kur i thua të tjerëve se bie me këmbët e tyre konsideroje seriozisht dhe mos e thirr më shpejt fatin tënd, që e ke shkruar vetë, pa u konsultuar as me partinë tënde e lëre me mua, se po të ishe konsultuar do të kisha thënë, zgjedhjet do i humbësh Lulzim, mos merr para nga rusët, se na duhesh për rrugë të gjatë. Ke shkurtuar rrugë, sepse për ty 7 herë 7 bëjnë 42”, tha Rama. “Unë jam i hapur të bëjmë një hetim parlamentar që ta çojmë pastaj në prokurori. Hajde të hetojmë pak dhe gjej t’i një cent apo kontakt të PD-së, direkt apo indirekt me oligarkët rusë, asnjë. Po të them se, nëse prokuroria nuk do ishte e kontrolluar nga ty sot duhet të kishte hapur hetimin për një ministër tëndin që krekoset aty, që ka nisur banditë në emër të Juremeksit dhe Rusisë një biznesmeni shqiptaro-amerikan dhe i bëj thirrje prokurorisë për të nisur hetimet, se është poseduar dhe nga ambasada amerikane. Mos të merremi me Rusinë nga kjo foltore, hajde bëjmë një hetim parlamentar për influencën ruse në Shqipëri që ta shohim ku i ka futur kthetrat ariu”, tha Basha.
Sigal