SHBA kundër ‘Open Ballkan’/ Edhe VOA jehonë protestës së Berishës kundër Vuçiç

201
Sigal

Në Shqipëri, ish kryetari demokrat Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, organizuan sot në mbrëmje në Tiranë, një manifestim proteste kundër projektit “Ballkani i hapur” dhe vizitës në Tiranë, në këtë kuadër, të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili nesër, së bashku me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev dhe atë shqiptar Edi Rama do të zhvillojnë takimin e radhës të këtij projekti.

Ndërsa ndodhen në një betejë të hapur me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, të cilin e konsiderojnë të shkarkuar pas Kuvendit të thirrur në 11 dhjetor dhe referendumit të organizuar të shtunën, mbështetësit e zotit Berisha, u mblodhën në oborrin e selisë së PD-së. Në pritje të mbërritjes së ish kryetarit Berisha, ata shpërthyen herë pas here në thirrje kundër zotit Basha. Prej andej, të gjithë së bashku u drejtuan në këmbë për nga selia e Qeverisë, ku ishte ngirtur dhe një podium.

“Kjo është një protestë kundër projektit fantazmë, të aleancës trilaterale Beograd-Tiranë- Shkup, apo të treshes Vuçiç dhe vasalët e tij, Rama e Zaev”, deklaroi zoti Berisha që në hyrje të fjalës së tij, duke shpjeguar se nuk bëhet fjalë për një manifestim kundër bashkëpunimit rajonal. “Eshtë protestë kundër një projekti i cili shkon në kurriz të mbarë kombeve të Ballkanit, përveç Beogradit, kundër një projekti i cili është refuzuar në mënyrë kategorike nga Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova. Një projekt i cili nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në këtë rajon”, u shpreh Berisha.

Sipas tij “Open Balkan”është një “projekt djallëzor, një përpjekje aventurierësh për të zëvendësuar nismën e Berlinit, projektin europian të integrimit të rajonit në BE”.

Për zotin Berisha, projekti është në të vërtetë një nismë e presidentit serb, pas së cilës “qëndron ideja e serbomadhërisë dhe përpjekja për të shndërruar këtë zonë në zonë influence të Putinit. Sot Serbia e Vuçiçit, edhe më shumë se ajo e Millosheviçit është shndërruar në Rusinë e vogël. Dhe kjo është rrezik për paqen e stabilitetin e Ballkanit dhe Europës”.

Në fjalën e tij zoti Berisha tha se kjo e sotmja, është e para e një serie protestash kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se “në këto 8 vite, shqiparët u vodhë e plaçkitën më shumë se të gjithë qytetarët e tjerë të Europës. Pasuria publike u shndërrua në pasuri të ministrave kleptokratë e të kreut të Qeverisë”, u shpreh ai duke përmendur “aferën e inceneratorëve që u ka grabitur shqiptarëve 430 milion euro”.

Zoti Berisha dhe organizatorët e protestës kujtuan disa herë se ajo ishte thirrur me urgjencë, brenda 48 orësh, duke justifikuar kështu dhe pjesmarrjen modeste. Manifestimi u zhvillua qetësisht, me përjashtim të disa flamujve serbë të cilët u dogjën nga grupe të vogla protestuesish.

Në takimin e nesërm, udhëheqësit e të tre vendeve, shoqërohen dhe nga anëtarë të kabineteve qeveritare si dhe sipërmarrës. Eshtë njoftuar po ashtu dhe pjesmarrja e James O’Brien, përfaqësues i Këshillit të Atlantikut. Pak kohë më parë Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Presidenti Biden synon ta emërojë atë si koordinator për politikën e sanksioneve, në Departamentin e Shtetit, një post i lartë në rang ambasadori.

Në takim do të jetë gjithashtu dhe drejtuesi i Fondacionit për një Shoqëri të hapur, Alex Soros, ndërsa në seancën e hapjes do të ketë një fjalim të Komisionerit europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili do të ndërhyjë përmes një lidhjeje online.

Në përfundim të takimit, pritet të nënshkruhen disa marrëveshje që kanë të bëjnë, me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Nisma Ballkani i hapur ka hasur në kundërshtitë e forta të qeverisë së Kosovës, ndërsa kanë refuzuar t’i bashkohen edhe Bosnja e Mali i zi, që po ashtu e shohin atë me skepticizëm. Kryeministri Edi Rama, një mbrojtës i flaktë i projektit, e sheh atë si një mekanizëm të rëndësishëm për të ardhmen e rajonit, dhe një “projekt strategjik për interesat e Shqipërisë dhe tërë kombit shqiptar”.