“Dështon qeveria e “Rilindjes” për përballimin e pandemisë. Pas pezullimit të fluturimeve të “Austria AIR Lines”, edhe Italia kërkon anullimin e fluturimeve ajrore me Tiranën. Ambasadat e Gjermanisë dhe Greqisë bllokojnë vizat dhe kufirin. Martin Henze: Pèrhapja e Covid u shkaktua nga mosveprimi i qeverisë së Ramës”
Dështon totalisht politika e qeverisë së Rilindjes për përballimin e pandemisë
SHBA dhe Europa izolojnë Shqipërinë
Dështon totalisht politika e qeverisë së Rilindjes Socialiste për përballimin e pandemisë. Nga dita në ditë, rastet e reja të infektimit shtohen, por më e keqja është se vatra të infeksionit mbeten spitalet publike, sidomos QSUT-ja, çfarë dëshmon se në spitale mungojnë baza e nevojshme materiale për të mbrojtur personelin mjekësor, por edhe qytetarët nga infeksioni i Covid-19. Ndërkohë që për shumë vende të BE-së, situata pas Covid-19, po shoqërohet me një hapje graduale, për Shqipërinë izolimi po shtohet. Ambasada gjermane njoftoi dje mbylljen e zyrës së saj të vizave për një periudhë të pacaktuar.
Njoftimi i ambasadës gjermane në Tiranë
Prejt ditës së sotme, e hënë 20 korrik 2020, nisur nga gjendja aktuale, Zyra e Vizave dhe e Pashaportave të Ambasadës Gjermane në Tiranë, është e mbyllur për arsye parandaluese. Personat e prekur nga mbyllja e zyrës do të marrin në momentin më të parë të mundshëm një datë/orë të re aplikimi. Ne do të informojmë përmes faqes së internetit apo Facebook, sapo zyra të rinisë veprimtarinë e saj. Lutemi për mirëkuptimin tuaj.
SHBA mbyll seksionin e saj konsullor në Tiranë
Gjithashtu, edhe ambasada e SHBA-së e ka të mbyllur seksionin e saj konsullor. Aplikantëve për vizë në SHBA, u janë kthyer mbrapsht me anë të postës DHL dokumentat e depozituara pranë kësaj konsullate dhe ende nuk dihet kur do të ketë një datë të rifillimit të punës.
Vendet e BE-së mbyllin kufijtë për shqiptarët
Sikur këto të mos mjaftonin, Bashkimi Europian i shtoi më tej masat izoluese duke e renditur Shqipërinë mes vendet që nuk përfitojnë nga lëvizja dhe liberalizimi i vizave. Së paku, deri më 30 korrik, ne renditemi mes vendeve që nuk përmbushin ende kriterin kryesor të menaxhimit të pandemisë COVID-19, që ka të bëjë me numrin e infektimeve për çdo 100.000 banorë. Ky numër duhet t’i korrespondojë nivelit mesatar europian, që është 16 raste infektimi për 100 mijë banorë. Ky vendim është marrë dy herë me radhë pas takimit të grupit të punës Këshillit të Bashkimit Europian mbi rishikimin çdo 15 ditë të listës së vendeve të treta për rihapjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian. Por edhe pas 30 korrikut, lirimi i lëvizjes duket pothuajse i pamundur. Greqia, Gjermania, zyrtarisht i kanë mbyllur kufijtë për shqiptarët. Sot jashtë Shqipërie mund të udhëtohet vetëm në Kosovë, në Mal të Zi, nëse ke një test pozitiv të bërë dy ditën e fundit dhe gjithashtu në vendet e BE-së për ata që janë rezidentë me dokumente në këto shtete.
Italia kërkon ndërprerjen e fluturimeve ajrore me Shqipërinë
Guvernatori i Toskanës, Enrico Rossi, i ka kërkuar qeverisë së tij ndërprerjen e udhëtimeve me avion nga Shqipëria, për arsyen e kthimit të virusit mbrapsht në Itali. Në Toskanë u regjistruan 16 raste të reja, nga ku 14 ishin të huaj, mes tyre 13 nga Tirana dhe një nga Ekuadori dhe për këtë guvernatori Rossi ka kërkuar nga qeveria ndërhyrje të shpejtë: “Qeveria gjithashtu duhet të ndërhyjë: në veçanti ministritë e Brendshme dhe Shëndetësisë. Nëse gjurmimi i pasagjerëve dhe mbikëqyrja aktive e tyre nuk është e mundur, do të ketë vetëm një mundësi: bllokimin e fluturimeve direkte”, mësohet se ka thënë ai sipas gazetës “Il Giornale”. Për shkak të shpërthimit të pandemisë vendi është më i izoluar se kurrë, jo krahasuar me 2011 kur u hoqën vizat, por me fillimin e viteve ‘90, kur ishte pothuajse e pamundur të udhëtoje legalisht.
Këshilltari i CDU, Martin Henze: Përhapja e virusit u shkaktua nga mosveprimi i qeverisë Rama
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë i ka dhuruar ministrisë së Shëndetësisë mjete dhe aparatura për luftën kundër koronavirusit, pjesë e paketës së ndihmës që BE-ja i ka akorduar Shqipërisë. Soreca tha se “vlera e pajisjeve shkon në 650 mijë euro dhe se në të ardhmen BE-ja do të ndihmojë sërish Shqipërinë”. Lidhur me këtë ka reaguar këshilltari i CDU-së gjermane, Martin Henze i cili e përgëzon nismën e BE-së dhe akuzon qeverisjen e kryeministrit Rama si shkaktar i përhapjes së koronavirusit. Reagimi i Martin Henze: “Ambasador, është e mahnitshme ajo që ata thonë. Përhapja e virusit u shkaktua nga mosveprimi i qeverisë Rama. Asnjë kontroll i fortë pandemik, për 7 muaj, në vend të kësaj tanke dhe makina policie. Maskat filluan të përdoreshin vetëm nga mesi i korrikut, vështirë ndonjë test i decentralizuar. Shqipëria nuk është problemi.”