SHBA dhe BE duhet të reagojnë kundër Ramës, që mban peng Shqipërinë për pushtetin personal

335
Sigal

Përgjigja arrogante e zotit Rama ndaj ambasadores së SHBA-së është dëshpërimi i liderit klientelist, që nuk dëgjon, kur i preket pushteti i tij. Pozicioni i sovranistit nga kryeministri është në dëm të interesave të Shqipërisë. Ndryshimi i Kushtetutës pa konsensus, tregon thelbin e regjimit dhe rrezikshmërinë në rritje të tij

“Fuqizimi i pushtetit autoritar dhe jo demokratik të Zotit Rama me zgjedhjet njëpartiake të 30 qershorit 2019,  si dhe moskontrolli i procesit të reformës së sistemit të drejtësisë, ku vendi ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë , i kanë dhënë atij siguri dhe që të prodhojë arrogancë”

Agim Nesho, Ish-ambasador në OKB-ë

Përgjigjja arrogante e Zotit Rama ndaj Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që përfaqëson vendin më të fuqishëm demokratik të botës, është përgjigjja e një lideri të dëshpëruar klientelist që jep mesazhin se nuk dëgjon kur preket pushteti i tij

SHBA-ja dhe BE-ja duhet të reagojnë kundër Ramës, që mban peng Shqipërinë

Jakup B. GJOÇA

Agim Nesho, ish- ambasador i Shqipërisë në OKB-ë dhe Washington, në intervistën për gazetën “Telegraf”, shprehet se reagimi shpërfillës i kryeministrit Rama ndaj ambasadores së SHBA-së  është përgjigja e një lideri të dëshpëruar, por zoti Nesho shpjegon se edhe vetë SHBA e BE-ja, duke e mbështetur politikisht, kanë toleruar regjimin jo demokratik të  kryeministrit Rama, për hir të stabilitetit rajonal, kanë kontribuar në krijimin e kësaj mostre të rrezikshme antikombëtare. Prandaj, zoti Nesho, nëpërmjet intervistës së gazetës “Telegraf” u bën apel SHBA-së dhe BE-së, që të reagojnë ashpër kundër kryeministrit Rama, i cili mban peng Shqipërinë, për interesin e pushtetit të tij personal.

-Zoti Nesho, çfarë fshihet në përgjigjen e Kryeministrit  Rama, se ambasadorja e SHBA-së dhe BE-së nuk mund të vendosin çfarë duhet të votojë parlamenti ynë për ndryshimet Kushtetuese?

-Kjo është një përgjigje tipike e liderëve autoritarë, të cilët kanë kapur shtetin, prishur ekuilibret qeverisës dhe reagojnë ashpër kur preket autoriteti i tyre ose vihet në diskutim e ardhmja politike. Ndryshimet kushtetuese pa konsensusin e gjerë të forcave politike dhe pa një diskutim të gjerë nga opinioni publik, do t’i shërbejnë kryeministrit Rama për të zvogëluar sadopak humbjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Përgjigja arrogante e Zotit Rama ndaj Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që përfaqëson vendin më të fuqishëm demokratik të botës, është përgjigja e një lideri të dëshpëruar klientelist, që jep mesazhin se nuk dëgjon, kur preket pushteti i tij. ShBA dhe përfaqësuesit e saj, në shumë raste kanë favorizuar dhe toleruar regjimin jo demokratik të Zotit Rama, për hir të stabilitetit rajonal, popullaritetit të tij të propaganduar nga shtypi i kontrolluar, si dhe lobimi politik në Washington.

Në një farë mënyre, ata kanë kontribuar në krijimin e kësaj “mostre” të rrezikshme anti-demokratike. Fuqizimi i pushtetit autoritar dhe jo demokratik të Zotit Rama, me zgjedhjet njëpartiake të 30 qershorit 2019, si dhe moskontrolli i procesit të reformës së sistemit të drejtësisë, ku vendi ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë funksionale, për një periudhë të gjatë kohe, i kanë dhënë atij siguri dhe që të prodhojë arrogancë. Si rregull, monstrave iu “pritet koka” sa nuk është vonë, se ndryshe bëhen të rrezikshëm për vendin dhe të pakontrollueshëm për vetë ata që i krijojnë.

-A është çështje e sovranitetit, a është ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë rekomandimet e SHBA, BE, për çështje të rëndësishme kushtetuese, që kanë të bëjnë me standardet e demokracisë?

-Shqipëria është një shtet demokratik me mandat të qartë popullor për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Kjo është një dëshirë e panegociueshme e popullit shqiptar, që e ardhmja e tij të jetë pjesë e civilizimit perëndimor. Futja në familjen Euro-Atlantike kërkon përafrimin me standardet perëndimore, ku ndihma e partnerëve tanë ndërkombëtarë është tepër e rëndësishme në krijimin e shtetit ligjor dhe funksionimin e demokracisë. Qëndrimet sovraniste përdoren nga liderët, kur nuk kanë argument, ose përpiqen të konsolidojnë pushtetin e tyre personal. Në parlamentin shqiptar kemi parë liderin e mazhorancës, kur është bërë qesharak me argumentin e tij, duke ju thënë deputetëve të pyesin ambasadat perëndimore që e përkrahin atë në lëvizjet e tij politike. Sot ai është kthyer në një sovranist që mbështet institucionet e “shtetit sovran”. Shqipëria është një shtet sovran që realizon prosperitetin e saj ekonomik dhe sigurinë kombëtare e lidhur ngushtë me institucionet Euro-Atlantike. Pozicioni i sovranistit është një tërheqje e dëshpëruar në pozicione populiste nacionaliste për përfitime personale pushteti, në dëm të interesave të Shqipërisë.

-A mendoni se prishja e Marrëveshjes së 5 Qershorit, e arritur  me ndërmjetësinë e SHBA-së, BE-së, nga ndryshimet e Kushtetutës që bëri Parlamenti, rrezikon procesin e hapjes së negociatave?

-Shqipëria është në pritje të hapjes së procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kërkesat e vendeve anëtare të BE-së si dhe rezoluta e Parlamentit Europian, kërkojnë si parakusht plotësimin e 15 kushteve. Kryerja e reformës zgjedhore dhe zbatimi i saj është një nga kushtet kryesore. Arritja e një konsensusi të gjerë nga të gjitha forcat politike ishte fitorja e madhe e “5 qershorit”, konsensus që u arrit me angazhimin direkt të SHBA-së dhe BE-së. Ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut, të realizuara nga mazhoranca, janë në fakt prishja e këtij konsensusi kombëtar, për një fillim të ri. Sigurisht, këto veprime dëshpëruese të mazhorancës, prishin jo vetëm stabilitetin politik të vendit, por venë në rrezik edhe perspektivën europiane të Shqipërisë. Mbajtja peng e Shqipërisë për pushtetin personal, është një nga çështjet kryesore për të cilat komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë me forcë, por jo vetëm. Ai duhet të shoqërohet me një sensibilizim të opinionit publik, si dhe aksion qytetar në mbrojtje të demokracisë.

“Pozicioni i sovranistit nga Edi Rama, është një tërheqje e dëshpëruar në pozicione populiste, nacionaliste, për përfitime personale pushteti, në dëm të interesave të Shqipërisë”

–  A mbart rreziqe për Shqipërinë, konflikti politik i kryeministrit Rama me ndërkombëtarët, derisa u tha se nuk do t’i dëgjojë më ata për vendimmarrjet politike në Shqipëri? A mendoni se ky qëndrim politik i kryeministrit Rama ndaj SHBA-së dhe BE-së është ndryshim kursi i Shqipërisë, në rrugën drejt Europës?

– Ndryshimi i Kushtetutës së vendit pa konsensusin e të gjitha forcave politike dhe aprovimin popullor është një akt i paprecedent, arrogant, i papranueshëm për çdo vend demokratik. Kjo tregon thelbin e regjimit dhe rrezikshmërinë në rritje të tij. Mbrojtjes dhe ruajtjes së vlerave demokratike të shtetit shqiptar nga komuniteti ndërkombëtar, regjimi Rama i përgjigjet me arrogancën e një pushteti të pakufizuar, që ligjin e bën në funksion të interesave të tij. Ky është presioni i një figure klienteliste që ka personalizuar politikën e jashtme të vendit dhe vepron në funksion të interesave të pushtetit personal.

Për  regjime të tilla, gjithmonë ka një alternativë në Lindje dhe lidhjet me fuqitë e tjera jo liberale. Kur çështja prek ekuilibret gjeopolitikë, ajo nuk mund të jetë vetëm një çështje e demokracisë që duhet ta zgjidhë populli shqiptar, por një problem serioz për interesat e Perëndimit në rajon.

“Ndryshimi i Kushtetutës së vendit, pa konsensusin e të gjitha forcave politike dhe aprovimin popullor, është një akt i paprecedent, arrogant, i papranueshëm për çdo vend demokratik. Kjo tregon thelbin e regjimit dhe rrezikshmërinë në rritje të tij”