Zgjedhjet në universitete, Boçi: Studentët u përjashtuan nga procesi, presim vendimin e Presidentit

45

Tashmë janë zgjedhur drejtuesit se rinj të universiteteve, rektorë dhe dekanë, një proces ky që është shoqëruar me shumë kritika e me shumë akuza përsa i përket ligjshmërisë së tyre.

I ftuar në një studio televizive, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi thotë se këto zgjedhje janë antiligjore për mënyrën se si u zhvilluan.

Ai thotë se një nga kërkesat e studentëve gjatë protestave të thuajse dy viteve më parë ka qenë përfaqësimi më i lartë si dhe pesha e votës më e lartë në zgjedhjet universitare, kërkesa këto që nuk janë plotësuar.

Ish-deputeti shprehet se fjalën e fundit për të dekretuar drejtuesit e rinj e ka Presidenti i vendit, Ilir Meta tek i cili beson se do të bëjë vlerësimin e duhur.

Boçi: Ne jemi para teorisë së faktit të kryer nga Rama. Kemi drejtuesit e rinj në universitete. Duhet të presim pasi është dhe një element që duhet kaluar që është dekretimi nga ana e Presidentit i cili gjykon dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor e cila është shoqëruar me debate politike. Në votim, kemi pasur mungesën e studentëve në auditore dhe ndërkohë pandemia nuk është larguar. Rastet janë shtuar në mënyrë galopante dhe ndërhyrja në këtë kohë do të duhej të ndërhynte. Mënyra se si u zhvilluar procesi i votimit brenda në universitete, u bë një luftë më shumë në hapësirën mediatike. Nuk është thjeshtë zgjedhje e personave në universitete por zgjedhje platformash. U zgjodhën drejtues me ndikim politik.

Pjesa e studentëve është më e dhimbshme. Në Tiranë kanë votuar më pak se 20 përqind e studentëve. Ata janë që e mbajnë gjallë universitetin. Kemi pasur protestat studentore dhe një prej kërkesave të tyre ka qenë shtimi i peshës specifike të përfaqësimit të organeve drejtuese të universitetit dhe shtimi i peshës specifike në përqindje të votës së tyre, nuk u plotësua as njëra e as tjetra. Kur kemi më pak se një muaj nga fillimi i vitit të ri akademik, ministria ende nuk ka një platformë për zhvillimin e mësimit online. Kjo duke qenë se thuhet që në shtator do të kemi një tjetër rritje të shifrave nga koronavirusi. Kjo është një platformë e vonuar. Shpresoj të kemi një reflektim nga Presidenti për mënyrën se si procesi u shty dhe se si u zhvillua.