SHBA/110 vjetori i Federatës ‘VATRA’

210
Sigal

 

New York/ Presidenti Meta përshëndet 110-vjetorin e Federatës Pan-Shqiptare “VATRA” dhe mirpritet nga qindra bashkëatdhetar: Secili shqiptar i Amerikës meriton mirënjohje për kontributin e dhënë. Nderim luftëtarëve të UÇK, të zbardhet gjenocidi i Millosheviçit

Secili shqiptar i Amerikës meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare.

Presidenti i Republikës, SH. T. Z. Ilir Meta përshëndeti festimet e 110-vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare “VATRA”, të organizuara në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I pritur ngrohtësisht nga kryetari i “VATRA”-s, zoti Elmi Berisha dhe qindra bashkëatdhetarë vatranë, nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, zoti Përparim Rama, zoti Mark Gjonaj – ish-këshilltar në Bashkinë e Nju-Jorkut, zoti Richie Torres – përfaqësues i çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, Prof. i “Columbia University” David Philips, krerët e të gjitha komuniteteve fetare të shqiptarëve në Amerikë, si dhe shumë personalitete të tjera, Kreu i Shtetit përshëndeti si i Ftuari i Nderit qindra vatranë dhe vatrane të diasporës së hershme dhe të re shqiptare në SHBA.

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. ILIR META në me rastin 110-vjetorit të Federatës Pan-Shqiptare “VATRA” në Nju-Jork:

Motra dhe vëllezër, Jam shumë i lumtur të jem me ju për të festuar 110-vjetorin e themelimit të “Vatra”. “Vatra” përbën padyshim historinë më të suksesshme të organizimit të shqiptarëve jashtë vendit përgjatë më shumë se një shekulli dhe një dekade. “Vatra” është e rrënjosur fort në kujtesën historike shtetformuese të shqiptarëve.

Federata “Vatra” do të bëhej emblema e çdo patrioti që aspironte një Shqipëri të lirë e të pavarur.  “Vatra”, që ditën e parë u bë promotore e lëvizjes kombëtare dhe e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.  Dy viganët e “Vatrës”, Fan Noli dhe Faik Konica, si dhe shumë figura të tjera të kombit tonë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë historike përmes veprimtarisë patriotike, kombëtare, diplomatike, dhe publicistikës së tyre. Roli i “Vatrës” në të gjitha konferencat ndërkombëtare ku diskutohej fati i shtetit shqiptar, ishte kyç, ashtu siç ishte dhe gjatë konferencës së Paqes në Paris, në vitin 1919, ku pati ndikim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Shqipërisë, duke ndikuar edhe në vendimet e delegacionit amerikan të kryesuar nga Presidenti Woodrow Wilson. Mikun e madh të Shqipërisë, Presidentin Wilson, Noli e vlerësoi si një emër që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, ndërsa Konica thoshte se  gjithë shqiptarët duhet t`i ngrenë Presidentit Wilson, një monument të pavdekshëm në zemrat e tyre. “Vatra” edhe gjatë kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri, ishte vatra e shqiptarëve ku diskutohej për fatet e kombit, për lirimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, por edhe për lirinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e sidomos për Kosovën. Sot, 110 vite nga themelimi i “Vatrës”, pozita e kombit tonë është më e mirë se ndonjëherë më parë. Për këtë ka meritat dhe kontributet e patjetërsueshme edhe “Vatra”. Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s, drejton sot Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara dhe punon për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Kosova është e lirë dhe shtet i pavarur, në një rrugëtim të pakthyeshëm drejt integrimeve euro-atlantike. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, janë një faktor kyç i stabilitetit dhe integrimit euro-atlantik. Shqiptarët e Malit të Zi po realizojnë me sukses të drejtat e tyre Kushtetuese. Shqiptarët në Preshevë, Bujanovc dhe në Medvegjën e të madhit Xhim Xhema, po luftojnë me vështirësi, për të siguruar të drejtat që ju takojnë. Shqiptarët në përgjithësi janë në një pozitë shumë më të mirë dhe kjo është pa asnjë diskutim fal kontributit historik të “Vatrës” dhe vatranëve këto 110 vite. Të dashur bashkatdhetarë jemi sot , për të nderuar kontributin e brezave të tërë për çështjen shqiptare. Ju keni bërë që miqësia shqiptaro-amerikane të thellohet  dhe keni qenë një faktor kyç, që çështja shqiptare të jetë në axhendën amerikane  në këto 110 vite. Ju keni mbajtur gjallë ëndrrën tonë për liri, edhe atëherë kur ajo na dhunohej nga regjimi komunist. Ju keni mbajtur gjallë ëndrrën për liri,  edhe atëherë kur bashkëkombësit tanë u dukej e pashpresë, për shkak të gjenocidit njerëzor.  Ju shqiptarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, keni bërë gjithçka që keni pasur mundësi, që Amerika  mos t’i braktiste shqiptarët dhe të ishte në përkrahjen tonë. Kur ne, po e gjenim lirinë pas errësirë së komunizmit. Ju, ishit të parët që ndihmuat për të rivendosur lidhjet mes dy vendeve tona, dhe të parët që erdhët për të rindërtuar dhe ringritur Shqipërinë në rrugën e demokracisë. Kur Kosova ishte në rrezik shfarosjeje, ju ishit të parët që ngritët zërin për të ndërgjegjësuar administratën Amerikane, për rrezikun që po i kanosej shqiptarëve. Dhe ju, nuk u ndalët me kaq, po ndihmuat me qindra e mijëra familje kur ata kishin më shumë nevojë. Djemtë tuaj ishin vullnetarë dhe të patrembur në luftë, për të mbrojtur popullin e Kosovës, dhe ishin të parët që investuan për të ringritur Kosovën e shkatërruar nga lufta dhe gjenocidi. Në këtë ditë të bekuar të çlirimit të Kosovës, ne nderojmë të gjithë ata vullnetarë, që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ju bashkuan batalionit  ‘Atlantik’-u  dhe  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nderojmë në mënyrë të veçantë, edhe sakrificën më sublimë të tre vëllezërve Bytyçi dhe të gjithë atyre, që nuk kursyen as jetën për lirinë e Kosovës. Secili ‘vatran’ dhe shqiptar i Amerikës meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen  shqiptare. Të flasësh për kontributin e “Vatrës” dhe të shqiptarëve të Amerikës është shumë e vështirë, sepse është e pamundur, që më shumë se një shekull dhe një dekadë kontributesh të përditshme dhe sakrificash të vazhdueshme ta përmbledhësh në një fjalim prej disa minutash. Por, misioni i “Vatrës” nuk ka përfunduar, ashtu si kurse edhe sfidat tonë të Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve në rajonin tonë.

Prandaj më lejoni t’iu uroj gëzuar 110 vjetorin e krijimit të “Vatrës”. Gëzuar ditën e çlirimit Kosovës. Zoti e bekoftë Kombin tonë, Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!

Presidenti Meta në New York: Çmimi i lirisë ishin jetët tona…Të zbardhet gjenocidi i Millosheviçit

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zhvilluar homazhe në New York në Ditën e Çlirimit të Kosovës, ku ka vendosur një buqetë me lule të freskëta para kujtimit dhe veprës të Dëshmorëve të Batalionit “Atlantiku” të rënë për lirinë e Kosovës. ‘Me shembullin e jashtëzakonshëm të sakrifikimit më sublim në emër të atdhedashurisë dhe idealeve më të larta njerëzore, vëllezërit Bytyçi do t’i frymëzojnë dhe edukojnë përherë gjeneratat e reja të shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit që nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë’, shkruan Meta në Facebook. “Nëqoftëse çmimi i lirisë ishin jetët tona, ne nuk mundëm të jepnim më shumë”.

Dje në Ditën e Çlirimit të Kosovës, në New York, vendosa një buqetë me lule të freskëta dhe u përula me nderim, respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit dhe veprës të Dëshmorëve të Batalionit “Atlantiku” të rënë për lirinë e Kosovës, vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi, historisë së lavdishme të UÇK-së dhe krenarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.

I dorëzova nënës heroinë Bahrije dhe babait fisnik Ahmet, Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, që u akordova djemve të tyre të paharruar. Me shembullin e jashtëzakonshëm të sakrifikimit më sublim në emër të atdhedashurisë dhe idealeve më të larta njerëzore, vëllezërit Bytyçi do t’i frymëzojnë dhe edukojnë përherë gjeneratat e reja të shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit që nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë. Kur kanë kaluar mbi dy dekada nga vrasja e tyre e pabesë dhe ende nuk ka përparim për ndriçimin e këtij krimi monstruoz është domosdoshmëri vënia e drejtësisë që do të lehtësojë dhembjen e madhe të familjes së dashur Bytyçi. Zbardhja e gjenocidit dhe të gjitha krimeve të kryera në Kosovë nga regjimi i Millosheviçit do të japë një kontribut të çmuar për më shumë paqe, siguri dhe demokraci në rajonin tonë!

Marjana  Bulku

Një retrospektivë 10 -vjeçare në 110 -vjetorin e Vatrës

Vatra është liria e ëndërruar e shqiptarëve mërgimtarë, por edhe atyre që e ëndërruan AMERIKEN në SHQIPËRINË e vetburgosur, them unë qysh nga dita e parë që shkela në Vatër me të madhen Tinka KURTI në krahë, e cila e mahnitur pas fotografive në muret e Vatrës njohu familjarë të saj që nuk i kishte mundur t’i takonte për së gjalli, pastaj ndaloi në minibustin e nënë Terezës e mori në duar me fjalët “ Lutu për ne, Lutu për ne “! Nisi të rrecitonte vargje që dikur  ia kishte kushtuar asaj. Në fakt unë i kisha takuar vatranët kohë më parë teksa promovohej vepra e Mal Berishës; “ Jeta dhe veprimtaria e jashtëzakonshme” Charls Telford Eriksonit për Shqipërinë dhe për shqiptarët “një amerikan i jashtëzakonshëm që e deshi SHQIPËRINË jashtëzakonisht. Aty pashë për herë të parë vatranët fisnike që nën prezantimin dinjitoz  të autorit të vepres Mal Berisha, anëtar nderi i VATRËS, donin, çmonin dhe respektonin aq shumë njeri – tjetrin, historitë e tyre sidomos ato të mundimit. Aty njoha Agim Rexhën , një vatran fisnik që i dhuron sistematikisht Vatrës dhe çështjes kombëtare: kohë, energji, para. Aty njoha Harry Bajraktarin , këtë shqiptaro -amerikan të pakursyer për çështjen kombëtare. Aty njoha Gjon Buçajn fisnik ( ndjesë pastë ), Dritan Mishton, konsull ynë i asaj kohe , Idriz Lamaj prej urtësisë të të cilit ke kaq shumë për të mësuar, etj Dhe kështu Vatra mbeti tek une sa antike po aq edhe brilante, por gjithmonë vitale, sepse të tillë e mbante energjia që këta aktivistë të quajtur vatranë shkëmbenin me njeri- tjetrin. Vatra u shndërrua në një portë që çeli dhjetra rrëfime në ciklin ‘ Një jetë disa histori’ që e zhvilloja në studion e Albanian Culture TV që për shumë vite qysh prej 1997 u shndërrua në Vatër e vatrës dhe e mbarë komunitetit shqiptaro- amerikan. Nderim edhe për televizionet e tjera që vatrës i rezervuan kohë dhe e transmetuan veprimtarine e saj në çdo shtëpi shqiptare. Sa e sa herë Vatra u bë streha e gjuhës shqipe ku  kultivohej gjuha jonë shqipe. Po a ka gjë më historike sesa kur fëmijë 10-vjeçarë prekin nga afër këtë institucion 110 vjeçar?! E pra qindra fëmijë e kanë vizituar vatrën në këto vite, janë ulur në ato tryeza, kanë shkruar , lexuar dhe komunikuar shqip, aty janë zhvilluar seminare mbi metoda e metodologji të mësimit të shqipes, sepse besuan se Vatra e ka të shenjtë gjuhën shqipe po aq sa historinë, flamurin, lirinë e vendeve tona nga ne vijmë. Vatra i ftonte shqiptarët bujarë të dhuronin kur kandidonte Mark Gjonaj, Suzan Shkreli, kur festohej dielli, kur Shqipëria dhe Kosova rënkonte nga genocide, tërmeti. Gjithçka bëhej transparente nga i ndjeri dhe i nderuari Dalip Greca në gazetën mbishekullore ‘Dielli’. Do të mbetet i paharruar viti i Konices në Vatër

( 2016 – ta mos gabohem) ai set referencash dhe komunikimesh me ikonat e gazetarisë si: Elez Biberaj, Ilir Ikonomi, Frank Shkreli, formati i të cilëve i dha vatrës së këtij shekulli përmasat e një institucioni që të gjithë duan ta vizitojnë, të promovojnë veprat e tyre, veten, miqtë. Sepse vatra kështu na mësoi që t’ja ruajmë historinë duke respektuar kontributet e çdo njerit. Jetëgjatësia e saj na mësoi të mos i fryjmë zjarrit të urrejtjes, as atij të përçarjes ndaj Misioni i Vatrës është i përjetshëm , do të referonte sot edhe  ish -kryetari i saj Asllan Bushati. Po po. Misioni u Vatrës do mbetet i përjetshëm përsa kohë në vendin tonë amë ende mungon liria, drejtësia, demokracia.