Orë pas ore me zhvillimet në Parlamentin shqiptar për skandalin Mc Gonigal. Zbardhet deklarata e Prokurorit të SHBA. Zëri i Amerikës: Rama nuk dha asnjë shpjegim. Kryeministri pranon darkat dhe dhuratat nga ish zyrtari i FBI. Reagon Xhafaj, Gjokutaj, Vasili dhe Zhupa
Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme, që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal.
Famir Xhafaj: Me të drejtë kërkohet transparencë për çështjen ‘McGonigal’!
Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj ka mbajtur një qëndrim ndryshe nga linja zyrtare e partisë lidhur me mocionin me debat për çështjen “McGonigal”, duke i kujtuar kryeministrit Edi Rama se opozita ka të drejtë, që kërkon të bëhet transparencë.
Në fjalën e tij në Kuvend, Xhafaj u shpreh se ‘ne si maxhorancë kemi përgjegjësinë të përballemi publikisht me këtë temë pasi e vërteta është në interes të publikut, por edhe në interesin tonë politik’.
Gjithashtu Xhafaj theksoi se me këtë rast shumica mund të reflektojë edhe për çështje si konflikti interesit dhe lobimi i partive politike.
Xhafaj: Opozita dhe jo vetëm me të drejtë ka kërkuar transparencë për një çështje të tillë. Unë pavarësisht se çfarë mendoj për të dhe sidomos për një pjesë të lidershipit të saj, gjykoj se ata janë në të drejtën e tyre me këtë kërkesë. Ne si maxhorancë kemi përgjegjësinë të përballemi publikisht me këtë temë pasi e vërteta është në interes të publikut, por edhe në interesin tonë politik. Natyrisht edhe të reflektojmë se si të përmirësojmë disa gjera në etikën dhe komunikimin zyrtar, konfliktin e interesit, financimin dhe lobimin nga partitë politike.
Ina Zhupa: McGonigal ka shëtitur Ballkanin, por asnjë kryeministër tjetër nuk përmendet në aktakuzë, si Rama
Deputetja demokrate Ina Zhupa e ka cilësuar si të pavlefshëm fjalimin shfajësues të Edi Ramës se nuk është në hetim në SHB A. Në fjalën e saj nga Kuvendi, Zhupa tha se Shqipëria është kthyer në një xhungël, ku ligji është thjesht një copë letër. Deputetja demokrate theksoi se Charles McGonigal ka shëtitur Ballkanin, por asnjë kryeministër tjetër nuk përmendet në aktakuzë si Edi Rama. Ata që duhet të ishin në burg, janë rrugëve duke vrarë gra të pafajshme dhe të tjerë janë në këtë parlament të veshur me imunitet nga mazhoranca. Sot ishte dita e përgjigjes së pyetjeve, por nuk ndodhi. Kryeministri erdhi dhe tha një recitim, nuk iu përgjigj asnjë pyetje. Ju po harxhoni kohën e debatit politik për të krijuar kauza të reja, për të na treguar se opozita po qeveris keq dhe kush është e mira apo e keqja në opozitë. Ata që duhet të ishin në burg, janë rrugëve duke marrë tendera, ata që duhet të ishin në burg ishin në parlament, të veshur me imunitet nga mazhoranca. McGonigal ka shëtitur Ballkanin, por asnjë kryeministër tjetër nuk përmendet në aktakuzë. McGonigal kishte takuar shumë prej jush, por asnjëri nga ju nuk i del emri në aktakuzë si kryeministrit.
Vasili: Amerika në këmbë për çështjen “McGonigal”. Këtu drejtësia nuk ka sy, gojë e veshë
Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili nga foltorja e Kuvendit foli për dosjen McGonigal. Vasili tha se Amerika është ngritur në këmbë për një ish-zyrtar, ndërsa këtu përmendet Rama dhe nuk ngrihet as gishti. Më tej shtoi se drejtësia në Shqipëri nuk ka sy, veshë, e duar të shkruajë.“A kemi drejtësi të reformuar? Në letra e kemi. Sot drejtësia është pa gojë, pa sy, vesh dhe pa dorë që të shkruajë. Është shkundur Amerika për një drejtor, këtu kemi në thes kryeministrin dhe nuk ngrihet gishti. Kryeministri është shumë i qetë. Këtu nuk lëviz asgjë. Lëviz për arkën e sardeleve, por jo për këtë. Paçi stomak e mbroheni. Organet e sigurisë ku janë? U shqetësuan ndopak? Për çfarë paguhen për sigurinë? Për të dalë në foto”?- tha Vasili.





















