Selami shpall kandidaturën: Basha të dorëhiqet

Ish-kryetari i PD-së kërkon rikthimin në drejtim, ndërsa u përfshi në listën e deputetëve më 25 qershor
Eduart Selami shpalli kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 korrikut, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Selami e cilësoi këtë humbje si të padëshiruar për demokratët. “Këto janë periudha sa të vështira, pak të mbarsura me oportunitet, për një reformim dhe rinovim të vonuar të Partisë Demokratike, për ta ngritur Partinë Demokratike, aty ku janë vlerat më të mira të demokracisë dhe të partive politike bashkëkohore”, u shpreh Selami. Ai shtoi se është për të ardhur keq, që megjithëse forca e parë politike, koha e ka lënë mbrapa dhe këto zgjedhje pikërisht këtë treguan. “Më kryesorja është një analizë e sinqertë, e hapur, e drejtpërdrejtë, brenda familjes politike, duke parë në radhë të parë gjëra që na bashkojnë, sesa gjërat që na ndajnë”, tha ish-kreu demokrat. Sipas tij, garat politike brenda partive, nuk janë të lehta dhe me demokraci që janë shumë herë më të formuara se Shqipëria. “Jam shumë i sigurt që ne kemi eksperiencën dhe unë do të jap kontributin tim, që kjo garë të jetë një garë model, që jo vetëm ta nxjerri Partinë Demokratike me një lidership më të të fortë, më pranë demokratëve, por t’i ngjalli dhe një herë shpresën shqiptarëve dhe të jetë një forcë politike që ta ngrejë Shqipërinë aty ku ne synojmë të gjithë, një nga historitë më të mëdha të suksesit të shekullit 21-të”, tha Selami. Sipas tij, kjo humbje nuk është vetëm e Bashës. “Do të jetë e padrejtë që të bëhet kështu dhe asnjëherë nuk e kam parë kështu, por unë mendoj që ka qenë ajo që unë e kam thënë dhe para dy vjetësh, mungesa e shpresës, mungesa e besimit e cila na solli këtu ishte një kritikë miqësore brenda shtëpisë. Nuk u morëm vesh drejtpërdrejtë, fatkeqësisht nuk u dëgjuam, tani është bërë publike”, vlerësoi Selami. Për deputetin demokrat, kemi parë një nga qeverisjet më të këqija në këto 4 vite, por PD-ja nuk arriti të bëhet shpresë dhe shqiptarëve edhe njëherë iu desh të zgjedhin të keqen më të vogël. “Unë kam zgjedhur këtë rrugë, sepse mendoj se është rruga më institucionale. A do të ishte një garë ku z. Basha të jepte dorëheqjen e plotë dhe kjo të ishte më e barabartë?! Unë po të isha në vend të z. Basha këtë do të bëja. sepse unë mendoj që nëse duhet një garë e drejtë dhe nëse do të duhej një garë e pastër dhe e pakontestuar, mendoj që çdokush dhe të gjithë duhet të jemi në një fushë të barabartë. Kjo është zgjedhja e tij. Unë nuk dua ta paragjykoj. T’ia lëmë kohës ta shikojmë. Kjo është një garë brenda familjes dhe ta shikojmë me kujdes”, u shpreh Selami.

Eduard Selami e ka drejtuar Partinë Demokratike edhe në vitet 1992-1995, por u largua nga udhëheqja e saj pas një përplasjeje të ashpër me Presidentin e atëhershëm, Sali Berisha. Selami ishte një figurat kryesore që kërkoi futjen e PD-së në zgjedhje, duke kërkuar linjën e zgjedhur nga Basha gjatë kohës së qëndrimit në çadrën e ngritur para kryeministrisë. 
Sigal