Kryetari Bashkisë së madhe të Elbasanit, ka nisur prej javës së shkuar t’i trokasë dhe “zërë derën” ministrave, për të marrë paratë për projektet dhe premtimet e dhëna. Në një prononcim për “Telegraf”, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, zoti Qazim Sejdini tha se “nuk ka kohë, duhet nisur nga puna menjëherë, duhet nisur nga zbatimi projekteve, nga marrja e investimeve dhe operacionet e para të ndryshimit dhe transforimit të Elbasanit , njerëzit duan nisjen e ndryshimeve, duan të shikojnë nisjen e angazhimeve tona, ndaj dhe unë nuk mund të mos nis angazhimet e mia për të cilat besoj se do të marr edhe mbështetjen e premtuar”.
Projektet për bashkinë e Elbasanit
Elbasani dhe shtrirja e madhe që ka sot kjo Bashki, natyrisht lidhen edhe me projektet e zhvillimit në qytet dhe fshatra. Zoti Sejdini tha për gazëtën “Telegraf” se “kemi një plan-zhvillimi të detajuar, duke nisur nga infrastruktura rrugore, tek rrjetet e ujit të pijshëm dhe kanalizimet, nga hapja e vendeve të reja të punës tek mbështetja e grupeve të interest dhe biznesit të vogël dhe të mesëm për të cilat punësimi mbetet ndihmesë e madhe”. Pavarsisht muajve të sezonit, Qazim Sejdini ka nisur të trokasë në derën e ministrave dhe beson se gjithçka do të ecë në rrugën dhe “Drejtimin e Duhur”.
Punësimi dhe investimet do të rritin besueshmërinë e qytetarëve
Sipas kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, “Elbasani meriton më shumë punësim, investime, meriton më shumë besim, më shumë rritje ekonomike për të mos dekurajuar qytetarët, votuesit dhe mbi të gjitha rininë e cila i ka sytë nga emigracioni, nga largimi jashtë vendit dhe larg familjeve”. Një ndër pikat e forta të programit të zotit Sejdini ishte dhe mbetet mbështetja e fuqishme e tij ndaj rinisë, e cila në Elbasan në mbi 70 për qind të saj gjendet e papunë. Sipas tij “rinia mbetet forca më aktive e shoqërisë, e ardhmja e cila duhet menaxhuar me kujdes, ndaj shkollimi dhe punësimi rinisë, mbeten sfidat e çdo qeverie vendore dhe qëndrore”. Por trokitja e Sejdinit tek ministrat edhe pse në këto ditë të nxehta vere, lidhet edhe me premtimet e tij për ndryshimet në fushën e arsimit. Ai ka në plan mbështetjen ndaj arsimimit të rinisë, punësimit të rinisë, krijimit të kushteve për jetesë, formimin e rinisë dhe ndërgjegjësimin e rinisë për sfidat që e presin Elbasanin qytetin e tyre. Zoti Sejdini u shpreh se “unë e di se, problemet e mëdha që ne kemi sot nuk mund të zgjidhen si me magji, por mbetem i bindur se unë dhe stafi i ri i Bashkisë re, do të dimë t’i japim zgjidhje atyre, do të dimë të mbajmë premtimet e fushatës, dhe t’i bëjmë ato realitet, insistimi im mbetet evident jo tek ministrat dhe kryeministri Rama, por edhe tek lidhjet dhe miqësitë e mia edhe me ambasadorët e huaj, për të bërë të mundur thithjen e investimeve edhe nga donatorët e huaj, dhe besoj se jemi në rrugën e mbarë”.
Habia e ministrave, nga këmbëngulja e kryebashkiakut
Javën e shkuar kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini ka patur takime pothuajse me shumicën e ministrave duke nisur nga Ahmetaj, Nikolla, Gjiknuri, Kumbaro, Cani etj. Kryebashkiaku Sejdini, pas takimeve me ministrat, pohon se “ka patur habi nga ndonjë ministër, kur vetëm tre ditë pas fitores unë kërkova takime pune, por takimet dhe trokitjet në vapë zgjidhin më shumë punë ndonjëherë me ministrat se trokitjet e vjeshtës, apo dimrit, duken të bezdishme, por janë produktive, unë e kam nga eksperienca dhe rezultatet e fundit flasin për “PO” të tyre ndaj pothuajse të gjitha kërkesave të mia”.