Sali BERISHA/ Berisha: Rama inauguroi Muzeun e Hoxhës, udhëheqësit të tij shpirtëror

508
Sigal

Duke ndërmarrë këtë akt ai ngre në piedestal Hitlerin shqiptar të luftës dhe fyen shqiptarët

Të dashur miq, më 22 nëntor qindra mijëra shqiptarë shprehën zemërimin, përçmimin, neverinë e tyre ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Në të njëjtën orë, të të njëjtës ditë, Edvin Kristaq Rama inauguroi në Shish Tufinë muzeumin e Enver Hoxhës, atit të tij shpirtëror, Hitlerit shqiptar të Pasluftës. Me këtë akt të pashembullt, tejet të shëmtuar, Edi Rama, njëlloj si Ramiz Alia tre dekada më parë, bënë diktatorin gjakatar, sundimtarin më mizor të historisë sonë, Enver Hoxhën, njeriun e dytë pas Skënderbeut, me muze shtetëror. Neo-bllokmeni Edi Rama, në muzeun e atit të tij shpirtëror, natyrisht nuk ka ekspozuar ekzekutime pa gjyqe, kampe, burgjet e tmerrshme të diktaturës, nuk ka paraqitur mjetet mesjetare të torturave çnjerëzore, vdekjet nga uria dhe sëmundjet në sistemin kolektivist apo izolimin dhe mjerimin me të thellë në histori të qytetarëve shqiptarë. Këto, “art muzeu” i Ramës për Enver Hoxhën, kurrë nuk mund t’i kishte.

Në “art muzeun” e të atit të tij shpirtëror, të ngritur në një vend komandë për kohë lufte dhe absolutisht jo bunker antinuklear, Rama kishte përzgjedhur me kujdes fotografi të moshave të ndryshme të diktatorit barbar, dhomat e gjumit, sallat e mbledhjeve, të kinemasë, etj, të orenduar të gjitha rishtas. Shtoj këtu se në atë bunker, ndryshe nga sa mashtroi pafytyrësisht Edi Rama shqiptarët, nuk ka ekzistuar deri para një viti asnjë foto e Enverit, asnjë objekt, shtrat, jorgan, batanije, tavolinë, harta apo mjete të tjera të kohës së tij. Të gjitha janë ofruar nga zonja e zezë e Enver Hoxhës, familja dhe arkivat e saj.

Duke i ngritur “art muzeun” Enver Hoxhës, Edi Rama, njeriu që në të gjithë fëmijërinë dhe adoleshencën e tij për shkak të problemeve serioze psikike, e përfytyronte dhe e mendonte Hoxhën si babain e tij të vërtetë, shkelmon mbi gjakun, shpirtrat, lumenjtë e dhimbjeve dhe sakrificave mbinjerëzore të qindra e mijëra qytetarëve shqiptarë që u ekzekutuan nga skuadrat e pushkatimit të diktatorit gjakësor, që u burgosën, internuan, vetëm e vetëm për liritë e të drejtat që gëzojmë ne sot, apo që jetuan si skllevër dhe vdiqën nga sëmundjet dhe uria në kooperativat dhe fermat e sistemit diktatorial Hoxhist.

Duke e ngritur “art muzeun” e diktatorit Hoxha, me rreth 1 milion euro, para të taksapaguesve shqiptarë, të cilat i a besoi, pa tender, Karlo Bolinos, Edi Rama poshtëron një popull të tërë që përjetoi, gjatë sundimit të Hoxhës, izolimin më të thellë të historisë së tij. Duke ngritur “art muzeun” e Enver Hoxhes, Hitlerit shqiptar të Pasluftës, idhullit të tij shpirtëror, në 25 vjetorin e rënies së murit të Berlinit, Edi Rama përdhos në këtë përvjetor Lëvizjen Studentore, idealet e saja te Dhjetorit, përpjekjet e atyre qindra mijëra shqiptarëve që përmbysën në dhjetor të vitit 1990 regjimin Hoxhist dhe murin e Berlinit, në segmentin më të trashë, më të tmerrshëm të tij,në Tiranë, ofendon në mënyrën më të ultë Partinë Demokratike dhe forcat antikomuniste në Shqipëri, që tërhoqën zvarrë, në rrugët e Tiranës, shtatoren e tiranit dhe përmbysën bustet e gjalla të bllokmenëve hoxhistë. Gjatë inaugurimit të muzeut të diktatorit gjakatar Enver Hoxha, Edi Rama i rritur në parajsën e bllokut gjakpirës, ku nuk i mungonte as qumështi i dallëndyshes, ndërkohë që qindra, mijëra e miliona shqiptarë vuanin nga uria kronike, vlerësoi si një thesar të çmuar të trashëgimisë sonë bunkerin e Hoxhës. Në të vërtetë i tille është ai vetëm për Edi Ramën dhe neo-bllokmenët e tjerë kurse për shqiptarët ai është simboli i urryer i një procesi unik në historinë e një vendi, atë të ndërtimit me djersën dhe gjakun e shqiptarëve të 750 mijë bunkerëve në mbarë vendin, proces që shndërroi Shqipërinë në vendin e tretë më të varfër të planetit. Duke inauguruar muzeun e babait të tij shpirtëror ditën e protestës më të madhe, që nga shkurti i vitit 91, të shqiptarëve kundër shtetit policor, mashtrimeve të pa shembullt elektorale, rritjes së madhe të varfërisë, papunësisë, mjerimit, taksave, çmimit të energjisë, tarifave te studentëve, Edi Rama me cinizëm ekstrem sfidoi revoltën mbarë popullore me rehabilitimin e Enver Hoxhës! Ndaj ju bëj thirrje mbarë shqiptarëve të vazhdojmë të bashkuar pa dallime partiake dhe të shporrim sa më parë Edvin Kristaq Ramën dhe bastardët e bllokut nga pushteti!! sb