Obama uron Presidentin Nishani me rastin e Ditës së Pavarësisë

445
Sigal

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka uruar nëpërmjet një mesazhi Presidentin e Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani me rastin e Festës së Pavarësisë. Ai aty shpreh urimet më të mira për këtë datë të shënuar për Shqipërinë duke përmendur përparimin që ka bërë vendi jonë në ndërtimin e demokracisë por edhe në ndihmesën e çmuar ndaj sigurisë, qëndrueshmërisë dhe begatisë ndërkombëtare. Obama ndër të tjera thekson edhe një herë miqësinë dhe partneritetin e ngushtë që ka SHBA me Shqipërinë, duke shprehur krenarinë lidhur me këtë fakt.

“I dashur Zoti President,

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshiroj t’i përcjell urimet e mia më të mira qeverisë dhe popullit shqiptar me rastin e 28 Nëntorit, Ditës suaj të Pavarësisë.

Duke festuar pavarësinë tuaj, ne përshëndesim përparimin e mrekullueshëm që keni shënuar në ndërtimin e demokracisë në vend si dhe kontributin ndaj sigurisë, qëndrueshmërisë dhe begatisë ndërkombëtare në rajon dhe anembanë botës. Ju përgëzojmë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Suksesi i vendit tuaj në përparimin përgjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian e thellon qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe shërben si shembull për aspiratat euro-atlantike të fqinjëve tuaj.

Shqipëria është një partnere e palëkundur dhe kontribuuese për sigurinë globale. Ne i jemi mirënjohës kontributeve të rëndësishme të Shqipërisë dhënë në misionin e NATO-s në Afganistan, në përpjekjet ndërkombëtare në Ukrainë, qëllimeve humanitare dhe stabilizuese në Irak si dhe në luftën kundër kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar dhe luftëtarëve të huaj.

Shtetet e Bashkuara janë krenare që e kanë Shqipërinë si aleate, mike dhe partnere të ngushtë. Urime për Ditën tuaj të Pavarësisë!” – përfundon mesazhi i Presidentit amerikan drejtuar Kreut të Shtetit shqiptar.