Gjykata e Posaçme e Apelit dënoi me 3.4 vite burg ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Reagon avokatët, politika dhe ndërkombëtarët. Avokati i ish -Drejtorit të Policisë së Vlorës Jaeld Çela: Sipas kriterit të gjykimit të djeshëm, të gjithë drejtorët e pas 2013-ës, në zonat ku u mboll kanabis dhe janë kapur laboratorët e drogës duhet të japin dorëheqjen dhe të shkojnë në burg
Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar sot me burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Gjykata e ka dënuar me 3 vite e 4 muaj burg.Gjatë fjales se tij kreu i trupes gjykuese deklaroi se provohet lidhja e Tahirit me Moisi Habilajn dhe Artan Habilajn. Po ashtu gjykata tha se eshte verifikuar se Tahiri ka përfituar shërbime të padrejta dhe shpërdorimi i detyrës ka dëmtuar shtetin.
Ai u dënua me 5 vite burg, per per shkak te gjykimit te shkurtuar, eshte denuar me 3 vite e 4 muaj burg. Pritet që Tahiri të firmosë urdhrin e gjykatës, dhe më pas ai do të dalë nga ky organ i drejtësisë me pranga në duar.Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit ka kërkuar dënimin me 12 vite burg për ish-ministrin dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çelën. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim zbret në 8 vite burg për të dy ish-zyrtarët për lidhjet e dyshuara me të ashtuquajturin “Grupi i Habilajve”, vëllezërit e akuzuar për trafik të sasive të mëdha të marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë. Prokuroria e akuzoi asokohe Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm. Edhe në seancën e kaluar, më 31 janar, SPAK-u i qëndroi akuzave të ngritura që në fillim ndaj ish-ministrit, Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal, duke këmbëngulur në dënimin e tij me 12 vite burgim. Nga ana e tij, Tahiri i kërkoi trupës gjykuese shqyrtimin me objektivitet të provave e fakteve, duke i mëshuar pafajësisë së tij. Edhe avokati i tij, deklaroi se nuk ka asnjë provë që ta lidh ish ministrin e Brendshëm me një aktivitet kriminal. Kjo është hera e dytë që çështja ndaj ish-ministrit Tahiri trajtohet në Apel, pas një odiseje të gjatë gjyqësore.
Zvarritja
Në vitin 2019, ai u dënua në Shkallë të Parë nga gjykata, e cila rrëzoi akuzat e prokurorisë dhe e cilësoi atë fajtor për “Shpërdorim të detyrës”. Dënimi prej 5 vitesh burgim, u konvertua në shërbim prove për 3 vjet e 4 muaj, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Vendimi u ankimua dhe Gjykata e Apelit nga ana e saj, në qershor të vitit 2020, e riktheu për rishqyrtim në Shkallë të parë. Ankimimi i këtij vendimi në Gjykatën e lartë, pasoi, vitin e kaluar, me prishjen e atij vendimi për shkak të “shkeljeve procedurale” gjatë procesit, dhe rikthimin e çështjes sërish në Apel, me një tjetër trupë gjykuese, e cila pritet të shprehet përfundimisht më 4 shkurt.Ish-ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i zotit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve. Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë prove. Në maj të vitit 2018, zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Zoti Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.
REAGOJNË PAS ARRESTIMIT
Basha: Dënimi Tahirit një nga hallkat e zinxhirit të krimit dhe korrupsionit
Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme për dënimin e ish-ministrit Saimir Tahiri. Lulzim Basha: “Vendimi për Saimir Tahirin, dëshmon sa të vërteta kanë qenë akuzat e PD për përfshirjen e ish ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Faktet e përfshirjes së tij në një grup të struktuar kriminal, janë dëshmi e qartë se në krye të bandës është Edi Rama, njeriu që e emëroi, mbrojti dhe përdori çdo mekanizëm për të zvarritur dënimin e vartësit të tij. Saimir Tahiri dhe Lefter Koka janë vetëm dy nga hallkat e zinxhirit të krimit dhe korrupsionit që ka për autor dhe zbatues Edi Ramën”!
Kryemadhi: Kemi një drejtësi të vonuar, ideatori dhe urdhëruesi kanabizimit
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka komentuar mbi vendimin e gjykatës për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Teksa e cilësoi vendimin për Saimir Tahirin një drejtësi të vonuar, ajo tha se ideatori dhe urdhëruesi i kanabizimit të Shqipërisë është Edi Rama. Po ashtu Kryemadhi tha se nuk ndjehet mirë për asnjë shqiptar qe dënohet megjithëse theksoi se kanabizimi i vendit ishte një nga pikat që solli dhe ndarjen e LSI me PS. ‘Mendoj që sot për mediat dhe ndoshta dhe për klasën politike mund të jetë shumë interesant lajmi për dënimin e zotit Tahiri. Sigurisht vjen një dënim pas një kohe shumë të gjatë pas një denoncimi të 7 apo 8 viteve më përpara’.
Yuri Kim: S’ka më pandëshkueshmëri, askush nuk është mbi ligjin
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar pas dënimit të Saimir Tahirit me 3.4 vite burg nga Apeli i Gjykatës së Posaçme. Kim thotë se nuk ka më pandëshkueshmëri dhe askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. “I bëjmë thirrje institucioneve gjyqësore që të vazhdojnë të demonstrojnë se askush – pavarësisht partisë, pozitës apo pasurisë – nuk është mbi ligjin. Jo më pandëshkueshmëri”, shprehet amasadorja.
Saimir Tahiri: “Jam moralisht i qetë, është thjeshtë padrejtësi”.
Ish-ministri i brendshëm, Saimir Tahiri është dënuar me 5 vite burg. Vendimi është marrë nga Apeli i GJKKO, të cilët vendosën 5 vite heqje lirie për ish-ministrin e Brendshëm, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuaj 3.4 vite burg. Pas këtij vendimi, Tahiri ka pritur në sallën e gjyqit, për t’u transferuar në Drejtorinë e Policisë, ndërsa më pas do transferohet te 313-ta. Ish ministri i Brendshëm ka bërë edhe një postim dhe e ka quajtur padrejtësi këtë vendim. “Më vjen keq që shkoi kështu. Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur kurrë ligjin, kam dashuruar çdo ditë të punës sime, jam i lumtur që kam bërë detyrën siç më mirë munda. Eshtë thjeshtë padrejtësi”, tha Tahiri.
Avokati i Tahirit: Vendimi skandaloz, njollosi figurën e ish-ministrit
Maks Haxhia, avokati mbrojtës i Saimir Tahirit ka folur për mediat pas dënimit të ish-ministrit të Brendshëm me 3.4 vite burg. Haxhia tha se vendimi është skandaloz dhe njollosi figurën e Tahirit. Ai paralajmëroi rekurs në Gjykatën e Lartë, pasi të jetë zbardhur vendimi. Maks Haxhia theksoi se Saimir Tahiri është dërguar fillimisht në ambientet e Drejtorisë së Policisë dhe më pas do të dërgohet në qeli. “Vendimi ishte skandaloz. Nëse burgimi i Tahirit do të kënaqë dhe do të përmbushë atë shqetësim që kishte opinioni shqiptar, le të quhet i përmbnushur. Kjo gjykatë bëri atë që s’mund të bëhej nga pikëpamja juridike. La në fuqi vendimin e shkallës së parë, por hoqi pezullimin e nenit 59.Sot Saimir Tahiri i kishte mundësitë që edhe të mos vinte. Kishte njerëz që i thoshin ik, mos u paraqit, por insistoi që të ishte në dispozicion të drejtësisë. Tahiri sot do të shkojë te Drejtoria e Policisë. Për rekursin presim vendimin e arsyetuar. Jam i sigurt që vendimi do të vonohet. Tahiri e priti vendimin qetësisht. Ne sot prisnim pafajësi totale. Nëse kjo është reforma që të luftohet korrupsioni duke futur në burg Tahirin unë mund të them që të gjithë pushtetarët duhet të vishen trashë në kohe dimri”.
Gjokutaj: Iu dha mbrojtje politike, ka përfituar nga trafikantët
Avokati Genc Gjokutaj, ka komentuar dënimin me burg të Saimir Tahirit.Gjokutaj thekson se Saimir Tahirit i është dhënë mbrojtje politike, duke shtuar se ai ka përfituar nga trafikantët e drogës.“Edi Rama e ka mbrojtur Saimir Tahirin. Tahiri nuk është më i pandehur, por ka statusin e të dënuarit. Tahirit iu dha mbrojtje politike. Tahiri ka përfituar nga trafikantë e është e rëndë sepse ai është ministër i Brendshëm. Saimir Tahiri është i implikuar me njerëz të dënuar. Drejtësia italiane ishte ajo që ka bërë shumë punë për dosjen e Saimir Tahirit.Këtu flitet për trafik droge, e ministri i Brendshëm është ai që duhet të jetë në krye të punëve për të luftuar trafikimin e lëndëve narkotike, e jo të implikohet në të tilla çështje. Gjykata e Lartë do të shikojë nëse ligji është zbatuar drejt apo jo”, deklaroi Gjokutaj.




























