Ruçi dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së: Të përfundojë reforma zgjedhore

607
Sigal

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger, pas takimit të tyre, kërkuan që të përfundohet reforma e nisur zgjedhore në mënyrë që të sheshohen problemet e zgjedhjeve në Shqipëri. Greminger tha gjithashtu, se tashmë ka ardhur koha për maturi politike, ku opozita ngre zërin për shqetësimet e saj por kjo nuk pengon palët politike të arrijnë konsensus për çështje strategjike të vendit. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger, u shpreh optimist për punën e komisionit ad-hoc të reformës zgjedhore por bëri thirrje që tashmë ka ardhur koha të merren vendime, në mënyrë që elementët e rinj që mund të miratohen të testohen në zgjedhjet lokale të vitit 2019. Lidhur me situatën politike, Greminger tha se ka ardhur koha që politika në Shqipëri të maturohet, ku pavarësisht se opozita ngre zërin e saj për shqetësimet që ka, palët të arrijnë konsensus për çështjet strategjike të vendit. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, gjithashtu u shpreh optimist për një konsensus të gjerë mes palëve për të arritur një reformë zgjedhore të suksesshme.

Gramoz Ruçi: Ka pasur momente që kanë qenë edhe më të nxehta se këto dhe si rezultat i bashkëpunimit dhe ndërveprimit reciprok është arritur mirëkuptimi për mjaft çështje të rëndësishme. Jam besimplotë që do të arrihet në një produkt final në radhë të parë për implementimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Në takimin e përbashkët, palët firmosën një memorandum mirëkuptimi mes Republikës së Shqipërisë dhe OSBE.