Rrëfimet e Prof. Dr. Qemal Lame/ Ish-kryehetuesi publikon për herë të parë gjyqin politik në organizatën e partisë së Lidhjes së Shkrimtarëve për poezinë e Ismail Kadaresë: “Kisha boshllëqe, në veprat e mia pashë influencat e bagazhit revizionist”

601
Sigal

Ismail Kadare, beniamini dhe demoni i Udhëheqjes

Ismail Kadare vlerësohej publikisht për kontributin e tij në letërsi, të njohur nga shkrimtarët, dashamirësit e letërsisë dhe gjithë opininoni shoqëror i brendshëm e i jashtëm. Ky realitet ka qenë e mbetet një fakt i pamundur për ta nënvleftësuar apo mohuar. Po real, i dënueshëm dhe i pamundur për t’u nënvleftësuar është edhe realiteti, se ndërsa ai zyrtarisht vlerësohej publikisht, në fshehtësi ai mbetej në ndjekje intensive agjenturore, për vetë faktin se ishte cilësuar si i dyshimtë, element i rrezikshëm me pikëpamje e krijimtari letrare armiqësore. Për këto arsye, shkrimtari jo vetëm lavdërohej ose “përkëdhelej”, si thonë disa individë, por edhe kritikohej, përgojohej, linçohej e dënohej nga udhëheqja politike, të cilën e anashkalojnë, e lënë në heshtje dhe akuzojnë me subjektivitet kritikët. Për idetë e tij që shqetësonin, trondisnin dhe i krijonin pasiguri e pagjumësi udhëheqjes politike, me urdhër direkt të udhëheqësit, shkrimtari ndiqej me përparësi e në mënyrë të pandërprerë nga agjentura e fshehtë. Ai ndodhej realisht nën kthetrat helmuese e vdekjeprurëse të Sigurimit të Shtetit. E vërteta për ndjekjen e shkrimtarit nga Sigurimi i Shtetit, bazohet dhe provohet në analizën objektive të dokumenteve, fakteve reale, ideve, qëndrimeve që ai ka mbajtur në vepra dhe mesazheve që ato japin për të kuptuar drejt pasojat e sistemit diktatorial. Shkrimtari nxiste ndërgjegjen shoqërore që të mos gënjehej nga propaganda zyrtare për problemet politike, ideologjike, filozofike, kulturore,  shoqërore. Shkrimtari jepte shembullin me vlerë për jetën e kontributin e secilit që mendonte ndryshe nga idetë shabllone të kohës, dëshironte të bënte diçka të mundshme, të guxonte  e të dëshmonte përkushtim  në projektimin  dhe realizimin e ideve e të vizionit të së ardhmes më të mirë për të gjithë. Ismail Kadare është një nga personalitetet që ka dhënë ndihmesën e tij të mundshme në sensibilizimin, nxitjen  dhe zgjerimin e mendimit ndryshe te shkrimtarët, artistët, intelektualët e njerëzit e thjeshtë. Mendimi ndryshe i Ismailit dhe i personaliteve të tjera të kohës, ndikoi dhe dha efektin e vet edhe në zgjimin shoqëror, mendimin ndryshe, reflektimin ndaj botës së brendshme,  së kaluarës dhe realitetit,  në interesin për zhvillimin e qytetërimit e të demokracisë perëndimore e vizionin e ri të nevojshëm për kohën. Ato dhanë ndikim në periudhën e pranverës së shkurtër të liberalizmit në vitet shtatëdhjetë, të goditur me forcë nga partia, shteti e drejtësia. Vepra dhe jeta konkrete e Ismailit u bënë në fakt motivuese e stimuluese edhe për frymën demokratike të të rinjve dhe më pas të atyre që u bënë politikanë, të cilët u bashkuan dhe u përkushtuan me bindje në lëvizjen e mbarë popullit, në vitin 1990 e në vazhdim, për ndryshimin e sistemit politik, për kalimin nga socializmi diktatorial i shkatërruar në demokracinë perëndimore të idealizuar. Ndjekja agjenturore ndaj Ismailit është fakti real, prova konkrete që demaskon kritikën denigruese, qëllimin e vërtetë të shpifjeve e akuzave, synimin për vrasjen në ndërgjegje e moral, linçimin politik, ideologjik e letrar të shkrimtarit që të imponohej të bënte kthesë në gjykimet e idetë e tij dhe të mbetej brenda kornizës zyrtare të ideologjisë. “Pallati  i  Ëndrrave”  ishte  selia  ku  “Komandanti”,  “Udhëheqësi” i hyjnizuar ideonte dhe urdhëronte ndjekjen agjenturore me anë të manipulimit  të  legjendave,  duke   fabrikuar  e  falsifikuar  provat,   gjetur dhe imponuar personat që do të ishin të gatshëm të bashkëpunonin ose të pranonin edhe nën presionin e kërcënimet e hapura apo përmes imponimit në forma të ndryshme indirekte, që të informonin, kallëzonin dhe dëshmonin kundër, krijimin e kushteve të paramenduara për ndërmarrjen e veprimeve konkrete ligjore. Makina e fuqishme partiake, shtetërore, agjenturore, hetuesia, prokuroria e gjykata qëndronte përherë në gatishmëri. Në sinjalin më të parë ndizeshin automatikisht motorët. Nën drejtimin e propagandës partiake, gjithë mekanizmat shtetërorë dhe agjenturorë viheshin menjëherë në lëvizje. Ulërima e britmave të Komandantit ,në Byronë Politike, apo urdhrat e tij vdekjeprurës nga zyra në Selinë e Pallatit të Ëndrrave ose në shtëpinë “në oazin e parajsës” së kohës, në Bllokun e blinduar të Udhëheqjes, shkaktonte në opininionin shoqëror mortin me lemerinë tronditëse të udhëheqësit me amplitudë zanore më të fuqishme se ndjenjat e natyrshme njerëzore nga tërmetet natyrore. Këto krahasime në formën e fabulës letrare, në atë kohë dhe për atë person, këto thirrje të njeriut me fuqi absolute, të shoqëruara automatikisht me masat agjenturore e të dhunës shtetërore për ndjekjen e armiqve të fantazuar, kundërshtarëve politikë të tij, kanë qenë reale, tipike, objektive. Në kohën e sotme mund të duken të çuditshme e misterioze! Me gjithë censurën dhe spastrimet e bëra me paramendim të njoftimeve, mbledhjeve, procesverbaleve, incizimeve, filmimeve etj.,  këto tipare të qëndrimeve e të karakterit njihen si pjesë e veprimtarisë zyrtare të mbyllur, por edhe nga disa raste të njohura edhe publikisht. Me urgjencë merreshin të gjitha masat partiake, shtetërore e ligjore proceduriale për ta dënuar si armik cilindo që kishte kurajën, me vetëdije e sinqeritet dhe besim tek Enver  Hoxha dhe te partia guxonte  të deklaronte ide e mendime ndryshe nga politika zyrtare, vlerësohej se nuk ishte i besuar dhe bëhej sadopak i rrezikshëm për pushtetin absolut të “udhëheqësit të madh dhe të dashur”.

Kadare: Unë nuk kam qenë si duket i disiplinuar. Nuk më është vënë në dukje asnjë gjë. Jetën time të përditshme ia kam kushtuar më tepër anës teknokratike… S’kam bërë një përpjekje për të njohur jetën e gjallë. S’merrem me gjëra të tjera. Më ka bërë lajka të shfrenuara më tepër Todi Lubonja

Gjyqi i poemës “Pashallarët e Kuq”

Mbledhja për poemën “Pashallarët e Kuq” është një dëshmi e politikës së Partisë së Punës për gjykime dhe dënime të cilitdo që shfaqte mendimin ndryshe, imponimin e masave me pasoja në ndërgjegjen e personit dhe të linçimit nga opinioni shoqëror me pasoja pothuajse njëlloj si edhe dënimet politike penale nga gjykata. Ismaili u cilësua konkretisht si person me bindje borgjeze e revizioniste dhe kërkohej  të pranonte  fajësinë e tij,  të reflektonte  dhe të jepte  garanci për besnikëri. Presioni politik shoqërohej edhe me kërcënimin e masave të propozuara për të njohur njerëzit e thjeshtë, frymën e klasës punëtore, të shkonte në bazë te populli për të parë si jetonin e punonin punëtorët e kooperativistët, si dhe të reflektonte në krijimtarinë e tij artistike  për të tipizuar njeriun e ri, klasën punëtore në uzina e fabrika, fshatarësinë e përkushtuar në bujqësinë socialiste etj. Ismaili   pranon  gabimet   dhe  reflekton   në  vlerësimet  që  kërkohej   të bëheshin në mbështetje të koncepteve të Partisë.

Kadare: “Nuk kam qenë i disiplinuar… Kam pranuar lajkat e Todi Lubonjës”

Ismail Kadare: “Kam menduar se veprat e mia i kam gjykuar si mendime që shprehin konceptet e Partisë.  Në takimet  me lexuesit kam thënë se tregimi  ka qenë i dështuar. Për “Dimrin” jam përpjekur që të shpjegoj. Kemi thënë se për disa gjëra s’kam qenë dakord. Për romanin kam bërë përpjekje për ta ripunuar. Në mendimet e tij, shkrimtari ka dëgjuar fjalën e thjeshtë të njerëzve punëtorë, por nuk është ndikuar prej tyre. “Kam dëgjuar shumë vërejtje dhe sugjerimet e punëtorëve i kam vlerësuar, por nuk e kam parë të mjaftueshme. Unë nuk kam qenë si duket i disiplinuar. Nuk më është vënë në dukje asnjë gjë. Jetën time të përditshme ia kam kushtuar më tepër anës teknokratike… S’kam bërë një përpjekje për të njohur  jetën e gjallë. S’merrem me gjëra të tjera. Më ka bërë lajka të shfrenuara më tepër Todi Lubonja. Kam menduar se m’i ka bërë në formë shakaje. Unë nuk i kam marrë lajkat e tij si….”.

Pranimi i bindjeve revizioniste dhe i ndikimit nga formimi në shkollën sovjetike e me literaturën bashkëkohore të Lindjes, ishin një qëndrim autokritik  i guximshëm.

Kadare: “Kisha boshllëqe në orientimet e Partisë”.

Ismail Kadare: “Thellësisht e kam kuptuar,  por praktikisht ndiej  se kisha boshllëqe në orientimet e Partisë.”

Kadare: “Rashë viktimë e ndikimeve revizioniste.”

 Si shkrimtar mendoje se më mirë nuk duhej që të dije të gjitha?

Kadare: “Kur ndodhi prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, shumë gjëra nuk i kisha shumë të qarta. Prandaj në veprat  e mia pashë influencat  e bagazhit  revizionist. Ndikimet  revizioniste kanë  ardhur nga leximet  revizioniste që kam  lexuar  shumë  kohë më parë, bëra gabim.  Kjo ka lojtur rol në influencën  e tyre. Kam menduar se ato nuk mund të më bënin gjë.” Më tej ai sqaron: “Si komunist nuk e kam mbrojtur si duhet vijën e Partisë, me aq sa kanë qenë mundësitë e mia. Gabimet e mia kanë ardhur nga papjekuria ideologjike dhe praktike. Asnjë rrethanë tjetër në origjinë, që të më bënte të bëja gabime. Kam shkruar për Partinë shumë. Në këtë vjershë konceptimi u nis krejt gabim… Më janë bërë vërejtjet e para për cilësinë e vjershave. Ajo u çua për radhitje. S’jam i mendimit që të dilej në skenë pa një vjershë aktuale. Nuk kam bërë as këmbëngulje për botimin e vjershës… i thashë që ta lexonte.  Lajkat e Todi Lubonjës  i kam quajtur pa vlerë, se nuk më duheshin e nuk më vlenin. Krijimtarinë time të ardhshme do të mundohem ta botoj në çdo drejtim që të jetë për masat. Mendoj që të vihem në ristudim të veprave të klasikëve duke i bërë si metodë. Kritika që m’u bë nga Komiteti Qendror, mendova se asnjë autokritikë e imja nuk do ta shlyente këtë gabimin tim. Vendosa që t’i kërkoj të gjitha veprat e mia dhe t’i rishikoj nën prizmin e situatës së krijuar, mendoj se kam një rreth shoqëror  të sëmurë dhe kam menduar që Partia të më ndihmojë se cilët janë njerëzit që nuk duhet të rri”.

Kadare:Kur ndodhi prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, shumë gjëra nuk i kisha shumë të qarta. Prandaj në veprat  e mia pashë influencat  e bagazhit  revizionist. Ndikimet  revizioniste kanë  ardhur nga leximet  revizioniste që kam  lexuar  shumë  kohë më parë, bëra gabim

Mos  njerëzit  që  të  bëjnë  lajka, të  bëjnë  qejfin?   Pse  nuk  u  këshillove me Dritëro Agollin dhe me Llazarin?

“Kam idenë se kam një shoqëri të mirë.  Unë s’u  kam  dhënë vend lajkaxhinjve.  Jam  njeri i larguar. S’jam tip i afruar. Me shokët e organizatës kam qëndruar afër. Po nuk rri aq sa duhet me Dritëronë. Nuk kam qëndruar afër me Duro Mustafanë.”

Shkrimtari Ismail Kadare shprehet me sinqeritet edhe për krijimtarinë e tij, pa marrë mendime dhe pa biseduar me shokët e tjerë shkrimtarë e krijues të njohur.

Ismail Kadare: “Vetëm kur më thanë dyshimet  e para, kërkova ta lexonin  shokët. Nuk kam pasur asnjë reagim të shokëve për vjershën. S’kam pasur njerëz që të më jepnin të drejtë me qëllim të caktuar. Duhet të bëj çmos që të jem më afër vetes. Kam qëndruar larg”. Këto deklarime kishin efekt në gjykimin më të kujdesshëm të gabimeve të tij. Në dimensionin e ndjekjes së tij, ato përbënin edhe pohimin e fajësisë, e cila do të evidentohej dhe përdorej në rastin dhe kohën e duhur. Kritika e rreptë ndaj shkrimtarit, me rrezikun e ndëshkimit dhe dënimit deri edhe penal, na sjell në vëmendje propagandën kundër shkrimtarëve të kohës së socializmit, me ngjashmëri në të gjitha shtetet Lindore ish- socialiste. Shteti autoritar dhe shkrimtarët e nënshtruar ndaj regjimit, në kor me porositë nga lart kritikuan, linçuan dhe dënuan me forcën e pushtetit. Ata kërkuan   reflektim,  konfrontim   dhe  përkushtim   besnik   ndaj  politikës   së partisë e udhëheqësit edhe nga Ismaili. Kritika dhe dënimi i bujshëm e linçues ndaj Ismailit zhvillohet po me të njëjtat qëllime dhe skenarë, ashtu si ka ndodhur edhe në Rusinë sovjetike ndaj Pasternakut. Për të kuptuar më qartë këtë dhunë shtetërore dhe kundërvënie nga shokët e tjerë krijues mbështetës fanatikë të regjimit, referohemi në ngjarjet e përjetuara nga vetë Ismail Kadare: “Në Moskë, në Institutin Gorki, ku shkova më 1958, u njoha me një kritikë, në pamje të parë disi ndryshe, në thelb e njëjta si në Shqipëri. Ngjarja e pashembullt mes së cilës u gjenda, ishte furtuna kundër Pasternakut. Kam mbërritur në Moskë në shtator të vitit 1958 dhe vetëm disa javë më pas, në tetor, ndodhi dënimi i bujshëm i tij. Ngjarja ishte me jehonë planetare, por qendra e ciklonit ishte në rrugën Hercen, ku ndodhej Lidhja e Shkrimtarëve dhe shtëpia e Hercenit, ku ishte Instituti ynë, dy hapa larg. Është pak të thuash se ngjarja ishte tronditëse për të gjithë, veçanërisht për shkrimtarët. Prej saj kuptoheshin shumë gjëra, e në radhë të parë, thelbi i raporteve midis një shkrimtari të shquar dhe shtetit autoritar. Mjafton të përmendet se pak kohë më pas Pasternaku vdiq, ende pa e marrë veten nga tronditja.”

Kadare: Për “Dimrin” jam përpjekur që të shpjegoj. Kemi thënë se për disa gjëra s’kam qenë dakord. Për romanin kam bërë përpjekje për ta ripunuar.” Në mendimet e tij, shkrimtari ka dëgjuar fjalën e thjeshtë të njerëzve punëtorë, por nuk është ndikuar prej tyre. “Kam dëgjuar shumë vërejtje dhe sugjerimet e punëtorëve i kam vlerësuar, por nuk e kam parë të mjaftueshme

Viti 1975/ Dokumenti: Procesverbali i mbledhjes. Rendi i ditës: Mbledhje për një poezi të gabuar të Ismail Kadaresë Asistojnë nga Komiteti Qendror Foto Çami dhe nga Komiteti i Partisë së Rajonit Nr.1, shoku Gani Keçi.

Foto Stamo: Pse nuk është dhënë për t’u lexuar  kjo poezi?

Anastasi: Duke menduar që pas skjarimit që do jepet dhe nga vetë Ismaili, do të mendoj se kjo do të dalë e qartë. Shiko informacionin e dhënë me shkrim nga shoku Anastas Kondo (bashkangjitur procesit) Pas informacionit të shokut Anastas.

Ismaili: Më vjen shumë keq që pikërisht në këtë situatë të Partisë, në vend që ta ndihmoja Partinë, i hapa telashe Partisë. Unë kam shkruar një vjershë kundërrevolucionare. Prita një vjershë revolucionare që do të ndihmonte armiqtë për luftë kundër burokratizmit dhe kapitalizmit. (Shiko materialin e paraqitur me shkrim)

Pyetje për Ismail Kadarenë

Shoku Foto Çami: 1) Si komunist si e ke mbrojtur vijën e Partisë në vazhdim?

2) Çfarë e ku lipse të bëje gabime nga një vjershë në tjetrën?

3) Si i shpjegon gabimet ideologjike, për bindje apo si koncept?

4) Arsyet pse është kundërrevolucionare kjo vjershë?

5) Ke injoruar rolin e Partisë, po pse e ke injoruar? Nga sa kam dëgjuar, Ismaili është ndikuar që të lirohej sa më parë, çfarë e ka shtyrë që të shpejtohej?

6) Todi Lubonja i ka bërë lajka. Si i ka parë këto veprime të tyre?

Vijon

Në numrin e ardhshëm, do të lexoni:

Gjyqi i Kadaresë në Lidhjen e Shkrimtarëve:

-Pse lajkat e Todi Lubonjës  kanë mbetur në koncepte dhe jo ideologji e Partisë?

-Si i mori ndikimet revizioniste?

– Pse tregon mungesë sinqeriteti?

– Pse nuk reflektoi për “Dimrin e vetmisë së madhe”?

– Pse, si komunist, ka marrëdhënie të këqia me organizatën bazë të Partisë?

– Pse ka shpërfillur mendimin dhe vlerësimin e klasës punëtore?