Çështja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë kryefjala në vendin tonë, jo vetëm për shkak të rëndësisë së saj juridike, por edhe për ndikimin politik që ka, pasi ky institucion ka kompetencën të vendosë për mandatin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ne kemi parashtruar 5 çështjet kyçe që ka në “dorë” ky institucion i drejtësisë. Po ashtu deklaratat e Zaçaj kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve. Në vitin 2023 Zaçaj i shkruante KED-së dhe Gjykatës së Lartë se po aplikonte për mandatin që përfundon në mars 2025. Mirëpo ajo tashmë ka ndryshuar qëndrim, ajo i thotë publikut se nuk e di se kur i përfundon afati i mandatit në krye të Gjykatës Kushtetuese. Analistë, politikanë, avokatë dhe juristë kanë shprehur mendimet e tyre lidhur me “peshën” që ka Gjykata Kushtetuese. Ne kemi mbledhur disa nga këto opinione dhe i kemi paraqitur më poshtë.
Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci: Kushtetuesja e futi vendin në ngërç!

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beci komentoi interpretimin e Komisionit të Venecias lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Sipas tij, nga pikëpamja procedurale, Venecia ka dhënë një përgjigje shteruese kur thotë se vendimet e Kushtetueses janë të detyrueshme edhe për deputetët edhe për Kuvendin e Shqipërisë.Beci u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk duhet ta kishte futur vendin në këtë ngërç duke çuar në Venecia një çështje për të cilën duhet të kishte dhënë vetë përgjigje shteruese“Kemi të bëjmë me procedurë dhe materie, procedurës i ka dhënë përgjigje shteruese Komisioni i Venecias, që thotë vendimet e Kushtetueses janë të detyrueshme edhe për deputetë dhe për kuvendin e Shqipërisë. Në Republikën e Shqipërisë i vetmi organ superior që interpreton Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese dhe vendimet e kësaj gjykate janë të detyrueshme, se Venecia shpjegon saktësisht, që ndarja e pushteteve, besnikëria ndaj shtetit të së drejtës nënkupton faktin që parlamenti i republikës së Shqipërisë ka kompetenca që nuk kanë lidhje me heqjen apo jo të mandatit. Duke qenë që në Kushtetutë mandati i një deputeti konstatohet si i papajtueshëm vetëm nga Gjykata Kushtetuese deputetët e Kuvendit kanë vetëm një rrugëzgjidhje, të votojnë vendimet e kushtetueses, sepse, në të kundërt bie koncepti i ndarjes dhe pavarësisë së pushteteve. Gjykata Kushtetuese nuk duhet ta çonte vendin në këtë ngërç që të tallej Venecia me republikën e Shqipërisë, por ta thoshte ka apo s’ka papajtueshmëri, mandati ndërpritet apo jo. Përgjigjja duhet të ishte shteruese”,- tha ai në emisionin Noë, në Euroneës Albania.
Xhixho: Mosdorëzimi te drejtësia e deputetes Xhaçka, tregon që shteti i së drejtës ka rënë

Zv presidentija e PL-së, Erisa Xhixho përmes një deklarate për mediat u shpreh se opinioni i Komisionit të Venecias për rastin “Xhaçka” konfirmoi betejën e drejtë të opozitës për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Deklarata e zv. Presidentes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho.
Të nderuar qytetarë,
Opinioni i Komisionit të Venecias për rastin “Xhaçka” konfirmoi betejën e drejtë të opozitës për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Përpjekja për të mbajtur peng me arrogancën e shumicës parlamentare, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, është një puç kushtetues ndaj shtetit ligjor.
Si një prej firmëtareve të nismës për të çuar në Gjykatën Kushtetuese rastin “Xhaçka”, e kam konsideruar që në krye të herës një shembull flagrant të papajtueshmërisë së funksionit të deputetit me konfliktin e interesit, neni 70, pika 3 e Kushtetutës.
Opinioni i Komisionit të Venecias nënvizon se “parimi themelor i shtetit të së drejtës, është plotfuqishmëria e Kushtetutës dhe respektimi, nga të gjitha pushtetet dhe autoritetet shtetërore, i efektit detyrues të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kur ka një të tillë.
Në argumentimin e opinionit theksohet se “vetë qëllimi i ekzistencës së Gjykatës Kushtetuese, është të kufizojë shkeljet e mundshme nga legjislativi ose aktorët e tjerë shtetërorë.
Parlamenti nuk mund t’i referohet parimit të ndarjes së pushteteve për të refuzuar zbatimin dhe respektimin e vendimeve të GjK në kuadër të kompetencave që i jep Kushtetuta”.
Për këtë arsye, sipas Komisionit të Venecias, pyetjet e drejtuara nga Parlamenti shqiptar për këtë rast, “nuk mund të shihen si çështje të mandatit të lirë, pasi respektimi ose jo i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të jetë çështje dëshire politike.
Në rastin konkret për të cilin u paraqit kjo kërkesë, Gjykata kishte dhënë dy vendime, dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk mund të kushtëzohet nga votimi ose shumica parlamentare”.
Pra, Komisioni i Venecias ka thënë të njëjtën gjë që ka thënë Gjykata Kushtetuese, që nuk mund të ngrihet pavarësia apo liria e votës kur bëhet fjalë për vendimet e GJK.
Nuk mund të konsiderohet si detyrim i një mënyre të caktuar votimi, por si një përmbushje e përgjegjësisë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Pra, sipas Komisionit të Venecias, Kuvendi është i detyruar të zbatojë dhe të votojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Parlamenti nuk mund t’i referohet parimit të ndarjes së pushteteve për të refuzuar zbatimin dhe respektimin e vendimeve të GjK në kuadër të kompetencave që i jep Kushtetuta.
Ndaj mosdorëzimi te drejtësia i deputetes Xhaçka, për të vendosur gjykata nëse është apo jo në kushtet e papajtueshmërisë, tregon se praktikisht shteti i së drejtës, reforma në drejtësi, kontrolli dhe balanca e pushteteve kanë rënë.
Bardhi letër Spiropalit, kërkon rivotim në Kuvend! Vë në dijeni dhe ambasadat

Gazment Bardhi, në emër të grupit parlamentar të PD-së, i është drejtuar me një letër kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, ku i kërkon që të rivotojnë në Kuvend mocionin për dërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtuese, pas mbërritjes së raportit nga Komisioni i Venecias. Përmes letrës, e cila iu është dërguar edhe selive të ambasadave perëndimore në Tiranë. Bardhi shkruan se qëndrimi i mazhorancës është jo vetëm i papranueshëm, por jashtë çdo logjike njerëzore dhe politike dhe po jepet shembulli i paprecedent në një vend demokratik.
“Qëndrimi personal i Kryetares së Kuvendit dhe i mazhorancës socialiste, pas publikimit të Opinionit të Komisionit të Venecias, është jo vetëm i papranueshëm, por jashtë çdo logjike njerëzore dhe politike. Ju po sajoni/deformoni qëndrime që nuk gjejnë asnjë mbështetje, në asnjë fjali dhe në asnjë paragraf të Opinionit të Komisionit të Venecias. Ju po bëni interpretimin sipas asaj që ju do të dëshironit të shprehej Komisioni i Venecias dhe jo sipas asaj që është shprehur qartësisht Komisioni i Venecias. Ju nuk po i përmbaheni zotimit tuaj publik që do të vepronit sipas Opinionit të Komisionit të Venecias dhe do ta zbatonit atë. Ju po tregoni se investuat kot Komisionin e Venecias dhe nuk po e respektoni autoritetin e tij. Ju po jepni shembullin e paprecedent në një vend demokratik, që nëse nuk pëlqehen vendimet e gjykatave atëherë ato mund të mos zbatohen.” – shkruan kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Bardhi kërkon që të nisin procedurat parlamentare, në seancën më të parë plenare, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe dorëzimin e Xhaçkës tek drejtësia.
Kujtojmë se PD e kërkoi edhe në seancën plenare të djeshme që të futej në rendin e ditës votimi i mocionit për dërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtuese, por u refuzua nga mazhoranca, e cila e vazhdon ende “mburojën” për mandatin e ish-ministres së Ramës.
Në raportin e ardhur nga Komisioni i Venecias theksohej qartë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme me detyrim nga të gjitha autoritetet dhe nuk mund të rrëzohen me shumicë parlamentare. Kujtojmë se çështja “Xhaçka” është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita, e cila pretendon se deputetes socialiste duhet t’i hiqet mandati me argumentin e konfliktit të interesit, për shkak të dhënies së statusit “investitor strategjik” bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, në kohën kur ajo mbante postin e ministres.Deputetët e Partisë Socialiste me urdhër të kryeministrit Edi Rama kanë votuar dy herë kundër vendimit të Kushtetueses për të shqyrtuar mandatin e Xhaçkës, duke mbrojtur kështu kolegen e tyre. Xhaçka akuzohet se ka shkelur Kushtetutën, duke përfituar si deputete të mira publike, që kur bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, fitoi të drejtën e përdorimit të bregdetit për 30 vite falë një vendimi qeverie. Më konkretisht në mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave shpalli një vendim për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Gjilekë të Himarës për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare. Në atë kohë, Olta Xhaçka mbante postin e ministres së Jashtme. Sipas këtij vendimi, kompanisë ‘AGTTC Hotel Management’ i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
Rasti është kthjellësisht i pastër dhe për precedentë të tillë Kushtetuesja i ka hequr më parë mandatin e deputetit, Ilir Beqjas dhe Koço Kokëdhimës.
Çfarë fshihet pas “luftës” për Kushtetuesen? 5 çështjet e bujshme që kanë në dorë gjyqtarët
Gjykata Kushtetuese është kthyer në mollë sherri javët e fundit. Elsa Toska dha në mënyrë të papritur dorëheqjen dhe akoma edhe sot nuk e dimë se pse e ndërmori këtë akt. Më pas Kuvendi nisi menjëherë procedurat e zëvendësimit dhe shpalli një vakancë me mandat të plotë, ndonëse sipas Kushtetutës, vakanca duhej të mbyllej në vitin 2025.
Por debati më i madh u bë për mandatin e Holta Zaçajt, e cila është edhe kryetare. Gjykata e Lartë njoftoi se ajo e mbyll mandatin në mars dhe kërkoi të shpallte vakancën. Mirëpo Zaçaj e refuzoi me argumentin se mandati i mbaron në fund të vitit. Por ajo u përball me një presion të jashtëzakonshëm. Media dhe gazetarë pranë mazhorancës e sulmuan në mënyrë të frikshme, duke i bërë gjyqin publik.
Gazetarët e banaqeve morën rolin e juristit dhe shpjegonin me laps e letër se asaj i mbaron mandati dhe duhet të largohet. Madje sot një gazetar i brendshëm i qeverisë dilte e thoshte se ‘ajo është e paaftë, ka njollosur detyrën dhe duhet të dorëhiqet’. Pse ky presion kaq i madh nga mazhoranca? Pse socialistët u alarmuan kur Zaçaj tha se do qendrojë në detyrë?
Dyshimet janë se konflikti mes saj dhe mazhorancës nisi për mandatin e Olta Xhaçkës. Zaçaj ka punuar dikur në Bashkinë e Tiranës, kur Rama ishte kryebashkiak dhe kishte zëra se ajo ishte njeriu i mazhorancës në gjykatë. Por te Xhaçka, ajo u doli kundër dhe kjo duket se solli nisjen e konfliktit.
Por dyshimet janë se nuk është rasti i vetëm. Në Kushtetuese janë edhe shumë çështje të tjera me shumë rëndësi, shumica e të cilave prekin mazhorancën. Mos vallë PS po luan gurët për këto çështje?
Një ndër çështjet më të bujshme që do marrë në shqyrtim Kushtetuesja është ajo e Pëllumb Gjokës. Më 19 dhjetor gjykata mblidhet mbi kërkesën e tij për të shpallur të paligjshme përgjimet e “Sky Eç”. Flitet se ka pasur një presion të jashtëzakonshëm në Kushtetuese për këtë rast, pasi përveç krimit është e interesuar dhe politika që të zhbëhen këto përgjime. Kjo sepse ka shumë emra të rëndësishëm që dalin aty.
Rast tjetër është ankimimi i PD për ligjin e Akademisë së Shkencave, ankimimi i partive të vogla për Kodin Zgjedhor, si dhe një ankimim që PD ka bërë për projektin e Portit të Durrësit nga arabët. Çështje tjetër është dhe ankimimi i Sali Berishës, i cili ka ankimuar arrestin me burg, pas rrëzimit që ju bë për masën e detyrimit të paraqitjes.
Do të shohim si do të venë punët. Por sot u pa se presioni pati efekt. Zaçaj pranoi shpalljen e vakancës dhe kjo do të thotë se kemi një luftë të madhe në prapaskenë.
Avokati, Franci Nuri: Vendimet e Kushtetueses, detyruese për të gjitha pushtetet!

Avokati dhe juristi Franci Nuri është i mendimit se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë vetëm për t’u zbatuar, teksa iu referuar përplasjes mes Kuvendit dhe Kushtetueses për rastin e deputetes socialiste Olta Xhaçka. Nuri tha se Kuvendi ka detyrimin ligjor që t’ia përcjellë rastin Xhaçka, Kushtetueses, por këtë gjë thotë avokati, kryeparlamentarja, e cila ka dhe tagrin e përcjelljes së lëndës (rasti Xhaçka), nuk e ka bërë.
Sipas Nurit, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali iu drejtua Komisionit të Venecias për rastin e deputetes së PS, Olta Xhaçka, për të fituar kohë për mandatin e kësaj të fundit, ndërsa opinionin e ‘Venecias’ e lexoi si shuplakë ndaj qëndrimit të socialistëve për kolegen e tyre.
Rasti Xhaçka për heqjen ose jo të mandatit të deputetit nga Gjykata Kushtetuese, pa përmendur emra, juristi Nuri tha se ka pasur edhe precedent të mëparshëm në këtë gjykatë.
Dy qëndrimet e Holta Zaçajt që po i “marrin fytyrën” Gjykatës Kushtetuese
Holta Zaçaj, në vitin 2022, i drejtohej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Gjykatës së Lartë me një kërkesë të thjeshtë: aplikonte për një mandat që përfundonte në mars 2025. Por, pas dy vitesh, ajo dukej se ishte më pak e sigurt për të ardhmen e saj. Në vend që të japë një përgjigje përfundimtare, ajo deklaron se nuk e di se kur duhet të largohet, ndërsa kishte njoftuar se ishte duke “pyetur” Komisionin e Venecias për udhëzime. Është kjo një situatë e vërtetë pasigurie, apo thjesht një “lojë” për të mbajtur sa më shumë kohë në detyrë, duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore dhe procedurale?



















