Rilindasit, të frikësuar dhe në panik

677
Sigal

Nga Gentian Çala

Në momentin që ata menduan se ndërtuan partinë-shtet, ngrehina u rëndua shumë dhe çatia po i ze përfundi. Kongresi dhe fjalët e thëna aty mbi zgjedhjet e ardhshme ishte në kontrast me shtyrjen e miratimit të Kodit Zgjedhor, ku ndjehet qartë paniku i zgjedhjeve të afërta. Partia e Rilindjes, vizualisht pompoze, është mjaft e brishtë sepse hija e humbjes u vërtitet si ëndërr e keqe. Partia-shtet e sëmurë rëndë jeton me idenë e pavdeksisë, pra krejtësisht jashtë realitetit. Ëmdrrat e këqia të natës dhe makthet po u prishin ditën.

Mjafton të shikosh reagimet pas manifestimit të organizuar nga Presidenti i Republikës dhë të mbështetura nga populli. Rilindasit flasin me zërin e Ramës, imitojnë atë, ndjekin logjikën e tij, janë thjesht eko e pohimeve të tij. E përbashkëta e reagimeve post-manifestim janë frika mjaft e lexueshme se gjithçka po u rrokulliset nën këmbë. Zullumet janë bërë mullar dhe pesha e tyre jo vetëm që po i bjerr, por nuk po munden ta menaxhojnë më. Deklaratat e ditës së sotme të Ballës dhe të ndonjë këshilltari të tij, duken më shumë vetëdemaskuese sesa si përpjekje për të intimiduar Presidentin Meta.

Politika dhe shoqëria shqiptare që nuk është dakord me Rilindjen është zgjeruar shumë, rast pas rasti, kauzë pas kauze, duket se janë bërë shumë, një front i madh dhe i rrezikshëm për partinë-shtet. Rilindasit e ndjejnë këtë, po aq sa lexojnë përditë shtimin e numrit të të pakënaqurëve brenda radhëve të tyre. Laku po ngushtohet dhe mandati i tretë është një iluzion i KM-së djersëçurg dhe buzëdridhur. Lugë bosh ku një pjesë e mirë e partisë-shtet llogarit pasardhësin e humbësit Rama, sesa që dëgjojnë llomotitjen e shefit të tyre të drobitur.

E shkuara të mban peng dhe KM-në tonë e ka kapur për fyti dhe nuk e lëshon, aq sa disa personazhe të diskredituara në publik dhe ndërkombëtarisht, si Gjushi, u bëhet strehë brenda Rilindjes. Edhe ky është një sinjal paniku, ku vathës së hallakatur, nuk do ti humbasë asnjë nga kartat e dikurshme, që realisht janë karta të djegura. Rilindasit janë më të dobët se kurrë, madje nga dëshpirimi dhe paniku nxituan të kapin Gjykatën Kushtetuese duke punuar edhe në ditët e pushimit. Bah! I tremb e sotmja apo e nesërmja?! Unë mendoj se më shumë i tremb e dyta. Ndaj do të befasohesha nëse bëjnë sërisht veprime iracionale. Ata e dinë mirë se ju mbaruan kilometrat e garës, të cilën e nisën si misionarë dhe po e mbyllin si dështakë dhe plangprishës.

Zoti u ruajt mendjen!