“Rilindasit e oligarkuar” i vodhën popullit pasurinë, lirinë, shpresën dhe të ardhmen

505
Sigal

Analizë nga Prof.Dr. Arben Malaj, ish-ministër i PS-së; Edi  Rama në 8 vite keqpërdori votën që i dhanë shqiptarët . Ai dhe “Rilindja e Oligarkuar” po e lënë Shqipërinë, shpirtërisht dhe ekonomikisht më të varfërs se sa e gjetën, më të korruptuar dhe më të kapur nga bandat dhe trafikantët. Braktisja e vendit nga të rinjtë, specialistët dhe truri i kombit, po plakë dhe spastron vendin duke realizuar ëndrrën e shovinistve antishqiptar

Prof. Dr. Arben Malaj, ish- ministër i PS-së

 Pas prillit 2021,  Shqipëria  meriton  të qeveriset  jo më nga qeveritarë që përqëndrojnë pushtet  absolut  dhe që vetkorruptohen  në mënyrë  absolute

“Rilindasit e oligarkuar”,  kosto të rënda dhe afatgjata për shqiptarët

 Lorenca Bejko

Prof. Dr. Arben Malaj, ish- minstër i PS-së  në intervistën për gazetën “Telegraf”  pohon se realiteti i sotëm i shqiptarëve është sfondi i errët i shpresave të humbura nga keqqeverisja e ‘Rilindjes’. Kryeministri Rama 8 vite rresht e keqpërdori mundësinë që shqiptarët i dhanë me votë.  Ai u vodhi popullit shqiptar dy nga pasuritë më të shtrenjta të çdo populli.  Ju vodhi lirinë për të menduar dhe jetuar të lirë. Ju vodhi ëndrrat dhe shpresat për të ardhmen, ndërkohë që 99% e deputetëve dhe ministrave kanë zgjedhur besnikërinë ndaj kryetarit të partisë dhe jo besnikërinë ndaj Shqipërisë. Prof, Malaj u bën apel shqiptarëve që në 25 prill, me votë, të zgjedhin jo më lider që vihen në shërbim të oligarkëve, që po u vjedhin shqiptarëve të varfër  miliarda euro nga korruptimi dhe  kapja e  shtetit.

PAA më ka krijuar  një mundësi  të jashtëzakonshme të jem një promovues  publik i ekonomisë së gjelbër, i zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe i politikave mbështetëse  për shtresat e braktisura dhe të përçmuara nga ‘Rilindasit’ e oligarkuar

-Prof. Malaj, si do ta përshkruanit realitetin e sotëm në vendin tonë?

– Bardhë e zi, sepse sfondi i errët i shpresave të humbura nga keq-qeverisja  e “Rilindësve” e ka zbehur ngrohtësinë e dritës natyrore që Shqipërisë ia ka falur natyra, por që po ia  ze përditë dhe më shumë qeverisja arrogante dhe e babëzitur e ‘Rilindasve’ që po i shërbejnë oligarkisë dhe jo Shqipërisë.

– Cila është pritshmëria për 25 prillin e 2021?

– Besoj shume tek mençuria dhe përgjegjësia e popullit tim për t’i dhënë fund kësaj keq-qeverisjes që mund të thuhet pa asnjë hezitim se do të rezultojë më e keqja e tranzicionit tonë të gjatë. Ajo identifikohet lehtë nga katër tipare: (i) e pa ditur; (ii) e papërgjegjshme; (iii)  arrogante dhe (iv) e babëzitur.  Pas prillit 2021, Shqipëria meriton të qeveriset jo më nga qeveritarë që përqëndrojnë pushtet  absolut  dhe që vetkorruptohen në mënyrë absolute. Jo më lider që vihen në shërbim të oligarkëve, që po u vjedhin shqiptarëve të varfër  miliarda euro nga korruptimi dhe  kapja e  shtetit. Zgjedhjet e fundit në SHBA dhanë një mësim të vyer për të gjithë popujt. Vetëm vota e përkushtuar popullore mund te rivendosë ekuilibrat e jetës shoqërore dhe të mbrojë demokracinë funksionale. Shqiptarët nuk duhet të vazhdojnë si gjithmonë që fajin për dështimet e tyre ta kërkojnë tek të tjerët dhe as të presin me sytë nga qielli, por të ndërgjegjësohen për forcën e madhe që ka reagimi publik, protesta popullore dhe vota e përgjegjshme kundër qeveritarëve sherr-krijues, të paaftë dhe të kapur.

Jo më lider që vihen në shërbim të oligarkëve, që po u vjedhin shqiptarëve  të varfër  miliarda euro nga korruptimi dhe  kapja e  shtetit

– Tashmë, që nuk jeni në asnjë parti politike, cili është angazhimi juaj politik?

– Prej vitit 2013 nuk kam asnjë angazhim të drejtpërdrejtë partiak, por  ndjehem i motivuar pozitivisht nga bashkëpunimi i përditshëm me kolegun Duka, forumet politike, anëtarësinë, simpatizantët dhe mbështetësit e  Partisë Agrare Ambientaliste. Objektivi strategjik i këtij bashkëpunimi është që pas zgjedhjeve 2021, PAA të jetë parti parlamentare me fuqi negociuese për koalicionet e ardhëshme politike dhe parti me fuqi imponuese për 5 objektivat kryesore të programit të saj qeverisës,  me te cilat do të bëjë fushatën e saj elektorale ne çdo cep të Shqipërisë.  PAA më ka krijuar  një mundësi  të jashtëzakonshme të jem një promovues publik i ekonomisë së gjelbër, i  zhvillimit të qëndrueshëm  rural dhe i politikave mbështetëse  për shtresat e braktisura dhe të përçmuara nga ‘Rilindasit’ e oligarkuar. Bujqësia prodhon 20 përqind të ekonomisë shqiptare dhe merr financime nga buxheti i shtetit,  vetëm 57 qindarka në 100 lekë. Ekonomia e gjelbër është zgjidhja më e mirë për një ekonomi të shëndetshme edhe për gjeneratat e ardhshme. Ekonomia e gjelbër po propozohet nga shkencëtarët si një nga tre kolonat e ekonomisë së shëndetshme që duhet të rindërtohet pas covid-19, përballë pandemive të tjera dhe pasojave të rënda të ngrohjes globale. Të gjelbërit që nuk kanë asnjë përfaqësim politik në Shqipëri, janë një fuqi politike moderne në rritje në BE. Te gjelbërit qeverisin shumë lande dhe bashki jo vetëm në Gjermani dhe që janë  në bashkëqeverisje në shumë vende europiane. Të gjelbërit janë një grup i rëndësishëm politik në institucionet e BE-së. Të gjelbërit përfaqësojnë  10 % të parlamentit europian. Pikërisht promovimi dhe rritje e ekonomisë së gjelbër dhe e përfaqësimit politik të gjelbërve në Shqipëri janë dy objektiva  prioritare në bashkëpunimin  intensiv  me PAA të Shqipërisë.

Prof. Malaj, si e shikoni pjesëmarrjen e të rinjve në politikë? Eksodi i sotëm i të rinjve nga vendi ynë është i frikshëm.

– Është e trishtueshme, qeveritë arrogante dhe të kapura  braktisin dhe varfërojnë popujt  e tyre, shqiptarët po  braktisin vendin e tyre. Brakstisja e vendit nga të rinjtë dhe forcat më të mirë arsimuara dhe aktive, është një dëm i madh për Shqipërinë për plakjen e saj të përshpejtuar, për tkurrjen e saj demografike dhe për  kostot e tjera sociale, ekonomike dhe politike.

– Pse kultura demokratike e parlamentit tonë është shumë larg nga demokracia europiane? A janë vënë në pikëpyetje institucionet e Shqipërisë?

– Pandemia na ka “detyruar” që sipas preferencave tona të shikojmë më shumë filma. Unë jam përqëndruar për të parë filma nga historia politike e shumë vendeve dhe shumë liderëve. Po shikoj filma për personalitete që kanë bërë histori për popujt dhe vendet e tyre.  Filmi që pash këtë jave ishte  “The Crown”, në seancën e fundit të  tij  tregohet se si Theacher u ndje “e tradhëtuar” nga miqtë dhe aleatët  e saj më të mirë në parti, parlament dhe qeveri. Momenti mësim-dhënës për të rinjtë shqiptarë dhe për këdo që ka, apo synon  një angazhim publik,  përmblidhet në pyetjen  që çdo ministër i Theacher dhe deputet i partisë konservatore  i bënte vetes  lidhur me  dilemën e besnikërisë. Ata pyesnin veten, besnikëri, ndaj kujt? Besnikëri ndaj vendit tuaj, apo ndaj liderit tuaj, që edhe mund  t’ju ketë promovuar? Ata zgjodhën të parën  besnikërinë ndaj vendit të tyre, Theacher nuk mbijetoi si kryeministre e Britanisë së Madhe.  Në realitetin e hidhur të parlamentit shqiptar dhe të  qeverive shqiptare, por  dhe në mandate të tjera të përfaqësimit politik, fatkeqësisht deri tani shumë pak ministra apo deputetë kanë zgjedhur besnikërinë ndaj Shqipërisë. 99 përqind e tyre në 99 përqind të rasteve të dilemës për besnikëri, në të gjithë historinë e shtetit shqiptar kanë përzgjedhur besnikërinë e verbër ndaj kryeministrave apo kryetarëve të partive të tyre, thjesht dhe vetëm për një mbijetesë personale  zvarranike. Ky varfërim i vlerave njerëzore ka ardhur në rritje. Kjo është varfëria më e madhe morale e klasës tonë politike.

Brakstisja e vendit nga të rinjtë dhe forcat më të mirëarsimuara dhe aktive, është një dëm i madh për Shqipërinë për plakjen e saj të përshpejtuar, për tkurrjen e saj demografike dhe për  kostot e tjera sociale, ekonomike dhe politike

–  Si do ta karakterizonit ju situatën parazgjedhore?

– Fushata elektorale 2021 duket se do të jetë e ashpër, e lodhshme dhe e shtrenjtë. Partitë kryesore kanë disa muaj që kanë  filluar fushatën agresive dhe të përditshme dhe në kundërshtim me ligjin. Agresiviteti politik në Kuvend dhe përplasja  fanatike pro dhe kundër njëri- tjetrit, është rritur në nivele shqetësuese. “Insiativa e madhe” e “Taulantit të vogël” për komision hetimor për të “pastruar vendin” nga akuzat ndërkombëtare me fokus denigrimin e liderit të opozitës, një argument sa qesharak, aq edhe i pistë në qëllimet e tij,  ishte juridikisht e pa vlerë, politikisht e dëmshme dhe moralisht e turpshme. Është hera e parë në historinë midis Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete të pavarura të kombit shqiptar, që me këtë fushatë akuzuese e denigruese  midis vetë shqiptarëve, eksportohet krizave e dështimit të ‘Rilindjes’ në  Kosovë. Kjo ndodh kur Shqipëria ka dështuar ta mbështesë Kosovën në njohjet ndërkombëtare si shtet i  pavarur dhe konsolidimin  e saj shtet-formues. Ndërsa Serbia vazhdon me sukses të  ngadalësojë, ndalë  apo të tërheqë njohjet e Kosovës si shtet i pavarur dhe të godasë UÇK-në që i solli Kosovës pavarësinë nga Serbia dhe lirinë e  popullit kosovar të shtypur nga barbaritë dhe mizoritë serbe.

-Cila është rrugëdalja nga kriza e madhe që ka pllakosur në vendin tonë?

– Nuk ka rrugë më të mirë dhe më të qendrueshme për sfidat tona se sa zgjedhjet e lira dhe të pavarura. Kjo kërkon ndërgjegjësim maksimal të kujtdo për ta ndërprerë zinxhirin skllavërues të “rilindësve të oligarkuar”  mbi çdo shqiptar. Skllavërim në formën e rritjes së papunësisë, rritjes së varfërisë, rritjes së deficitive  buxhetore, rritjes së gjobave disa qindra milionë dollarë  dhe borxheve të rënda, të ditura apo të fshehura nga abuzimi për pushtet absolut  i ‘rilindasve’ të dështuar.

– A ka dështuar reforma në drejtësi?

– Reforma  është shumë e domosdoshme, por pati disa mospërputhje në kohë, pati pengesa jo spontane dhe kjo solli që ngrehina e re institucionale e sistemit gjyqësor të mos jetë akoma gati duke bërë që të kemi një kohë jo të shkurtër  pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe me kapacitete minimale të gjykatave te tjera në çdo nivel të tyre, përshi edhe gjykatat administrative. Do te dëshiroja të ishin të kënaqur shqiptarët, por kjo situatë e vështirë  me sistemin gjyqësor deri tani ka krijuar më shumë kosto për individët, për familjet për biznese. Të shpresojmë që kosto afatshkurtra të amortizohen nga përfitimet afatgjata të kësaj reforme shtet-konsoliduese. Të gjitha gjykatat duhet të jenë sa më parë funksionale ky është edhe një detyrim i  qeverisë ndaj BE-së. Çdo vonesë në mos funksionimin  e tyre krijon edhe një kosto tjetër zhgënjyese për shqiptarët – koston e  vet-pengimit në procesin e integrimit. Projekti i qeverisë amerikane për të angazhuar juristë shtesë për reduktimin e  dosjeve që kanë vite vonesa për shqyrtim në çdo hallkë të gjyqësorit tonë, do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme për mirë-funksionimin e sistemit gjyqësor dhe rritjen e besueshmërisë publike tek drejtësia e re.

– Prof. Malaj, a i penalizon shqiptarët sistemi i ri për udhëtimet në  Zonën Shengen?

– Si studiues dhe lektor  i historisë së Bashkimit Europian,  jam i bindur që sistemi i ri  nuk krijon asnjë pengese, bile do të jetë një lehtësim. Por duhet asistencë për çdo shqiptar  që e ka të vështirë  të  plotësojë formularin e parë. Qartësimi publik me çdo mjet komunikimi publik duhet të bëhet  sa më thjeshtë dhe sa më shpejtë për të eliminuar riskun që shqiptarët të mos pengohen nga kjo mundësi e re lehtësuese.

-Si është menaxhuar situata e pandemisë nga institucionet tona?

– Ne duhet të vetpërgatitemi shpirtërisht si individ, si qeveri dhe si popull  në aspektin psikologjik, social dhe ekonomik se e ardhmja jonë edhe pas covid-19 do të jetë një bashkëjetesë e detyrueshme mes pandemive dhe ekonomisë.  Kjo kërkon një kulturë të re të menduarit dhe të jetuarit. Pandemi të ndryshme do të shfaqen dhe rishfaqen në forma dhe periudha të ndryshme. Shkenca është arma jonë më e fortë afatgjatë. Vetmbrojtja nga viruset është arma më efikase afatshkurtër kundër pandemive. Koha nga shfaqja e një virusi të ri deri në zbulimin e vaksinave efektive dhe vaksinimin e popullatës do të jetë një periudhë  jo e shkurtër, shumë stresuese dhe ku aktiviteti social dhe ekonomik do të reduktohen jo pak.  Nobelisti  Lewitt këshillon se: “virusi më vrastar nuk është virusi i pandemisë, por virusi i panikut tek popujt dhe sidomos tek qeveritë e tyre”.

– Prof. Malaj, cili është nënteksti politik i kritikave të kryeministrit Rama ndaj LSI-së dhe PD-së?

– Kam një përgjigje shumë të shkurtër se si duhet të jetë një lider  i përgjegjshëm. Këtu më ndihmon   një profil nga gazetari Manuel Peruzzo për  kancelaren Merkel  ku qartësonte se: (i) ajo nuk është humoriste; (ii) nuk i fyen kundërshtarët e saj politikë; (iii) nuk di të vallëzojë dhe (iv) nuk përdor Twitter. Krahasoni shpërdorimin maksimal që Rama i bën mandatit të kryeministrit të një vendi të varfër, kur  përditë e më shumë fokusohet vetëm tek fyerjet ndaj opozitës dhe ushqimin e thartuar që shpërndan në shoqërinë dhe politikën shqiptare nëpërmjet mediave dhe platformave online që i financon direkt dhe indirekt nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Rilindësit e oligarkuar” po e  lënë Shqipërinë shpirtërisht dhe ekonomikisht shumë më të varfër se sa e gjetën. Çdo përpjekje për zgjatjen e pushtetit të tyre  të korruptuar dhe të kapur  nga oligarkët,  ka  një fund të hidhur politik

– Ju do të kandidoni kësaj here për deputet?

Personalisht nuk kam asnjë ambicie konkrete për të qenë patjetër deputet, por vendimin konkret do ta marr  në kohën e duhur. I kam shërbyer vendit tonë me dashuri dhe integritet edhe pa qenë deputet. Pas vitit 2013 kam  rreth 8 vite që nëpërmjet mësimdhënies, studimeve dhe   Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje. Me analizat dhe komunikimin publik intensiv, synoj të  ndihmoj sa do pak në atë që duhet bërë më mirë. Ky detyrim mirënjohës edhe ndaj taksapaguesve të vendit tim do të jetë i përhershëm dhe asnjëherë i kushtëzuar nga ndonjë karrige apo mandat politik.

– Prof. Malaj, nëse do t’i dërgonit mesazh kryeministrit Rama, cila do të ishte përmbajtja?

– Të shikojë dhe rishikojë përrallën e ‘Mbretit lakuriq’. Të kuptojë se për 8 vite rresht e keq përdori mundësinë që shqiptarët i dhanë me votë. Ai i vodhi popullit shqiptar dy nga pasuritë më të shtrenjta të çdo populli.  Ju vodhi lirinë për të menduar dhe jetuar të lirë. Ju vodhi ëndrrat dhe shpresat për të ardhmen. “Rilindësit e oligarkuar” po e lënë Shqipërinë shpirtërisht dhe ekonomikisht shumë më të varfër se sa e gjetën. Çdo përpjekje për zgjatjen e pushtetit të tyre  të korruptuar dhe të kapur  nga oligarkët, ka  një fund të hidhur politik, siç ka ndodhur me liderët e korruptuar në Europën Lindore, të cilët po përballen me drejtësinë.