Rexhep Qose/ Lufta Nacional Çlirimtare, një luftë heroike

429
Sigal

Politika shqiptare të zezën e ka shitur për të bardhë, të papastrën për të pastër

(Pjesë nga fjala e mbajtur në Kuvendin e V të Shoqatës Kulturore, Atdhetare, Labëria mbajtur në datat 24-25 maj në Gjirokastër)

 Ndihem i vlerësuar dhe i respektuar që jam sot këtu në Gjirokastër për të marrë pjesë në Kuvendin e V të  Shoqatës Kulturore, Atdhetare, “Labëria”, e cila më ka dhe anëtar nderi të saj. Ky Kuvend tregon më së miri se si di kjo shoqatë të organizojë evente të tilla kaq të mëdha. Tregon se si reagon populli lab, kur bëhen Kuvende dhe kur bëhen festivale. Kam ngelur i mrekulluar nga mikpritja gjirokastrite dhe veçanërisht nga Kryetari i Bashkisë z. Flamur Bime. Në këtë Kuvend Shoqata Labëria vjen më e sigurt se kurrë, më e bashkuar se kurrë, më e dashuruar me atdheun se kurrë. Kam ndjekur aktivitetet e saj të vazhdueshme dhe kam parë se kjo shoqatë është ndjekëse serioze e të gjitha zhvillimeve politike në Shqipëri dhe në botë dhe nuk kursehet të jap fjalën e saj kur  flitet për interesat kombëtare. Madje, mund të them me plot gojën se aktivitet e saj janë aq të mirëorganizuara saqë mund të them se sot ajo është kthyer në një institucion të mirëfilltë kulturor, që gjithkush e ka zili. Këtë vit ne shqiptarët kemi një festë të madhe. Kemi 70-vjetorin e fitores mbi antifashizmin. Kjo luftë është një nga luftërat më të shkëlqyera të popullit tonë. Kjo ditë duhet festuar ashtu siç i takon, pasi edhe popujt e tjerë që morën pjesë në koalicionin fitimtar e kujtojnë këtë ditë. Këtë luftë e bëri populli shqiptar dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë individi. Labëria në këtë luftë ka meritën më të madhe, pasi nga kjo trevë dolën shumë heronj dhe luftëtarë të zotë. Për më tej dua të theksoj se gjendemi në një situatë politike, ku në shumë raste politika tregohet e papërgjegjshme dhe të zezën e shet për të bardhë, gënjeshtrën për të drejtë, antiligjoren, si të ligjshme, të papastrën për të pastër. Këto nuk duhet ti falim. Vetëm e drejta dhe e vërteta i bashkon njerëzit. Një plagë e madhe e shoqërisë shqiptare është dhe korrupsioni. Ku ka korrupsion nuk ka demokraci. Sot duket sikur lufta ndaj këtij fenomeni është i pamundshëm. Por ne nuk duhet të bëhemi pre e tij. Të gjithë duhet të kontribuojmë në luftën ndaj tij. Të gjithë duhet të edukohemi ta luftojmë këtë të keqe të madhe që ka kapur çdo qelizë të trupit shqiptar. Një e keqe tjetër e madhe është arroganca e qeverisjeve shqiptare. Pushtetarët shqiptarë mendojnë se shteti dhe strukturat e tyre janë pronë e qeverive. Kjo e ka dëmtuar shumë imazhin e Shqipërisë. Kjo lloj arrogance nuk mund të pranohet në një shoqëri që pretendohet se është demokratike. Ne shqiptarët duhet të kemi një ideal, të kemi një dëshirë, të ecim përpara që të integrohemi në Europë.

….

Simon Miraka/ Kryetari i Parlamentit aprovon në heshtje brohoritjet për diktatorin.

(Kryetari i shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve Politike)

Ende jam i shokuar nga ngjarja me rastin e 70 -vjetorit të kongresit të Përmetit, jo për thirrjet e disa mjeranëve që bërtisnin Enver Hoxha, rroftë partia komuniste, se sa miratimi në heshtje i kryetarit të parlamentit, zotit Meta. Kryetari i parlamentit përballë kishte portretin e Enverit, te mbajtur mjaft lart, e nuk mund të justifikohet se nuk e pa, ashtu siç bëri ministri Naço, kur u përul përpara portretit të diktatorit. Ndërsa kryetari i bashkisë së Përmetit, për grushtin lart të fëmijëve te varrezat e dëshmorëve, fajësoi një punonjës të bashkisë se i kishte mësuar. Francezët kanë një shprehje: “Kush mundohet të shfajësohet, ngarkohet me më shumë faj”. Ajo që më çuditë më shumë është pyetja që i bëj vetes pse jemi të prirur të shkojmë nga e keqja?Ata që bërtisnin rroftë partia komuniste, Enver Hoxha i kuptoj, janë pjesë e atij krimi që ndodhi gjatë asaj periudhe 45 vjeçare ku u vranë njerëz të pafajshëm,u burgosën e u internuan vetëm e vetëm se donin një Shqipëri të lirë e demokratike. Pra, këtë ditë që gëzojmë ne sot. Është ajo liri që iu dha dhe ju mundësin të jeni në demokraci, z. Kryetar i Parlamentit. Do kishte qenë shumë dinjitoze nëse ju me të parë foton e diktatorit, të kishit lenë sallën bashkë me kryetarin e bashkisë etj.. Le të kthehemi dhe te kongresi, ky kongres hodhi themelet e diktaturës, luftën e klasave. Nuk e kuptoj pse duhet të festohet me madhështi! Ne përulemi me respekt ndajë të gjithë atyre që ranë në luftë kundra fashizmit. Ata janë të pavdekshëm. Ky kongres tradhtoi aleatet dhe e futi Shqipërinë në errësirën e plotë të diktaturës, duke e shkëputur Shqipërinë nga Europa e lirë. Gjithë bota e demokratike filloi rindërtimin e vendit, Shqipëria komuniste filloi ndërtimin e burgjeve e kampeve, ktheu vendin në një shtet burg. Atëherë, cila është madhështia e kongresit? Nëse do kishte qenë Enveri gjallë ju ditë lindjen nuk do e festonit dot as me gjashtë vetë, e jo më me gjashtëqind. Që ka simpatizantë diktatori kjo nuk më çuditë! Por, kur në ceremoni zyrtare shfaqet portreti i tij dhe dëgjohen thirrje për diktatorin në prezencën e qeveritarëve më të lartë, atëherë shqetësimi është i madh .QUO VADIS SHQIPËRI!. Ne jemi në demokraci e këto shfaqje për një vend që aspiron Europën janë të dënueshme.

****

Historia duhet të vlerësohet në mënyrë objektive dhe konstruktive, pa komplekse dhe paragjykime politike

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta u vu në dijeni të deklaratave të deputetit Sali Berisha, ish-kryeministër, në rrjetin social Facebook. Deputeti Sali Berisha pretendonte se, festimet për 70 vjetorin e Kongresit të Përmetit janë “…një akt i shëmtuar, provokacion i ulët i regjimit punisto-mafioz…”. Zëdhënësi i Kryetarit të Kuvendit është i autorizuar të pohojë se, zoti Ilir Meta e lexoi si dhe herë të tjera, me keqardhje, vëmendje, kureshtje, por pa habi, deklaratën e deputetit Berisha, pa pritur të gjejë qëndrim të ri në atë deklarim. Edhe në këtë rast, ekstremet u puqën. Në të njëjtën kohë, u formuluan dy akuza ekstreme; të parët komunistët që pretenduan se, Kryetari i Kuvendit nuk respekton ish-diktatorin komunist dhe ish-kryeministri, i vetëkonsideruar si antikomunist, që gjykon se po ringjallet fryma enveriste. Parullat komuniste dhe shfaqja e portreteve të Hoxhës në datën 24 maj në Përmet nuk kanë të bëjnë aspak me ndonjë pozicionim të mundshëm të Kryetarit të Kuvendit dhe nuk kanë gjithashtu asnjë lidhje me aktivitetin e tij në përkujtim të Kongresit të Përmetit. Zëdhënësi i Kryetarit të Kuvendit konfirmon se, qëndrimi i zotit Ilir Meta ndaj historisë së Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare nuk ka të bëjë me figura të veçanta. Qëndrimi i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë është një vlerësim i vendosur dhe pa kompromis i kësaj lufte që e rreshtoi Shqipërinë si fitimtare në radhët e koalicionit të madh antifashist ndërkombëtar. Ajo është dëshmi se, në vitet errët të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e bënë mençurisht zgjedhjen e tyre: ishte një zgjedhje e zgjidhje në emër të patriotizmit, të nacionalizmit, në emër të lirisë dhe luftës kundër pushtuesit. Si e tillë, lufta dhe dëshmorët e atdheut, martirët që ranë për liri dhe veteranët e luftës, meritojnë lavdi dhe mirënjohje të përhershme. Fatkeqësisht, çfarë ndodhi më pas në Shqipëri dhe në gjysmën e Europës, është një çështje tjetër që varej shumë pak nga Shqipëria dhe shqiptarët; ajo tejkalonte kufijtë e Shqipërisë dhe të vullnetit të shqiptarëve. Hapja ciklike e debateve të tilla është mjaft e dëmshme, është tërësisht e panevojshme dhe është e padobishme. Ato tentojnë ta rifusin sërish Shqipërinë të ndarë në dy llogore antagoniste. Kryetari i Kuvendit beson se, në gjykimin e historisë dhe mbi historinë nevojitet qetësi dhe ekuilibër, nevojitet maturi e vetëpërmbajtje dhe jo urrejtje ekstremiste nga e shkuara që tenton të mbartet dhe në të sotmen. Historia duhet të vlerësohet në mënyrë objektive dhe konstruktive, pa komplekse dhe paragjykime politike. Historia e djeshme e Shqipërisë, njëlloj si fotot e sotme të rrjetit social “Facebook”, ku edhe deputeti Berisha është mjaft aktiv, nuk e pranon retushimin mbi baza dhe paragjykime politike.

Emiljano ALEKSI (Zëdhënësi i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir META)