Rekorde Kombëtare 116 Rekorde, 16 medalje Ndërkombëtare.

943
Sigal

 Intervista : Flet Legjenda e peshëngritjes shqiptare & Nderi i Kombit, Faruk Kalleshi . . .

… Faruk Kalleshi lindi më 1945, në qytetin e bukur të Shkodrës. Që në fëmijëri i pëlqente arti , e bukura dhe sporti. Në një intervistë ndryshe dhe ekskluzive për Telegraf, Faruk Kalleshi, sot 70 vjeç rrëfen me detaje fëmijërinë e tij, lidhjen me familjen, ambiciet, sfidat, dashurinë e madhe për sportin dhe rrugën drejt suksesit . . .

Diçka për fëmijërinë tuaj, ku lindi dhe u rrit Faruku ?
Kam lindur në qytetin e Shkodrës më 06 dhjetor 1945.
Jam djali i tretë ndërmjet 4 vëllezërve. Nëna ime Adlija, ishte me origjinë nga Podgorica ndërsa babai im Xhemali, ishte shkodran.

Kur dhe si e preku shtangën për herë të parë?
Isha ne palestrën e qytetit, po stërvitesha me grupin e akrobatëve, në atë moment në palestër hyn ish- trajneri Njazi Bushati. Më shikon me shumë vëmendje dhe menjëherë pyet trajnerin e akrobacisë se i kujt është ky djalosh trup-bukur dhe shumë i fortë,. Ai i përgjigjet i Xhemal Kalleshit. Njaziu buzagaz menjëherë thotë : Xhemali (babai im) është kampioni i parë i peshëngritjes shqiptare në vitin 1951. Në atë çast i lind ideja për të më tërhequr në sportin e peshëngritjes duke më thënë se do të bëhesh një kampion dhe rekordmen. Mbas pak ditësh fillova të provoja shtangën dhe në tentativën e parë, më thotë: me një muaj stërvitje ti do të jesh kampion i Shqipërisë. Kështu ndodhi dhe mbas cirkut bëja stërvitje në shtangë që të mësoja teknikën. Pas dy muajsh, debutoj për herë të parë në Kampionatin Kombëtar për të rritur duke u shpallur Kampion Kombëtar si dhe vendosa 4 Rekorde të reja Kombëtare. Marr shumë përgëzime dhe urime nga drejtuesit e garave të asaj kohe, duke më thënë: Lindi një talent i ri.

Cili ishte ai që të përkrahu në rrugën tuaj si shtangist?

Në fillim përkrahjen më të madhe e kisha nga babai im, Xhemali, i cili vetë kishte qënë shtangist dhe kampion i Shqipërisë. Më pas, kontribut të madh më ka dhënë bashkeshortja ime Liljana, që gjatë gjithë karrierës sime e kam patur pranë si dhe duke më dhënë një qetësi gjatë gjithë kohës që unë stërvitesha dhe ushtroja sportin e shtangës.

Me çfarë klubi filloi aktivitetin Faruku?

Aktivitetin si shtangist e fillova pranë Klubit Sportiv “Vllaznia”, ku menjëherë më afruan kushte duke më dhënë trajtim ushqimor, më përmirësuan bazën materiale dhe nga gara në garë rezultatet erdhën ne rritje. Pas dy vitesh, kaloj si sportist tek Klubi Sportiv Partizani për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak, një ambjent plot me kampionë dhe rekordmenë si: Sejdin Gjoni, Fehmi Telegrafi, Vehap Xhindolli, Shefqet Pasmaciu, Bujar Bodinaku. Nën drejtimin e trajnerit Sejdin Gjoni gjatë tre viteve ushtri kam përmirësuar 38 rekorde kombëtare dhe jam shpallur fitues i anketës së 5 sportistëve më të mirë të vitit 1966.

Cila ka qenë fitorja e parë dhe sa kg keni ngitur në përballjen e parë?
Fitorja e parë ka qënë në vitin 1964 në Berat në Kampionatin Kombëtar.

-Kur dolët kampion për herë të parë dhe ku?
Po , në Berat në Kampionatin Kombëtar, në vitin 1964.

-Sa rekorde kombëtare dhe ndërkombëtare ka Faruku?
Rekorde Kombëtare 116 Rekorde, 16 medalje Ndërkombëtare.

-Kur e keni ndjerë më keq veten në ndeshje ndërkombëtare dhe pse?
Kam zhvilluar një garë në vitin 1970, Kam tentuar që të thyej Rekordin Botëror. Pallati i Sportit i mbushur plot e për plotë me shumë dashamirës të ardhur nga e gjithë Shqipëria. Duke njohur karakterin tim ishin të bindur se do të isha rekordmeni i ri botëror, por dalja në sallë me emocionoi shumë nga brohoritjet duke thirrur Kalleshi, Kalleshi….duke bërë që mos të arrij thyerjen e tij dhe të ngel 5 kg larg rekordit botëror.

-Sa medalje ka fituar gjithsej Faruku në jetën e tij?
Janë mbi 100 medalje …

-Jashtë shtetit cila ka qenë rezultati më i mirë?
Fitues i tre medaljeve të arta në turneun e 100 vjetorit të Ataturkut në Ankara.

A keni qenë i vlerësuar nga regjimi komunsit?

Nisur nga të gjithë arritjet që kam patur më kane respektuar të gjithë në atë kohë.
Vetë fakti tregon se kam fituar 6 herë anketën e 10 sportistëve më të mirë në vitet 1966, 1970, 1973, 1978, 1979, 1981, pra 15 vjet konkurrues në anketat e 10 sportistëve më të mirë, më jetëgjati në harkun kohor.
Në vitin 1998, jam shpallur fitues i Super Anketës së 10 Sportistëve më të mirë të Shekullit të Sportit Shqiptar

Çfarë të veçante ka Faruk Kalleshi?
E fillova dhe e përfundova peshngritjen si Kampion për 21 vjet rradhazi (1964-1984).

b) Mbyll karrieren ne Spartakiaden e Peste Kombetare me tre Medalje Ari ne moshen 39-vjecare.

c) E fillova dhe e përfundova si Anetar i Ekipit Kombëtar të Peshëngritjes për 21 vjet rradhazi (1964-1984).

d) Jam shpallur fitues i Medaljeve të Arta në Katër Spartakiadat Kombëtare (1969, 1974, 1979, 1984).

e) Kam thyer 116 Rekorde Kombëtare

f) Brenda një harku kohor prej 11 muajsh stërvitje kam arritur si trajner që të shpall Nënkampione Europe Romela Begaj.

-Si ka qenë stërvitja dhe trajtimi I peshëngritrësve në regjimin komunist?
Trajtimi ushqimor ka qëne i mirë, baza materiale e dobët si dhe eksperienca e vogël për arsye izolimi.

-Djalit tend a ja keni transmetuar për tu marrë me peshëngritje?
Jo, pasi prirjet e tij kanë qenë në një fushë tjeter.

Po sot si është sporti i peshëngritjes në Shqipëri?
Jam shkëputur aktualisht nga sporti, kam shumë kontakte me sportistët cilësor dhe kam dëgjuar për shumë probleme të mëdha të tyre në ushtrimin e këtij sporti.

-A ju ka ngelur ndonjë peng nga sporti i peshëngritjes?
Momenti që nuk arrita të thyej Rekordin Botëror, pasi të tjerat të gjitha i kam realizuar si sportist dhe si trajner.

 Diçka më tepër rreth familjes tuaj, mund të na tregoni?

 Unë kam një bashkëshorte të mrekullueshme, Liljanën, “Mjeshtre e madhe” dhe akrobate profesioniste dhe dy fëmijë të talentuar.

 Prej vitesh drejtoni qëndrën Kalleshi Center …
Është e vërtetë, Se bashku me bashkëshorten time Liljanën dhe fëmijët e mi dhe jemi të kënaqur nga frytet e punës tonë.

Kohët e fundit morët titullin e lartë “Nderi i Kombit” a ndiheni i vlerësuar dhe i emocionuar me këtë medalje kaq të lartë?
Mendoj se vlerësimi ka qënë i drejtë nisur nga arritjet tepër të larta si sportist dhe si trajner. Do te falënderoj shumë Qarkun e Shkodrës të cilët me një propozim unanim propozuan për këtë titull, gjithashtu z. Bamir Topi i cili vlerësoi punën time duke më nderuar me këtë Titull të Lartë.