Rehabilitohen kuislingët dhe tradhëtarët e pavarësisë

488
Sigal

Me iniciativë të Fate Velajt, Këshilltar i Kryeministrit, po përgatitet rehabilitimi i Qazim Bej Vlorës. Kundërshtojnë historianët e intelektualët Sabit Brokaj, Bardhosh Gaçe e Dalan Buxheli

 Sjellja e eshtrave nga Vjena e Austrisë dhe varrosja në Kaninë të Vlorës, shoqëruar me ceremoni zyrtare, shënon rehabilitimin e Qazim Bej Vlorës, ish-ministër në qeverinë kuislinge dhe i njohur deri sot si kolaboracionist e bashkëpunëtor i pushtuesve të vendit. Një fakt i tillë, sipas burimeve në qarqet intelektuale të Vlorës, që është bërë temë e debateve të ashpra në komunitetin vendas, është iniciuar nga Fate Velaj, këshilltari për kulturën i Kryeministrit Edi Rama. Edhe pse zyrtarisht nuk mund të gjendet një dokument i tillë, burimet e besueshme konfirmojnë për sa më sipër dhe shtojnë se kanë nisur dhe përgatitjet. Historianë dhe intelektualë, të kontaktuar nga gazeta “Telegraf”, janë kundër ceremonive e rehabilitimit zyrtar të një figure të tillë, ndërkohë që, e quajnë plotësisht të drejtë, njerëzore, sjelljen e eshtrave në vendlindje dhe ceremoni private. Redaksia e gazetës “Telegraf” tentoi disa herë mbrëmë që të kontaktonte në linjë telefonike për këtë problem me këshilltarin e Kryeministrit Fate Velaj, në mënyrë që të merrnim dhe mendimin e tij, por qe e pamundur, por ai nuk e hapte telefonin.

REHABILITIMI

Disa informacione të ardhura në redaksinë e gazetës konfirmojnë faktin e mësipërm, duke dhënë detaje dhe për rehabilitimin e pritshëm zyrtar të Eqerem Bej Vlorës. “Kjo bëhet me iniciativën e këshilltarit të Kryeministrit për kulturën, Fate Velajn. Përflitet se është në plan sjellja e eshtrave të Eqerem Bej Vlorës nga Vjena e Austrisë për t’u varrosur në Kaninë të Vlorës. Shtohet, gjithashtu se, do të ketë ceremoni zyrtare, gjë që shënon dhe rehabilitimin zyrtar të kësaj figure me shumë dritë-hije, që nga Shpallja e Pavarësisë e deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore”,-konfirmojnë burimet për “Telegraf”.

Ndërkohë, në pjesën dërmuese të komunitetit vlonjat, rehabilitimi i përfolur i kësaj figure, ka ngjallur reagime të ashpra. Në këtë kuadër, gazeta mori dhe prononcimet e tre intelektualëve të njohur, përkatësisht Sabit Brokajt, Bardhosh Gaçes dhe Dalan Buxhelit.

Sabit Brokaj: Nuk mund të rehabilitohet

një bashkëpunëtor i fashizmit!

Këto ditë pritet që në Vlorë të rehabilitohet Eqerem Bej Vlora, një personazh që është diskutuar shumë gjatë Luftës Nacional Çlirimtare. Ai midis të tjerave është përmendur si një bashkëpunëtor i fashizmit. Për këtë figurë nga shumë intelektualë ka mendime të ndryshme. Midis të tjerave Dr. Sabit Brokaj në një bisedë telefonike thekson se: “Nuk mund të rehabilitohet një bashkëpunëtor i fashizmit”. Sipas Brokajt për këtë figurë duhet diskutuar shumë dhe të bëhen biseda të gjata.

-Ky është mendimi im paraprak thekson ai,- duke mos lënë shteg për rehabilitim.

Bardhosh Gaçe: Europa i ka dënuar kolaboracionistët!

Për historianin e njohur Bardhosh Gaçe, ceremoni private mund të organizojë kushdo, por ceremoni zyrtare e rehabilitim, Eqerem Vlorës nuk ka pse i bëhet, pasi ai ishte kolaboracionist, bashkëpunëtor me pushtuesin. “Po flitet këto ditë se mund të sillen në vendlindje eshtrat e Eqerem Bej Vlorës e se do të ketë dhe një ceremoni… Nuk di se kush e bën… Rivlerësim i figurave duhet bërë, por mbi faktet historike. Eqerem Vlora, ka qenë kolaboracionist, bashkëpunëtor i pushtuesve të vendit.  Ka pasur nëpër Europë nja 7 dashnore, ka dhe një varr atje, në Vjenë të Austrisë. Shqipëria në fund të Luftës së Dytë Botërore, u rendit në kampin e fitimtarëve, ndërsa kolaboracionistët, i dënoi gjithë Europa. Si shqiptar që është, atij takon një varr në vendlindje, ndoshta dhe ceremoni. Por të ketë një ceremoni zyrtare, një rehabilitim, nuk është e drejtë. Ceremoni familjare, private apo dhe të atyre personave që janë të interesuar, sigurisht që i takon dhe mund t’ia bëj kush të dojë!”

Dalan Buxheli: Ka qenë kuisling,

bashkëpunëtor i pushtuesve!

Kundër rehabilitimit zyrtar të Eqerem Bej Vlorës, është dhe Dalan Buxheli. Sipas tij, ai ka qenë një kuisling, ka punuar e luftuar krah pushtuesve të vendit dhe nuk meriton vlerësime zyrtare. “Kemi dëgjuar dhe flitet këto ditë për rehabilitimin e Eqerem Bej Vlorës, bile dhe se do i bëhet dhe një ceremoni zyrtare. Ai është një figurë me shumë dritë-hije. Në vitin 1920, kryengritësit i shkuan dhe e takuan Eqerem Vlorën, atje ku ishte me komandantin e forcave pushtuese italiane dhe i kërkuan t’i thoshte të paftuarit të largohej bashkë me forca, pasi populli po e pret me armë. Eqerem Vlora iu drejtua bashkëkombësve: “Pse, ju me këta dyfekë me gjalmë do i largoni italianët!”. Por dihet se Vlora e shqiptarët i hodhën italianët në det në vitin 1920. Eqerem Bej Vlorës, i ngeli vetëm të shprehë habinë: “Si është e mundur!?”. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ai bashkëpunoi me fashizmin, është kolaboracionist. Si ministër që ishte, ka firmosur dënime e pushkatime të luftëtarëve të lirisë. Në gjithë botën, kolaboracionistët janë dënuar. Ceremoni zyrtare rehabilitimi nuk ka pse i bëhen, private, është e drejta e të interesuarve”.

KUSH ËSHTË EQEREM BEJ VLORA

Eqrem bej Vlora u lind në Vlorë më 1 dhjetor 1885. Familja e tij ishte një nga familjet më të pasura të jugut të Shqipërisë… Mes viteve 1891-1896, kreu studimet elementare dhe gjimnazin me profesor privat. 1900-1906, Studimet liceale dhe universitare K.U.K. Theresianum, Akademia Orientale Vjenë. Studioi për drejtësi dhe teologji në Stamboll në 1904. Më 1906, Sekretar i gradës së III në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane, Stamboll. 1907, Sekretar i gradës së III në Ambasadën e Perandorisë Otomane në Shën Petërburg për tre muaj. 1909, Sekretar i II në zyrën e përkthimeve Ministria e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane-Stamboll…. Gjatë Luftërave Ballkanike ai shërbeu si komandant i batalionit territorial të Vlorës me gradën major në rezervë… Në 1912, u bë zëvendës president i Senatit-Pleqësisë ndonëse 27- vjeçar. Më vonë, ai ishte pjesëtar i dërgatës (si përfaqësues i Tiranës e Shijakut) për në Neuwied të takonin Princ Vidin, i cili ishte zgjedhur për të mbretëruar në Shqipëri. I atashohet Princit Vid si sekretar dhe përkthyes. 1914, Zv/Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme Shqiptare. Gjatë qeverive kolaboracioniste ishte bashkë me Dimitri Poppan dhe Gjon Gjon Markun një nga tre anëtarët shqiptarët të Këshillit të Kancelarisë së Urdhrave “Besa” dhe “Skënderbeu” nën sovranitetin e mbretit të Italisë… Në 7 maj 1942, Mustafa Kruja e emëroi atë ministër për Kosovën, Dibrën, Plavën e Gucinë që iu bashkuan Shqipërisë “së vjetër”… Në verën e vitit 1944, ai u bë ministër i Jashtëm para se të shkonte në mërgim në Itali gjatë pushtimit komunist… Eqrem Bej Vlora vdiq në Vjenë në vitin 1964, eshtrat e tij prehen në varrezat Neustift am Walde të kryeqytetit austriak… Ka këto tituj: 1904—Kalorës i Urdhrit Takovo të Serbisë. 1906—Klas III i Urdhrit Otoman të Mexhidies. 1907—Kalorës i Urdhrit të Leopoldit Belgjikë. 1908—Medalje e fushatës Edzekaz. 1914—Komandar i Urdhrit të Shqiponjës së Zezë të Shqipërisë. 1927—Oficer i Kurorës së Italisë. 1934—Oficer i Urdhrit Karagjergjoviç. 1935—Oficer i Yllit të Rumanisë. 1942—Kordon i madh i Urdhrit të Skënderbeut… Më 1921, Kandidat për Kryetar i Bashkisë Vlorë… Eqrem bej Vlora renditet në atë grup njerëzish që më vonë do etiketoheshin si “kolaboracionistë”. Me Dekret Mëkambësor nr. 333, datë 3 dhjetor 1941, në Qeverinë e Tiranës u krijue Ministria e Tokave të Lirueme, e cila ekzistoi deri në shkurt 1943. Më 1921, Kandidat për Kryetar i Bashkisë Vlorë… Eqrem bej Vlora renditet në atë grup njerëzish që më vonë do etiketoheshin si “kolaboracionistë”. Me Dekret Mëkambësor nr. 333, datë 3 dhjetor 1941, në Qeverinë e Tiranës u krijua Ministria e Tokave të Lirueme, e cila ekzistoi deri në shkurt 1943. Eqrem Bej Vlora vdiq në Vjenë në vitin 1964, eshtrat e tij prehen në varrezat Neustift am Walde të kryeqytetit austriak.