Reforma zgjedhore, Maliqi: Votoj pro nëse ka marrëveshje maxhorancë-opozitë e bashkuar

299
Sigal

Deputeti i opozitës parlamentare, Lefter Maliqi, do të votojë pro marrëveshjes opozitë-maxhorancë për reformën zgjedhore, nëse ka një të tillë. Në një intervistë Maliqi tha se do të votojë për një marrëveshje të tillë që arrihet me ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve.

“Unë e kam thënë që mbetem për sistem me lista të hapura, madje edhe për maxhoritar të hapur. Por gjithsesi më vjen keq që partitë e mëdha nuk kërkojnë ndryshim sistemi. Ka krizë mosbesimi te elektorati në bazë. Por nëse ka një marrëveshje politike mes opozitës dhe maxhorancës, nën ndikimin e faktorit ndërkombëtar, do të votoj këtë marrëveshje”, tha ai.

Në këtë mënyrë, Maliqi distancohet nga ajo që është cilësuar si opozita e re, e cila kërkon ndryshim të sistemit. Këtë distancim, ai e ripërsëriti edhe gjatë intervistës, duke theksuar se nuk përfaqëson opozitën e re, të cilën e etiketoi si një trupë humoristike në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

“Unë nuk përfaqësoj opozitën e re. Mbështes opozitën që ka dalë nga Parlamenti. Ky i fundit është kthyer në një shou që po i shërben interesave të një klani të vogël oligarkësh rreth kryeministrit Rama”, tha ai.

Maliqi theksoi se nuk do të votojë ndryshime në Kodin Zgjedhor, nëse ato bëhen pa dakordësinë e opozitës.

“Në të kundërt, nëse do të përdorin forcën e kartonave të këtij parlamenti të kapur për të votuar ndryshime në Kodin Zgjedhor pa negociata, do të jem kundër”, tha ai.