Lufta për fushën e futbollit, si luftë për pavarësi/ Si po tenton “lobi i Librazhdit” të komandojë edhe Prrenjasin

576
Sigal

Përplasja mes Taulant Ballës dhe Miranda Rirës, jo vetëm personale dhe politike. Në “lojë” nuk është vetëm një fushë sporti dhe jo vetëm bashkia, por vetëqeverisja e qytetit.

Një impiant modest sportiv në qytetin e vogël të Prrenjasit u shndërrua në histori kombëtare. Politikanët dhe mediat nisën të flasin për abuzime financiare, ndërkohë që nuk kishte ende një kontratë me firmën private që do të ndërtonte impiantin.

Janë vetëm 800 milionë lekë të vjetra, ose rreth 650 mijë euro. 12 herë më pak se sa ka kushtuar stadiumi i Elbasanit. 60 herë më pak se sa ka kushtuar stadiumi i Shkodrës dhe 120 herë më pak se sa stadiumi i ri që do të ngrihet në kryeqytet.

Por, edhe pse modest, impianti i ri sportiv është bërë “i famshëm” ende pa filluar ndërtimi. Historinë e ka rrëfyer kryetarja e Bashkisë së Prrenjasit, Miranda Rira, e cila ka akuzuar direkt deputetin e Librazhdit, Taulant Balla, se ka penguar me çdo formë dhe mënyrë ndërtimin e fushës së re të sportit.

Sipas kryebashkiakes Rira, qëllimi është thjesht një luftë politike, më qëllim që të hidhet baltë mbi kryebashkiaken e LSI-së dhe që Prrenjasi të rikthehet në “tepsinë” e Partisë Socialiste.

Miranda Rira citon edhe deklaratat e deputetit Taulant Balla, në takime por edhe në biseda jozyrtare, që ka thënë troç se “nëse realizohet edhe ky projekt, bashkinë e Prrenjasit e ka të humbur”. Ajo që po ndodh me Prrenjasin është e qartë: Në dy vitet e para, kur PS dhe LSI ishin në koalicion, projektet e kryetares së bashkisë ishin shumë të mira dhe u mbështetën financiarisht nga qeveria, ndërsa në dy vitet e opozitës, është bllokuar me çdo kusht dhe me çdo mënyrë.

Pra, lufta politike është e shtrirë jo vetëm në një konflikt personal ndërmjet kryetares Rira dhe deputetit Balla, por edhe më gjerë akoma, ndërmjet Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të dyja forca politike të majta por herë në miqësi dhe herë në armiqësi.

Dhe sot, më armiq se kurrë. Por çështja e një fushe futbolli është ndoshta edhe më e thellë se një konflikt Rira-Balla apo PS-LSI. Nëse do të mbledhim bashkë disa fakte, do të shohim se beteja për fushën e sportit nuk është vetëm politike, por edhe një betejë për pavarësi. Në bashkinë e Prrenjasit të flasin gjatë për përpjekjet që po bëjnë për të marrë në administrim ujësjellësin që furnizon qytetin.

Uji vjen nga burimet e famshme të Qafë-Thanës dhe tubacionet shtrihen deri në Librazhd. Por, edhe pse Prrenjasi ka burimet ujore, ujësjellësi varet nga Librazhdi. Atje ku komandon “pashai” Taulant Balla. Dhe ujësjellësi është në ditë të hallit. Uji i Prrenjasit përfundon në Librazhd, po ashtu edhe të ardhura dhe punësimet.

E njëjta situatë është edhe me spitalin e qytetit. Edhe ky institucion varet nga Librazhdi dhe është lënë në gjendje të mjerueshme. Ndërsa për fushën e futbollit, situata është edhe më problematike. Aktualisht, fusha nuk ekziston dhe skuadra “Domosdova” nuk merr pjesë në kampionat, pasi nuk ka ambiente ku të luajë dhe të bëjë stërvitje.

Por kjo nuk shqetëson asnjeri në Tiranë, as në Elbasan dhe as në Librazhd. Për të arnuar stadiumin e Librazhdit, u shpenzuan plot 1,4 milionë dollarë. Dhe erdhi vetë “pashai” Taulant Balla për ta shitur si arritje të madhe. Për një stadium të ndërtuar në kohën e komunizmit, u shpenzuan 1,4 milionë dollarë vetëm për rikonstruksion.

Dyfishi i asaj shume me të cilën Miranda Rira kërkon të bëjë impiantin sportiv të Prrenjasit, impiant i cili do të ndërtohet nga e para, duke përfshirë fushën e futbollit, shkallët për spektatorët, dhomat e zhveshjes, ndriçimin dhe të tjerë aksesorë të nevojshëm. Ndërsa për Librazhdin lekët derdhen “lumë”, Prrenjasit i bllokohen fondet.

Edhe pse u aplikua një reformë administrativo-territoriale që synonte fuqizimin e njësive të reja vendore, sërish mentaliteti i “pashait” nuk ka ndryshuar. Edhe pse komandon ujësjellësin, spitalin dhe të tjera aktivitete shtetërore në Prrenjas, Taulant Ballës i duhet edhe Bashkia e Prrenjasit.

Dhe bashkinë nuk e fiton dot përballë një kryetareje si Miranda Rira që është në gjendje të bëjë dhe të fitojë projekte për qytetin e saj, të menaxhojë të ardhurat dhe të sigurojë shërbimet për banorët. Përplasja është më e thellë se sa konflikti personal Balla-Rira dhe më e thellë se rivaliteti PS-LSI.

Taulant ballës nuk i mjaftojnë vetëm pyjet e Librazhdit për të mbushur xhepat. I duhen edhe pasuritë e Prrenjasit. Pa marrë bashkinë, nuk i shtinë dot në dorë këto pasuri. Pa përbaltur dhe thyer Miranda Rirën, nuk e merr dot në dorë bashkinë.

Dhe pa sabotuar çdo projekt të dobishëm për qytetin, nuk e përbalt dhe nuk e thyen dot Miranda Rirën. Ja pse përplasja për fushën e futbollit është më e thellë se një luftë politike. Është pjesë e asaj lufte që po bëhet përditë që Prrenjasi të vetëqeveriset dhe të mos instalohen edhe këtu hajdutët e Librazhdit. Nga Era Çela