Reforma në Drejtësi, Meta: Do të miratohet sa më shpejt paketa kushtetuese

480
Në mbledhjen e parë të komisionit të reformës në drejtësi palët kanë ndarë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të procedohet me ndryshimin e legjislacionit për gjyqësorin. Ju e mbështesni idenë që u dha dje në mbledhje se duhet të jenë ekspertë fillimisht dhe më pas çështjet politike të vijnë në tryezën e përfaqësuesve politikë? 
Kjo ka qenë vetëm mbledhja e parë e komisionit dhe natyrisht palët kanë shprehur kanë shprehur mendimet e tyre paraprake dhe jo qëndrimet përfundimtare. 
Në këtë kuadër jam i bindur që të gjithë do të punojmë për ta përfunduar me sukses miratimin sa më parë të paketës Kushtetuese për reformën në fushën e drejtësisë.
Unë mendoj që baza e konsensusit është shumë e gjerë dhe solide, sepse ajo buron nga vullneti i më shumë se 90% të qytetarëve shqiptarë për të shkundur sistemin e drejtësisë përmes një reforme të thellë. 
Së dyti, të gjithë e kanë pranuar dhe vlerësojnë raportin, rekomandimet dhe opinionit e Komisionit të Venecias si bazën e referimit dhe të certifikimit të standardeve më të mira evropiane. Tani duhet më shumë vullnet për të qenë më racional dhe për të bërë një interpretim objektiv të atyre opinioneve që ka dhënë Komisioni i Venecias për të gjitha pyetjet, çështjet dhe opinionet që i janë drejtuar. 
Kështu që kemi ende kohë dhe besoj se vullneti është i plotë për ta përmbushur me sukses këtë reformë.
Në kushtet kur PD ka sjellë një dokument me së paku 11 pika dhe ku nuk është gjetur dakordësi, a do të jetë LSI-ja forca që do t’i hapë rrugë një tryeze politike. Anëtari i LSI-së në komision e la të hapur një mundësi? E mbështesni këtë ju z. Meta, do të kërkoni një tryezë politike për të bërë të mundur më pas zhbllokimin e këtyre 11 kushteve?
Nuk kemi të bëjmë me 11 kushte sipas këndvështrimit tim. Kemi të bëjmë me 10 çështje, që Partia Demokratike synon që të zgjidhen apo të diskutohen sipas këndvështrimit që ajo ka. Që do të thotë se me më shumë durim dhe vullnet, absolutisht është e mundur që reforma të përmbyllet, pasi për çdo çështje kemi rekomandim të Komisionit të Venecias, pra për çdo çështje të diskutueshme, ku palët ndajnë mendime apo lexime të ndryshme. 
Kështu që të gjithë ata që kanë pritur që dje do të përfundonte reforma, dhe sot të miratohej në Parlament, natyrisht që nuk kanë arsye për të qenë të zhgënjyer. Sikurse theksova, dje ka qenë thjesht mbledhja e parë e këtij komisioni pas ardhjes së opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias.
Ka ende disa çështje, që thjesht kanë nevojë për një vlerësim, interpretim, lexim sa më objektiv, sa më racional dhe sa më funksional në kuadër të reformës dhe riorganizimit të sistemit të drejtësisë që duam që të realizojmë. Për këtë ne duhet t’i referohemi dhe te kërkojmë asistencën e misionit të EURALIUS-it dhe OPDAT-it, në mënyrë që të facilitojnë dialogun dhe të arrijmë në një interpretim sa më racional të opinionit të paraqitur nga Komisioni i Venecias, i cili është gjithëpranuar si udhërrëfyesi i këtij procesi. Nuk duhet të paragjykojmë dialogun dhe as të heqim dorë prej tij, sepse është e vetmja rrugë për t’u dakortësuar mbi të gjitha çështjet. Aty ku ka opinione apo qëndrime të ndryshme, të thërrasim në ndihmë EURALIUS dhe OPDAT, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë proces.
A duhet ta bëjnë fillimisht ekspertët z. Meta?
Kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Këto janë vendime, që i merr komisioni, sepse përgjegjësia për hartimin e reformës, për t’ia paraqitur për miratim Parlamentit, është e komisionit të posaçëm parlamentar të ngritur për këtë qëllim. Komisioni ka të drejtën e tij të kërkoj edhe mendim dhe angazhimin e ekspertëve.
A do të këmbëngulë LSI-ja tek propozimet e saj për reformën në drejtësi?
LSI-ja është e hapur për të dhënë kontributin e saj në përmbylljen sa më shpejt të këtij procesi. Me konsensus dhe sipas standardeve të Venecias. LSI nuk çedon në këtë reformë, sepse kjo reformë duhet bërë dhe nuk ka alternativë tjetër për vendin, përveç realizimit të kësaj reforme.
Ju besoj e vutë re, dhe përfaqësuesi i nderuar nga Bundestagu gjerman, por dhe të gjithë përfaqësuesit që kanë ardhur dhe që vijnë në Shqipëri, e presin me interesim dhe padurim lajmin që paketa kushtetuese për reformën në drejtësi u miratua në Kuvendin e Shqipërisë, sepse ky do të ishte jo vetëm një sinjal i fortë që reforma po ecën, por njëkohësisht do të ishte një argument shumë i mirë për të gjithë ata të cilët në këto kohë të vështira për Europën, për shkak të shumë sfidave të tjera, kërkojnë që procesi i zgjerimit të vazhdojë dhe Shqipëria të jetë një shembull suksesi në këtë drejtim.
Megjithatë nuk duken aq afër palët. Marr parasysh lëvizjet e ambasadorëve Donald Lu dhe znj. Vlahutin. Dje në takime ju sot, pasdite me z. Basha, sot me z. Xhafaj. Cili ka qenë qëndrimi i tyre dhe cili është misioni i tyre tashmë?
Unë mendoj se angazhimi i tyre është mjaft konstruktiv dhe tepër kontribuues për të krijuar një klimë sa më pozitive, mirëbesimi midis palëve. Ndaj shpreh vlerësimin tim maksimal për angazhimin dhe kontributin e tyre. 
Sigal