Reforma në Drejtësi, Halimi: Ekspertët vendas, funksionarë politikë të kohës së diktaturës

467
Deputeti demokrat Eduard Halimi i është përgjigjur po përmes një deklarate Kryetarit të Komisionit Parlamentar për reformën në Drejtësi, socialistit Fatmir Xhafaj, në lidhje me ecurinë e kësaj reforme. Ndërsa i ka dalë në krah Presidentit Nishani në lidhje me akuzat e tij se reformën në drejtësi po e drejtojnë militantë partiakë, Halimi tha se reforma në drejtësi është jetike për vendin dhe të ardhmen europiane. “Presidenti i Republikës tha të vërtetën për ekspertët vendas, pasi të gjithë e dinë se ata kanë qenë funksionarë politikë të kohës së komunizmit dhe qeverive socialiste, militantë ekstremistë të historisë së Partisë së Punës dhe komunizmit, ish gjyqtarë të komunizmit me dënime të tmershme ndaj qytetarëve apo gjyqtarë të kapur e militantë sa herë PS vjen në pushtet. 

Ti thuash qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtare se këta janë specialistë të pavarur nuk e ndihmon procesin. Ndihmon partinë, por jo reformen, shpërblen shokët e miqtë e partisë dhe kryetarit por jo drejtësinë. Të sulmosh Presidentin kur ai thotë të vërtetën ndihmon kryetarin e partisë në luftën ndaj Presidentiti por jo procesin e reformës në drejtësi. Është më e drejtë të mos jemi hipokrite e të themi të vertetat. Ata janë ekspertë të propozuar nga PS që të shprehin mendimin e PS”, tha Halimi. “Vetëm një proces transparent, gjithpërfshirës, bazuar në ekspetizën ndërkombëtare dhe i sinqertë mund të prodhojë një reformë cilesore. Një reformë me një strategji tërësore, jo të fragmetuar,të plotë dhe vizionare, jo për 3 muaj por afatgjatë sic kërkohet nga BE. Vetëm kështu mund të arrihet qëllimi për të larguar gjyqtarët e prokurorët e paaftë,të korruptuar, të përulur para pushtetit e të kapur politikisht. Vetëm kështu mund garantojme një sistëm drejtësie të fuqishëm dhe plotësisht të pavarur në interes te qytetarëve. Që të mbrojë qytetarët që nuk kanë të paguajnë dhe mos lirojë baronët e drogës që lëvizin me makinat e deputetëve miq të kryeministrit, të mbrojë fjalën e lirë dhe të dënojë agresorët edhe kur janë deputetë miq të kryeministrit”, theksoi deputeti Halimi. 

Sipas tij për ta bërë këtë reformë sa më të besueshme pritet sinqeritet dhe jo hipokrizi. Ndërsa shprehu besimin tek ekspertiza ndërkombëtare, deputeti demokrat tha se ekspertiza ndërkombetare, ndihma e jashtëzakonshme e ambasadorit USA, BE, OSCE, vigjilenca e tyre do të garantojë procesin dhe qëllimin e pritshëm të saj. “Ndaj jemi në këtë proces te reformës, më të vendosur se kurrë, jo për ti bërë makiazh drejtësisë së kapur nga mazhoranca, as për të qenë fasadë e një strategjie kapje të mëtejshme të sistemit nga mazhoranca, por me qëllimin që bashkë me garancinë dhe qëndrimin sycelet të ndërkombëtarëve, reforma të bëhet tërësore dhe të udhëhiqet nga standartet dhe ekspertiza ndërkombëtare dhe kapja politike e sistemit të drejtësisë të ndalet”, tha Halimi.
Sigal