Reagon Kryeministria për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë

442
Sigal

Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave u diskutua me shqetësim mbi ngjarjen shumë të  rëndë të grabitjes së parave në Bankën e Shqipërisë. Qeveria e konsideron këtë akt të rëndë kriminal një sfidë të madhe për drejtësinë në radhë të parë, duke nisur nga Prokuroria që duhet të bëjë një hetim të gjithanshëm, të shpejtë dhe shterues për të ndëshkuar çdo person të përfshirë në krimin tronditës. Ky akt është po ashtu një sfidë e madhe për autoritetin dhe sigurinë e Bankës së Shqipërisë, e cila brenda kuadrit të pavarësisë së vet duhet të garantojë përmes rishikimit të gjithanshëm të rregullave e mekanizmave të funksionimit të brendshëm, mospërsëritjen e asgjëje të ngjashme në të ardhmen. Por ky akt është edhe një sfidë e madhe për pushtetet e tjera vendimmarrëse, Kuvendin dhe Qeverinë, që të analizojnë e të konkludojnë në mënyrë konstruktive e në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, mbi nevojat e masat e duhura ligjore për të garantuar, në respekt të plotë të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, një sistem solid kontrolli e transparence të veprimtarisë së këtij institucioni kyç për mirëfunksionimin e shtetit shqiptar.

Viti 2014 shënoi për shqiptarët dhe Shqipërinë suksesin e madh të marrjes së statusit të vendit kandidat për Bashkimin Europian. Marrja e statusit erdhi pas kaq vitesh si pasojë e drejtpërdrejtë e vullnetit të kësaj qeverie të Aleancës për Shqipërinë Europiane, për të luftuar korrupsionin e krimin, por edhe për të respektuar dhe nxitur forcimin e pavarësisë së institucioneve që njihen nga Kushtetuta e Republikës si të tilla. Banka e Shqipërisë është njëra prej tyre.

Prandaj sot, duke mirëkuptuar shqetësimin publik për ngjarjen e rëndë në Bankën e Shqipërisë dhe duke u bashkuar me këtë shqetësim legjitim, Qeveria e Shqipërisë e çmon me rëndësi po aq të madhe qoftë nevojën e një ndëshkimi shembullor nga drejtësia për fajtorët, qoftë nevojën e një qëndrimi shembullor të saj në respekt të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë.

Qeveria i siguron të gjithë shqiptarët se po e ndjek me shumë vëmendje ecurinë e veprimit të organeve të drejtësisë për zbardhjen e plotë të krimit tronditës në Bankën e Shqipërisë dhe është e vendosur të luajë rolin e vet për çdo nisëm që do të mund të nevojitet në funksion të një sistemi të padepërtueshëm sigurie në funksionimin e bankës qendrore të shtetit shqiptar.