Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një prononcim për media pak para nisjes së seancës plenare, ka deklaruar se mazhoranca ka përgatitu skenarë për mos lejimin e debateve pas raportimit në Kuvend të 5 institucioneve të drejtësisë. Blushi shpreson se seanca e sotme, të jetë dita kur kryetarët e institucioneve të drejtësisë të bëjnë transparencë.
“Jam informuar në fillim të seancës se ka përgatitje nga ana e mazhorancës për të penguar debatet.
Fjala e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, në nisje të seancës parlamentare.
Sot është një ditë shumë e rëndësishme për llogaridhënien dhe transparencën në Kuvendin e Shqipërisë, nga ato Institucione të cilat janë jo vetëm autorë por edhe bashkautorë të shkatërrimit jo vetëm të Reformës në Drejtësi, por edhe të besimit të publikut te Drejtësia.
Vijmë sot në këtë seancë vetëm pak kohë pasi një gjyqtar u vra në sallën e gjyqit dhe ky sistem drejtësie ishte bashkautor në atë vrasje.
Por sigurisht vijmë në këtë seancë pak ditë pas publikimit të raportit të OSBE-ODIHR, i cili faktoi shkrirjen e partisë me shtetin, ndaj besoj se sot nuk duhet të ketë asnjë iluzion se këto institucione, në dukje të pavarura, në fakt do të raportojnë thjesht dhe vetëm atë çfarë Edi Rama u ka shkruar në fjalimet e tyre.
Megjithatë, dua të paralajmëroj një përpjekje të rrezikshme të Mazhorancës për të kaluar çështjen dhe të gjitha çështjet, për të kaluar direkt në votim, pa lejuar debate.
Jam informuar në fillim të kësaj seance se ka përgatitje nga ana e Mazhorancës për të penguar debatet dhe dua të ftoj të gjithë kolegët e Opozitës që sot të jetë një ditë ku këto krerët e këtyre institucioneve të japin llogari dhe të ketë transparencë për të gjitha ato akte me vetëdije dhe të qëllimshme që i kanë kontribuar unifikimit të partisë me shtetin, siç konfirmoi raporti i OSBE-ODIHR.




















