Raporti i KE, Presidenti Nishani: Është sinjal inkurajues dhe pozitiv

418
Sigal

Presidenti i
Republikës,
  Bujar Nishani priti në një
takim Ambasadoren e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, me rastin
e dorëzimit të raportit vjetor të progresit të Komisionit Evropian për
Shqipërinë si dhe Komunikatën mbi politikën e zgjerimit të BE-së. Presidenti
Nishani vlerësoi rekomandimin e sotëm të Komisionit Evropian për hapjen e
negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian pas fillimit të zbatimit të
reformës në drejtësi, çka përbën një lajm të mirë për Shqipërinë dhe për të
gjithë popullin shqiptar. Në këtë kontekst, Presidenti vlerësoi përpjekjet e
Komisionit, Parlamentit Evropian dhe të gjithë vendeve anëtare për afrimin
gjithnjë e më të madh të Shqipërisë drejt BE-së. Sipas tij, vendosja e
Shqipërisë në agjendën aktive të BE-së, është një sinjal inkurajues dhe pozitiv
si për vendin tonë ashtu edhe për rajonin ku ne gjendemi. Kreu i Shtetit
përcolli shpresën që ky rekomandim i Komisionit të marrë miratimin e vendeve
anëtare gjatë takimit që do të zhvillojë Këshilli i Ministrave, në mbështetje
të aspiratës së shqiptarëve për integrim. Presidenti Nishani gjithashtu theksoi
domosdoshmërinë për të reflektuar dhe përqendruar përpjekjet në sfidat e mëdha
që ka përpara Shqipëria, në të ardhmen e afërt të saj.