Raporti i BERZH, reagon Presidenti Meta: Kriza ekonomike shumë e thellë

295
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas raportit të zi të BERZH në lidhje me situatën ekonomike të Shqipërisë, ku gjatë këtij viti pritet të ketë një rënie prej -9 %, më e madhja në të gjithë rajonin.

Rënia e ekonomisë përveç tërmetit dhe pandemisë vjen dhe për arsye të keqqeverisjes së Edi Ramës.

Sipas presidentit Meta, raporti i BERZH na tregon krizën e thellë strukturore të ekonomisë sonë.

Reagimi i plotë i presidentit Ilir Meta:

Paralajmërimet e fundit të BERZH dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare për uljen e rritjes ekonomike të Shqipërisë, janë jo vetëm shqetësuese në një plan afatshkurtër, por dhe tregojnë krizën e thellë strukturore të ekonomisë sonë. Ndaj duhet të punohet seriozisht për të mbështetur aktivitetet ekonomike aktuale, por dhe të mendohet për të tejkaluar krizën strukturore duke rishikuar modelin ekonomik.

Modeli ekonomik duhet të mbështetet në diversifikimin e ekonomisë për të ulur riskun e krizave dhe për të siguruar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Ne duhet të punojmë për të shfrytëzuar kapacitetet potenciale të vendit tonë për të rritur prodhimin e energjisë, për të rritur vlerën e burimeve minerale dhe natyrore nëpërmjet përpunimit të tyre, për të rritur prodhimin industrial dhe për të shumëfishuar prodhimin bujqësor dhe atë agro-industrial.

Zgjerimi i kapaciteteve portuale, i rrjetit të transportit, si dhe i transmetimit të energjisë është potencialisht një mundësi tjetër për të shfrytëzuar avantazhin tonë gjeografik rajonal.

Ndërkohë që çdo politikë ekonomike dhe investimesh duhet të garantojë mbrojtjen e mjedisit si domosdoshmëri për fuqizimin e turizmit në mënyrë afatgjatë dhe me vizion.