Raporti / “Frontex” fshehu krimet greke ndaj emigrantëve

192
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Drejtori ekzekutiv i “Frontex”, Fabrice Leggeri fshehu shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve greke, gjatë trajtimit të emigrantëve që kapeshin duke hyrë ilegalisht në vend. Kjo është gjetja kryesore e një hetimi të thelluar disamujor që u ndërmor nga Parlamenti Evropian ndaj agjencisë evropiane të ruajtjes së kufijve. Raporti thotë se nga hetimi nuk u zbulua shkelje e të drejtave themelore nga ana e vetë stafit të “Frontex”, por janë gjetur raste të shumta kur kreu i kësaj agjencie, zbeh rrezikshmërinë dhe seriozitetin e incidenteve të shkaktuara nga autoritetet e vendeve anëtare.

Në një rast, punonjësit e “Frontex” në terren, kanë raportuar një situatë ekstremisht të rrezikshme nga ana e autoriteteve kufitare greke dhe e kanë raportuar atë si “Incident serioz i kategorisë 4”, që sipas këtij klasifikimi ka të bëjë me shkelje shqetësuese dhe të rënda të të drejtave themelore. Por, drejtuesi francez i “Frontex”, Fabrice Leggeri i rikategorizonte këto incidente në nivelin dy, si incidente që nuk përfshinin stafin e “Frontex” dhe urdhëronte mbylljen e hetimeve. Sipas raportit, kjo ishte skema tipike e përdorur nga “Frontex” përgjatë vitit të kaluar, ku agjencia kishte prova të shkeljeve të të drejtave themelore të emigrantëve nga autoritetet greke, por i neglizhonte ato.

Raporti gjen gjithashtu raste të panumërta dëbimesh masive me forcë në kufi, nga disa vende anëtare dhe shkelje të të drejtave të njeriut, duke shfrytëzuar masat kundër pandemisë. “Aktorë kombëtare dhe ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe organizata, raportuan vazhdimisht për shkelje të të drejtave të njeriut nga vendet anëtare, por “Frontex” i injoroi këto raportime”, thuhet në raportin hetimor. Këto shkelje nuk cilësohen rastësi, por thuhet se janë pjesë e një kulture të brendshme mbi të cilën po funksionon  “Frontex”. “Agjencia  nuk adresoi as shqetësimet e ngritura nga brenda saj për disa raste të dyshimta me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”, deklarohet në raportin e “Frontex”. Raporti hetimor u prezantua para Komitetit të të Drejtave Civile, Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme nga eurodeputetja, Tineke Strik.