Ramush Haradinaj/ Vuçiç, Rama dhe Veseli në fushatat elektorale me të njëjtën kompani. A duhet të japin llogari?

421
Sigal

Ramush Haradinaj: Vuçiç, Rama dhe Veseli me të njëjtën kompani për fushatat elektorale

 

Partia e Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zbuluar detaje jo vetëm të propozimit për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, por edhe për kompaninë që, sipas saj ka organizuar fushatën elektorale të kryeministrit Edi Rama. Sipas kryeministrit në detyrë të Kosovës, kompania që po organizon fushatën elektorale të kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit është e njëjtë me atë që ka realizuar fushatën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Haradinaj ka thënë se e njëjta kompani është punësuar edhe nga kryeministrit shqiptar, Edi Rama gjatë fushatës së fundit elektorale. “Kanë marrë një kompani të huaj. Të njëjtën kompani që e ka Vuçiç dhe Rama, e njëjta kompani po organizon edhe fushatën e Veselit. A është koincidencë kjo? Mendoj se duhet dikush të japë llogari”, deklaroi Haradinaj. Në një intervistë televizive, Haradinaj, ka folur për herë të parë edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve, duke zbuluar se Serbia ka kërkuar t’ia marrë Kosovës 950 kilometra katrorë. “Po po, Serbia ka kërkuar 950 kilometra konkretisht. Tema e ndarjes nuk është më në tavolinë, por Vuçiç e përdor ende ndarjen”, tha ai. Një skenar i ngjashëm është zbuluar edhe nga kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili ka thënë gjatë një telefonate me humoristët rusë, se, sipas këtij plani, “Kosova i jep plot 10 komuna Serbisë, në shkëmbim, të bashkimit të Luginës së Preshevës”. Nëse ky skenar do të çohej deri në fund, atëherë Kosova do të ishte humbësja më e madhe, pasi do të jepte një pjesë të konsiderueshme të territorit të saj. Haradinaj tha se Vuçiçi ende ankohet në qarqe të ndryshme diplomatike, përse Kosova nuk ka rënë dakord më këtë marrëveshje. Ai thotë se qeveria serbe është e koordinuar, por në Kosovë mungon ky bashkëpunim. “Ata dinë ta luajnë policin e mirë dhe policin e keq. Vuçiçi policin e mirë, Daçiç të keqin. Ata kanë koordinim, por ne jo. Hashimi po luan policin e mirë, por kundër vendit të tij. Unë policin e keq, por po e mbroj Kosovën”, tha Haradinaj.