Partitë e vogla “kryqëzojnë” OSBE-në: Përgjegjësi kryesore për krizën

445
Replika të ashpra mes ambasadorëve Boshard, Vlahutin dhe Lu me politikanët e forcave politike, aleate të PS-së dhe PD-së

Drejtuesit e partive të vogla sulmuan dje ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, duke e cilësuar si fajtorin kryesor për krizën aktuale të lidhur me zgjedhjet. Gjatë një takimi të përbashkët të ambasadorëve Boshard (OSBE), Vlahutin (BE) dhe Lu (SHBA) me krerët e partive të vogla ka pasur debate të ashpra lidhur me procesin zgjedhor. 

Kryetarja e grupit parlamentar të PDIU, Mesila Doda, tha pas takimit të partive të vogla me ambasadorët se kishte debatuar me diplomatin e OSBE-së në Shqipëri, sipas të cilit, tha Doda, mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje do të jetë vetëm një fjali në raportin e ODIHR-it. Sipas deputetes, kinezërira të tilla nuk kanë më vend në Shqipëri. “Anëtarët e opozitës ngritën shqetësimet e tyre dhe më pas unë pata një bisedë jo shumë miqësore me ambasadorin e OSBE, i cili ka deklaruar se mospjesëmarrja e opozitës do të jetë një problem, por do të jetë një fjali në raportin e OSBE/ODIHR, ndërsa ndryshimi i Kodit dhe kërkesa për të dhënë më shumë transparencë, administrim dhe numërim të gjitha partive parlamentare në zgjedhje, ky po do të ishte një problem shumë i madh dhe ODIHR këtë nuk do ta lejonte”, u shpreh Doda. Ajo shtoi se “kinezërira të tilla nuk e ndihmojnë procesin dhe na përjashtojnë edhe ne të tjerëve nga ky proces”. “Ose të gjithë palët do të jenë kontrollues të sistemit, ose këta zotërinj që marrin rrogën këtu në Shqipëri do të duhet të kuptojnë shumë mirë se ky vend nuk mund të kthehet dot më diktaturë dhe të mos punojnë në vendosjen e autoritarizmit dhe diktaturës në këtë vend. Këtë nuk do ta lejojmë në asnjë mënyrë”, tha Doda.

Gjithashtu, një nga deputetët e opozitës u tregua i ashpër me ambasadorët. Pas takimit ka reaguar edhe Nard Ndoka. Ai ka sulmuar ambasadorin e OSBE-së, si përgjegjësin kryesor të krizës. “I shpreha ambasadorit Lu që në kohën e komunizmit kemi votuar 99.99%, por kanë qenë të ligjshme në një sistem diktatorial. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë. Me zgjedhjen e presidentit të ri Vetingu tani ka rënë. Këto nuk janë kërkesa të PD-së, por janë standarde që edhe PD i kërkon për të gjitha partitë e tjera politike”, tha Ndoka. Sipas tij, në takim janë paraqitur edhe gabimet që kryeministri ka bërë në raport me opozitën. “Ka zhvilluar zgjedhje lokale dhe i ka manipuluar ato, nuk ka ofruar konsensus për opozitën. E vetmja rrugë është dorëheqja e Ramës që të mos kalojë në rrugë të tjera. I thashë ambasadorit të OSBE, që ti je problemi kryesor pasi ishe ti që një vit më parë që the se për votimin elektronik nuk ka kohë, ndërkohë që tani thuhet se ka kohë. Nuk ka unifikim të qëndrimeve mes SHBA-së dhe BE-së”, u shpreh Ndoka. Sipas drejtuesit, demokristian, kishte një draft në tryezë që fliste edhe për zgjedhjen e presidentit, megjithëse ky tani është fakt i kryer. “Nuk pati kërkesë për t’u futur në zgjedhje, pavarësisht se ky ishte qëllimi i këtij takimi. Sugjerimet tona ishin përtej dëshirës së tyre dhe më tepër e ndjejnë veten fajtorë të krizës. U thamë se vendi po futet në krizë të thellë për shkak se disa tyre janë treguar të njëanshëm në qëndrimet e tyre”, tha Ndoka
Sigal