Rama: Veliaj kryepunëtor, e bën Tiranën lokomotiv punësimi

446
TIRANE – Ndryshimi radikal që Erjon Veliaj i solli si ministër qasjes së qeverisë ndaj punësimit dhe mirëqenies sociale, do të vijojë edhe në shndërrimin e Tiranës. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama nga Panairi i Punës, ku theksoi se kandidati i alenacës së majtë për Bashkinë e Tiranës, do ta kthejë kryeqytetin në lokomotivë të punësimit real. 
“Është e sigurt që është një proces ku është zbuluar punëtori më i mirë i këtij qyteti dhe si i tillë ai nuk është më ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, por është kandidati i aleancës së majtë për Bashkinë e Tiranës, në mënyrë që duke vënë në krye të Tiranës një kryepunëtor Tirana të kthehet në drejtimin e duhur, të bëhet pjesë e procesit historik për një rilindje shqiptare dhe të bëhet lokomotivë e punësimit real. Duke qenë se është dita e parë që ministri nuk është më në detyrë dua t’i shpreh të gjithë mirënjohjen dhe respektin për punën e palodhur që ka bërë dhe për faktin se nën drejtimin e tij qasja e qeverisë shqiptare ndaj punësimit dhe në tërësi ndaj temës së mirëqenies sociale ndryshoi në mënyrë radikale, u vu në drejtimin e duhur dhe tani jemi në gjendje të shkojmë më tutje mbi këtë bazë solide dëshmi e së cilës është edhe ky panair i punës”, u shpreh Rama. 
Rama i përgjigjet kritikëve: Menduat se rilindja vjen vetë?! Politike juaja e ulet, por shqiptaret nuk jane budallenj
Në fjalën e tij kreu i qeverisë Edi Rama i dha përgjigje kritikave të ardhura në adresë të qeverisë si nga ana e opozitës ashtu edhe nga zëra brenda mazhorancës siç është ai i Ben Blushit. Rama tha se Shqipëria përmes reformave, ka marrë kthesën, edhe pse sipas tij, rezultatet nuk vijnë menjëherë. “Kush ka imagjinuar gabimisht se Shqipëria e rilindur ishte një punë e lehtë dhe mjaftonte të ndryshonin qeveritë, flamurin e partisë që qeveris dhe rilindja do të ndodhte vetë, ka parë një gjë që nuk ekziston. Kush përpiqet që thotë ku i keni këto, ku i keni ato i merr shqiptarët për budallenj”, theksoi Rama.
Shefi i mazhorancës e quajti politikë të ulët vrullin e akuzave ndaj qeverisë. “Politikë që nuk ka asnjë ide, asnjë program, asnjë alternativë, por ka vetëm një, rrugën e shpif-shpif se diçka do të mbetet dhe gënje-gënje se me siguri do të gjenden njerëzit që do ta hanë gënjeshtrën.”
“Sot ka një fakt, sot bilanci është i qartë. Janë në punë të regjistruar dhe i paguajmë taksa këtij shteti 93 mijë persona më shumë seç ishin 1 vit më parë. Shqipëria është kthyer në drejtimin e duhur, por ka ende shumë-shumë punë për të bërë. Shqipëria është larg të qenit vend që papunësia është një problem i zgjidhur. Papunësia e të rinjve është një plagë e hapur edhe në shumë nga vendet e BE, mjafton të shikojmë fqinjin tonë Italinë. Shqipëria ende nuk ofron mundësi të barabarta dhe punësim real për të gjithë. Por siç tregojnë historitë jetësore të mijëra e mijëra njerëzve që sot janë në punë dhe 18 muaj më parë nuk ishin punë, Shqipëria sot po merr kthesën në rrugën e duhur. Kush ka imagjinuar gabimisht se Shqipëria e rilindur ishte një punë e lehtë dhe mjaftonte të ndryshonin qeveritë, flamurin e partisë që qeveris dhe rilindja do të ndodhte vetë, ka parë një gjë që nuk ekziston. Kush përpiqet që thotë ku i keni këto, ku i keni ato i merr shqiptarët për budallenj. Duke shfrytëzuar problemet reale dhe një dëshpërim që është real të bëjë politikën e llojit më të ulët, politikën që nuk ka asnjë ide, asnjë program, asnjë alternativë, por ka vetëm një, rrugën e shpif-shpif se diçka do të mbetet dhe gënje-gënje se me siguri do të gjenden njerëzit që do ta hanë gënjeshtrën.”
Rezultatet e reformave nuk vijnë as të gjitha menjëherë dhe as kur procesi është në fazën e operacionit të vet ashtu siç vijnë kur organizmi fillon të gjenerohet.
Kjo reformë rrënjësore që po bëhet nga të gjitha ministritë për të vendosur në drejtimin e duhur vendin nga reforma nganjëherë edhe të dhimbshme nuk është një shkop magjik që çon të vdekurin nga varri, por është e vetmja rrugë për të operuar me kurajë dhe pa u trembur nga vështirësitë e një organizmi që deri para disa muajsh ishte i kapur nga të gjitha organet e veta nga një kancer që e bënte të pamundur ecjen përpara. Kanceri nuk zhduket me propagandë, as me terapi. Kanceri për tu zhdukur kërkon operacion të thellë dhe një vullnet të hekurt.
Në 2014 u trefishua fondi për programet e nxitjes së punësimit krahasuar me 2013. 2014 ishte viti i rritjes më të lartë të financimit të qeverisë për nxitjen e punësimit, kjo do të thotë që u veprua në drejtimin e duhur. Por nëse shifra e nxitjes së punësimit ishte 2.7 miliardë dollarë, a është kjo një shifër marramendëse që do na plotësonte nevojat? Jo, por është shifër që tregon vullnetin që u rikonfirmua një vit më vonë dhe që tregoi se gjërat janë në drejtimin e duhur përderisa zyrat e punës janë në rrugën e duhur”, u shpreh kryeministri Rama.
Rama i përgjigjet “korit të kukuvajkave”: 800 të punësuar në dy ditët e panairit
Kreu i qeverisë Edi Rama tha se vetëm në dy ditët e para të hapjes së Panairit, mbi 800 persona kanë lidhur kontrata me kompanitë pjesëmarrëse për të nisur punë, ndërsa në total, tha Rama, Panairi i Punës 2015 ofron 5 mijë vende pune. Në këtë kontekst kryeministri Rama iu përgjigj edhe kritikave se panairi është një shfaqje e përdorur nga qeveria për fushatë elektorale.
“Sapo u çel panairi filloi kori i kukuvajkave që është një shfaqje elektorale bëhet për fushatë.
Dikush ankohej me mesazh se ishte pa bukë pa shpresë dhe donte punë. E mora në telefon dhe i thash “shko tek panairi i punës dhe provojë shansin tënd”. – Unë të shkoj në atë shfaqje elektorale, ça jam unë të më përdorni mua për fushatë?” Dhe nuk shkon.
Por e vërteta është se siç dëshmuan edhe të rinjtë këtu vetëm në dy ditët e para janë ndërmjetësuar në këtë panair mbi 800 kontakte dhe janë mbi 800 persona do të fillojnë punë, në këtë panair janë marrë një për një të gjitha dëshmitë e kompanive janë në dispozicion 5 mijë vende të reja pune. Duhet të ndryshojmë qasjen ndaj nevojës punë. Puna nuk vjen të trokasë në shtëpi të të zgjojë nga gjumi të thotë hajde bëhu gati po të pres tek kafja të bëjmë muhabet. Puna duhet kërkuar më këmbëngulje”, u shpreh Rama.
Panairi i Punes është organizuar nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, në Pallatin e Kongreseve nëTiranë, nga data 29 Prill-1 Maj. 
Sigal