Veliaj për kandidatin e PD në garën për bashkinë e Tiranës: Ai do të jetë Luli i radhës, bllokues i qyetit

109
Sigal

Kryebashkiaku Erion Veliaj e ka cilësuar kandidatin e opozitës për Bashkinë e Tiranës si “Lulin e radhës” të caktuar nga Berisha dhe Meta. Duke folur në një intervistë, Veliaj tha se opozita e pati drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe treguan se e vunë qytetin në gjumë.

“Edhe Luli ishte një politikan i ri dhe kishte shumë etje për pushtet. Të gjithë e pamë si ato 10 vota përfunduan në gjykatë dhe me ndihmën e Saliut u vodh Bashkia e Tiranës, por pastaj e pamë se çfarë qullosi. Unë nuk besoj se është çështje moshe, është çështje idesh dhe për sa kohë që janë përfaqësues të Saliut, ai është thjesht Luli tjetër, Luli i radhës. Këdo që të sjellë Saliu në Tiranë – Saliu edhe Ilir Meta e kishin Tiranën, kishin mundësi të tregonin çfarë dinin të bënin, por e vunë qytetin në gjumë, plehrat mullar dhe ndërkohë ra vlera e pronës, qyteti u braktis. Mendon ti që mund të bënim ne koncerte me Rita Orën e Dua Lipën në shesh, tek ajo rotondo që na la Luli, Saliu e Ilir Meta se ishin bashkë në koalicion kur menaxhonin Bashkinë e Tiranës?!”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se kandidatët e opozitës për të shpëtuar fytyrën e Saliut janë kthyer në bllokues të punëve të qytetit. “Në këtë sens kushdo që vjen dhe përfaqëson “non gratën” e Saliut vjen aty për hallet e Saliut jo për hallet e njerëzve (më dhimbset se unë e di që këta në thelb nuk janë çuna të këqij, po të flasësh si njerëz normalë). Çështja është se kur kandidojnë për të shpëtuar fytyrën e Saliut që sot është non grata, transformohen në disa bllokues të rëndomtë të projekteve. A e imagjinoni të dashur, sikur unë të haja presionin e atij pallatit nr.4 dhe ky tërmeti i janarit ta kishte shfarosur atë pallat të madh që, siç u pa edhe nga mediat e huaja, ekskavatori sa e preku, ai ra?! Do thoshin e vrau Lali Eri, kështu që kam mësuar të jem i përgjegjshëm dhe të marr vendime jo për t’u bërë popullor e për të kapur 5 vota këtu e 5 vota atje, por sepse është vendim i drejtë dhe ai vendim shpëtoi jetë njerëzish. Po të dëgjoja unë këta bllokuesit, apo po të dëgjoja këta analistët që vetë jetojnë në pallate të sigurta, por s’e kanë problem që të kapin ca like në facebook për hallet e të tjerëve, atëherë do ishim duke bërë komplet bisedë tjetër”, tha Veliaj.