Rama troket në Presidencë, takim me Metën

614
Kryeministri Edi Rama trokiti dje në Presidencë për të zhvilluar një takim me Kreun e Shtetit, Ilir Meta. Takimi zgjati rreth 60 minuta dhe si Meta, ashtu edhe Rama, nuk kanë dhënë detaje nga biseda. Kryeministri rinisi dje aktivitetin politik në Tiranë, pas një shkëputje disaditore për shkak të angazhimeve jashtë vendit, ndërsa tema kryesore e bisedës së dy politikanëve të lartë mësohet se ka qenë marrëveshja me Greqinë për ndarjen e vijës detare. Presidenti i Republikës ka kërkuar nga Ministria e Jashtme informacione të tjera të hollësishme lidhur me marrëveshjen me Greqinë. Këto informacione nisin me saktësimin e titullit, paraqitjen e një analize të brendshme tekniko-ligjore dhe plotësimin kuadrit legjislativ nëse ka mangësi. Po ashtu kërkohet që grupi të mos ulet në negociata pa hartat e duhura dhe dokumentacionin mbështetës. Më 2 mars, Meta priti në Presidencë të gjithë anëtarët e Komisionit të Jashtëm, ndërsa është shprehur publikisht se do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dhënien e autorizimit për negociata.
Sigal