Shkodra, nën frikën e përmbytjeve

692
Shirat e dendur prej disa ditësh e vështirësojnë situatën, ndërsa Forcat e Armatosura ndodhen në gatishmëri
Situata e përmbytjeve në Shkodër mbetet e pandryshuar, ndërsa Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytja. Autoritetet vendore kanë kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por një masë e tillë ende nuk është marrë. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, u shpreh, se “Gjendja në Nënshkodër mbetet kryesisht e pandryshuar dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë vijojnë të mbeten në terren, pranë komunitetit, me mjete të larta dhe ujore, kryesisht në fshatin Obot”. Situata e përmbytjeve në Shkodër vazhdon të jetë e njëjtë dhe niveli i ujit është në rritje, ç’ka ka vendosur të gjithë strukturat në gatishmëri për të përballuar situatën, deklaroi prefekti i qarkut Shkodër, Çesk Millja. I pyetur në lidhje me situatë e përmbytjeve në Shkodër, Z. Millja shprehet se, “aktualisht uji ka zotëruar 1666 ha në zonën e Nënshkodrës, ku në zonën e Bushati ujë ka përmbytur 321 ha, në Dajç 330 ha, në Anën e Malit 1000 ha, Guri i Zi, 5 ha”. “Në pjesën e Anës së Mali, uji është afruar afër shtëpive të banorëve, ndërsa në fshatin Obot një pjesë e segmentit rrugor është mbuluar nga ujë dhe lartësia është mbi 1 metër, ndërsa Forcat e Armatosura po operojnë me mjete të larta për transportin e banorëve”, tha Millja. Më tej, prefekti i Shkodrës, shprehet se po punohet në bashkëpunim me bashkinë dhe strukturat e tjera për të përballuar situatën. “Jemi mbledhur duke vlerësuar situatë, kemi ndarë detyra për zhbllokimin e rrugëve dhe ardhjes së banorëve në ndihmë. Po ashtu situata është e vështirë, por jo në kushtet e situatës së jashtëzakonshme”, tha prefekti. I pyetur nëse situata është në tendencë përkeqësimi, prefekti Millja shprehet se shkarkimet e Hidrocentraleve janë të të monitorueshme dhe të kontrolluara, por sa jemi njoftuar se Komisioni i Shkarkimeve të Hidrocentraleve, ka vendosur të nisin shkarkimet për shkak të prurjeve të mëdha dhe të sigurisë së digave. “Ne vazhdojmë të jemi në gatishmëri për të përballuar situatën e përmbytjeve, kemi bashkëpunim më të gjitha institucionet dhe po monitorojmë situatën në çdo hapësirë të Shkodrës”, ritheksoi ai.
Voltana Ademi: Të shpallet emergjenca
Nga ana e saj, kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka kërkuar zyrtarisht shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Shkodër për shkak të situatës së krijuar në këtë qark pas reshjeve të fundit. Znj. Ademi i ka drejtuar kërkesën prefektit të Qarkut të Shkodrës, ku i bën me dije se si pasojë e keq-menaxhimit dhe shkarkimit të pakontrolluar situata është bërë e kritike dhe rrezikohet jeta e popullatës. “Në vijim të situatës së krijuar nga shkarkimet e pakontrolluara dhe të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë, keq-menaxhimi i kaskadës së lumit Drin dhe mungesës së informacionit mbi sasinë dhe kohën e shkarkimeve, si pasojë e këtyre shkaqeve jemi në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç, ku rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit”, theksoi kryebashkiakja.
Sigal