Rama: Tirana, prova për punën që do të bëjë qeveria socialiste pas 23 Qershorit

471
Sigal

Kryesocialisti Rama i ftoi qytetarët e Beratit të vendosin për Shqipërinë, ku duan të jetojnë me votën e 23 Qershorit

Tirana do të jetë prova e parë e cilësisë së qeverisjes socialiste pas 23 Qershorit. Kështu deklaroi lideri i selisë rozë ndërsa zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të Unazës së re në Tiranë. Kreu i PS, Edi Rama, garantoi komunitetin e asaj zone se do të luftojë natë-ditë për të çuar ujin në çdo banesë. “Nuk kam dëshirë të flas për vetën, por po të dhuroj kopjen e programit që ta shohësh në detaje. E kemi ndërtuar për të zgjidhur problemet elementare. Nuk është një program për t’ju treguar përralla, për t’ju marrë votën dhe pastaj për t’ju kthyer kurrizin. Me ekspertë vendas dhe të huaj kemi arritur në ato konkluzione. Unë e kam bërë një punë për të cilën jam krenar, le të thonë çfarë të duan. Tiranën nga një rrëmujë me plehra e me kioska e ktheva në formën e një qyteti dhe të një kryeqyteti evropian. Po të marr vetëm një çështje, që nuk e them asnjëherë se me vjen turp. Çështjen e ujit. 20 vjet në fushatë do t’ju sjellim ujë, sikur do sjellin ar nga hëna. Uji është këtu. Kudo ku shpon ka ujë. Pyetja është pse e kanë penguar ujin që të vijë se uji është këtu. Betejën për të çuar ujë në çdo shtëpie e parcelë do ta kemi betejë ditë e natë, deri kur të mbarojë kjo histori”,- tha ai. Në bashkëbisedimin me banorët, Rama sulmoi taksën e sheshtë të PD, të cilën e cilësoi taksën e rrjepjes së popullit. Ai i siguroi banorët se qeveria socialiste do të ulë taksat për 95% të shqiptarëve, do të lehtësojë bizneset e vogla dhe ‘to t’i japë zgjidhje çështjes së legalizimeve. “Taksa e sheshtë është taksa e rrjepjes së zotit. Nuk është siç thotë ai, që është njëlloj, është e kundërta që mësuesja të paguajë më shumë taksa se Saliu. Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël dhe nga kjo do përfitojë dhe socialisti dhe demokrati. Nga ky përfitim çfarë do bëjë demokrati, do shkojë të votojë për të mbajtur në punë Saliun dhe do vazhdojë të paguajë taksa derisa ta mbylli dyqanin, apo do shkojë të votojë për PS që do ti heqë taksën. Programi ynë është një program që bashkon. Është një program që ul taksat për 95% të shqiptarëve. Nëse nisesh nga qenia jote qytetar, voton programin e rilindjes, nëse nisesh nga qenia anëtar i PD vazhdo mbaj Saliun në qafë dhe në qafë paç veten. Numri 29 është numri i çlirimit, të çlirojmë edhe Berishën nga antiplumbi”, theksoi Rama. Lidhur me transportin, Kryesocialisti tha se qëllimi i qeverisë socialiste është që të ketë transport kudo ku ka më shumës e 20 minuta në këmbë. Në përfundim kreu i PS-së ftoi banorët që të dyfishojnë dhe të blindojë votën e tyre të 23 Qershorit.

Rama në Kamzë: Saliu gënjen, nuk ju kam quajtur shpellarë

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka zhvilluar një “kënd fjale” me banorët në zonën e Kamzës në Tiranë. Në fjalën e tij, Kryesocialisti Rama ka hedhur poshtë deklaratën e Kryeministrit Berisha se ai i ka quajtur të ardhurit të kryeqyteti si shpellarë. “Saliu nuk e përdor votën tuaj për t’iu ndihmuar, por për të futur ‘thikën e ndasisë’, duke shpikur se unë kam thënë shpellarë, ai nuk iu do, të gjitha gënjeshtra. Mirë ju, por fëmijët tuaj çfarë faji kanë që jeni në këtë gjendje. Kjo është pyetja që kam unë për ata që janë prindër dhe votojnë qorrazi, për Saliun dhe PD, një parti familjare që punon ditë e natë për vete. Që përdori fëmijët tuaj dhe i nxori analfabetë funksionalë, siç thotë Banka Botërore jo unë. Lërini historitë, jo jemi nga veriu, jo nga jugu të djathtë jo të majtë, bëhuni me familjen tuaj, bëhuni me interesin e komunitetit tuaj dhe atdheun tuaj “,- tha Rama. Ndërsa u premtoi banorëve ulje të taksave, shërbim shëndetësor falas dhe hapjen e vendeve të punës Rama shtoi se beteja në 23 Qershor nuk është mes dy palëve por mes rilindjes dhe rrënimit.

Rama prezanton kandidatët në Berat: Era e Rilindjes do sprapsë hijen e së shkuarës

Ashtu si edhe për zonën e tij elektorale Vlorën, edhe për Beratin kreu i PS-së ka premtuar se do bëhet puna që nuk është bërë në 20 vite. “Era e rilindjes do shkulë të keqen që e ka mbërthyer prej fyti këtë popull. Rilindja që duam do ta lidhë Beratin jo vetëm me Tiranën me një rrugë ashtu siç e meriton, por me një rrugë që do mbushet më shumë me turistë, një rrugë që nuk do ndalet këtu për të dalë tek tre urat, do jetë Berati një qendër e re ku vijnë erërat e perëndimit, era e rilindjes do sjellë zhvillimin e ekonomisë së këtij qyteti, është e pa mundur që unë t’ju shpjegoj se çfarë fati është të gjendesh këtu dhe të shohësh atë që shikojmë nga kjo tribunë. Është tribunë e një përgjegjësie dhe privilegji të madh për t’i shërbyer gjithë njerëzve të këtij qyteti dhe qarku, nga Skrapari në Berat, në Kuçovë e në çdo fshat”, tha ai më tej. Kryesocialisti Rama i ftoi qytetarët e Beratit të vendosin për Shqipërinë ku duan të jetojnë me votën e 23 Qershorit.

ILIR META: ME RIMËKËMBJEN E BUJQËSISË DO TË VËMË MYZEQENË NË PUNË!

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi një tur takimesh në Rrethin e Lushnjës. I shoqëruar nga kryesuesi i listës së kandidatëve të LSI-së në qarkun e Fierit, Petrit Vasili, lideri i LSI-së u ndal në komunat Tërbuf, Krutje, Gradisht, Golem Lushnjë etj.. Në bashkëbisedimin e tij me qytetarët e pranishëm në këto takime, Meta u ndal në veçanti në programin e LSI-së për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e bujqësisë. Ai tha se mbështetja për bujqësinë deri tani ka qenë shumë minimale, ndërsa LSI do të marrë hapa konkretë në këtë drejtim. Më tej Meta theksoi rëndësinë e ndërrimit të modelit ekonomik. “Nuk mund të vazhdojmë më, të importojmë ushqime dhe të vijnë lek nga emigrantët për të blerë ushqimet tona. Sepse ne e shohim që këto të ardhura nga djemtë dhe vajzat tuaja kanë ardhur në rënie për shumë arsye. Tani beteja jonë është të zhvillojmë ekonominë duke rritur prodhimin, duke ulur importet, duke rritur eksportet në mënyrë që të garantojmë vende të qëndrueshme të punës dhe të ardhura sa më të larta për fermerët dhe për të gjithë të punësuarit. Këtë synon programi i Lëvizjes Socialiste për Integrim për zhvillimin dhe modernizimin e bujqësisë dhe të industrisë agro-përpunuese. Edhe sot ka prej jush në Divjakë, në Krutje, në Gradishtë fermerë, të cilët kanë arritur të jenë të suksesshëm falë sakrificave të panumërta. Por me një mbështetje të organizuar të qeverisë, të Ministrisë së Bujqësisë, të politikës së taksave, të subvencioneve ne do ta kthejmë lulëzimin e fermave në një fenomen të përgjithshëm dhe jo në raste të veçanta, sepse ne nuk do të lejojmë që edhe një kokërr domate të hidhet në kanal.”, tha ai. Në fjalën e tij, Meta u ndal edhe në debatin për taksat. Ai u shpreh se qëllimi i LSI-së në këtë drejtim është që çdo politikë të jetë në shërbim të punësimit. Ju dëgjoni shumë debate për taksat. Taksat nuk janë qëllimi ynë. Taksat janë instrumenti ynë për të zhvilluar ekonominë, për të rritur prodhimin, për të rritur punësimin. Dhe prioriteti ynë kryesor është rritja e punësimit. Dhe politikën e taksave do ta bëjmë në funksion të rritjes së punësimit, në funksion të rritjes së prodhimit.

GJIKNURI: “FERMERËT PËR PS-NË DHE EDI RAMËN

Kandidati për deputet i PS-së në Qarkun e Elbasanit, Damian Gjiknuri, i cili është edhe sekretari për Çështjet Zgjedhore i PS-së, është takuar dje me fermerë në fshatrat e Gramshit, duke konstatuar nga afër problemet dhe shqetësimet e tyre. Kandidati i PS-së, Gjiknuri konstaton se: “Për fermerët mbajtja në këmbë e bujqësisë është bërë e papërballueshme. Uji mungon, çmimi i farërave është shtrenjtuar, nafta është dyfishuar dhe ende nuk kanë marrë tapinë e tokës që kanë vite që e punojnë. Më 23 Qershor, të votojmë Nr.29, Partinë Socialiste për të Rilindur fermerët dhe bujqësinë shqiptare”.

CELIBASHI: JA VIZIONI I PS-SË PËR TË ARDHMEN NË FIER

Kandidati i PS-së në Qarkun e Fierit, Ilirjan Celibashi, është takuar dje me banorë të qytetit të Fierit, në lagjen “1 Maj” dhe “Sheq i Vogël” dhe ka bashkëbiseduar me ata, për t’u dhënë vizionin që ka PS-ja për të ardhmen e qytetit të Fierit, i cili, siç pohuan banorët e këtij qyteti, është diskriminuar me mungesën e fondeve nga qeveria, për shkaqe politike. Kandidati Celibashi u zotua se qeverisja e ardhshme e së Majtës do t’i japë prioritet punësimit dhe lehtësirave financiare biznesit të vogël, duke ulur taksat. Njëkohësisht, Celibashi shpalosi edhe programin e PS-së për të rinjtë, duke i bërë ata që të ndihen aktivë në procesin e zhvillimit të vendit, duke u afruar mundësitë e përgatitjes profesionale, por edhe të arsimimit të tyre, duke kryer tërësisht një reformë të re në Arsim. Celibashi, shprehet për emocionet që përjetoi në takimin me banorët e qytetit të Fierit. “Sot në takime me banorët e lagjes “1 Maji” dhe Sheq i Vogël për t’i ardhur më afër çështjeve dhe problemeve të tyre, dhe për t’i siguruar se do t’i qëndrojmë pranë dhe do t’i përfaqësojmë denjësisht. Sapo përfunduam një takim madhështor me banorët e lagjeve “8 Shkurti”, “29 Nëntori” dhe Celigrad të Fierit. Së bashku me Adelina Rista dhe Andius Olldashin, treguam se çfarë vizioni kemi për të ardhmen e Fierit dhe se çfarë do të ndërmarrë Partia Socialiste, kur të jetë në qeverisje, pas 23 Qershorit”.