Kreu i PS-së, Edi Rama, po zhvillon një takim në Pogradec në kuadër të zgjedhjeve elektorale të 11 majit.Rama ndodhet ditën e sotme për të zhvilluar takimet e fundit, 6 ditë përpara zgjedhjeve në bashkitë e qarkut të Korçës.Rama e nisi fjalën e tij duke u mbështetur në investimet dhe premtimet e realizuara mbi Pogradecin.
Kryesocialisti tha se 4 vite më parë, nga odeoni ku po zhvillohej takimi i sotëm elektoral, premtuan se mandati i ardhshëm do të ishte një mandat për Pogradecin.
Gjatë momentit të fjalës së tij, Rama e ndërpreu për të respektuar ezanin, në respekt të besimtarëve myslimanë, e më pas vijoi për të thënë pikat e tij lidhur me fushatën elektorale.
“Në fakt, do ta nis nga aty ku Niko tha, që ne, 4 vite më parë, nga ky vend ku jemi sot, premtuam se do të ishte mandati i Pogradecit. E thamë këtë se kishte tërhequr krraba shumë andej nga Korça dhe, në fakt, ky ishte mandati i Pogradecit. Transformimi i këtij qyteti është në sy të të gjithëve, por dua ta them me plot gojën, që ky transformim nuk do të ishte pa Ilir Xhakollin. E mbani mend, besoj, se çfarë na ka bërë këneta, na i nxorri gjithë speciet aty te rruga dhe nuk donin që ne të shembnim të vjetrën për t’i hapur rrugë të resë. Por, pavarësisht të gjitha vështirësive, rruga e Pogradecit është një nga rrugët më të bukura të Shqipërisë sot dhe, besoj, e keni parë që zë vend hera-herës në të gjitha reportazhet që bëhen për Shqipërinë turistike jashtë Shqipërisë. Edhe nga ajo hyrje filloi gjithë ajo punë dhe në të gjitha drejtimet e jetës së komunitetit.Është pikërisht këtu rasti dhe dua ta prek për të gjithë ata që e shohin Shqipërinë me sy të historive që i thonë vetë, që s’ka ujë, bukë, etj. Të gjitha fshatrat kanë ujë të pijshëm.”-tha Rama.