‘Rama po bën një SPAK paralel’/ Paralajmërimi i Bashës: Do të ketë përballë popullin

489
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, komentoi nismën e kryeministrit Edi Rama për një projektligj anti-KÇK.

Sipas kryedemokratit, kjo është përpjekje për të dubluar reformën në drejtësi dhe institucionet kryesore, SPAK dhe BKH.

Basha tha se kjo i ngjan asaj përpjekje që bëri Edi Rama për vënien në krye të SPAK dhe BKH të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri.

“Tentativat për të kapur Gjykatën Kushtetuese apo përmendja e nismave skandaloze për ndryshime kushtetuese për t’i dhënë një partie, që po rri paligjshmërisht në pushtet me ndihmën e bandave kriminale, kompetencën e insitucioneve të tjera kushtetuese, vërtetojnë faktin se për pushtet Edi Rama është gati të bëjë gjithçka, siç ka bërë gjithçka. Por harron se do të ketë përballë një popull të tërë, do të ketë përballë një bashkim të vendosur dhe më të madhin në historinë e shqiptarëve, më të madhin në numër se ansjëherë më parë kundër tij dhe kundër planit ogurzi për të zhbërë themelet e bashkejetesës kushtetuese demokratike.

Ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur Kushtetutën, për të mbrojtur demokracinë e vendit. Në fillim të dhjetorit do të kemi gati propozimet ligjore për reformën zgjedhore, të cilat do të shpallen edhe publikisht. Ne nuk do të pranojmë zvarritjen e reformës zgjedhore si një alibi të Edi Ramës, por do ta miratojmë sa më shpejt, mundësisht, brenda këtij viti, për t’i hapur rrugë menjëherë zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë artikuluar si kusht për negociatat dhe si rruga e daljes së vendit nga kriza”, u shpreh kreu i opozitës.

Sipas Bashës, nuk ka pse shpik ligje Rama sepse Shqipëria ka ligjet më të forta kundër krimit në botë.

Sipas tij, ligji antimafia dhe zbatimi i tij nga qeveria e PD i hapi rrugë Shqipërisë për heqjen e vizave.