Rama: Pezullim zbatimit të planeve vendore deri pas zgjedhjeve të 2015-s

419
Sigal

Të gjithë planet vendore të miratuara deri më tani do të pezullohen, deri pas zgjedhjeve të 2015-s. Kështu deklaroi Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të territorit ku deklaroi se ky Këshill do te pezullojë dhëniet e lejeve të reja zhvillimore nga autoritetet vendore deri pas zgjedhjeve të 2015. Kryeministri akuzoi vendoret për dhënie lejesh barbare që kanë shkatërruar vendin. Duke kujtuar se pasuria me e madhe e vendit është bukuria, ai ka premtuar ndalimin e çdo spekulimi me lejet. “Ky është një vendim që do të merrej edhe pa ndarjen e re administrative në kushtet kur eksperienca e tregon që interesi i fazës së fundit të mandatit ka sjellë plagë shumë të mëdha, kemi raste flagrante të lejeve të dhëna para e gjatë fushatës nga autoritete vendore te papërgjegjshme. Mjafton të shohim vijën e bregdetit e të bëjmë përputhje të shëmtive që shohim për të kuptuar se pjesa më e madhe e shëmtimit ka ardhur si rezultat i dorëlëshimit të periudhës para e gjatë zgjedhore. Pezullim lejeve të reja zhvillimore dhe planet e detajuara vendore deri në konstituimin e organeve përfaqësuese në zgjedhjet e vitit 2015″,- bëri me dije Rama gjatë fjalës së tij. Kryeministri tha se, vendorët “do të japin leje për raste përjashtimore dhe në funksion të interesit publik kombëtar. Ndaj sipas tij, nisma që do ndërmarrë qeveria, së bashku me Këshillin Kombëtar të Territorit, është procesi i frenimit të këtij fenomeni, ku një efekt pozitiv do sjell ndarja e re administrative. Kreu i qeverisë dha garanci se çdo abuzues i territorit, pa dallim do të ndëshkohet nga ligji. “Do ndjekim këmba-këmbës çdo abuzues me territorin, qoftë ky individ apo subjekt që pa leje ndërtimi operon duke bërë kontributin masakër, qoftë ky abuzues që ka bërë gati leje ndërtimi që nuk zbaton asnjë ligj dhe asnjë normë jetike dhe s ka dyshim që kushdo që mendon se duke vënë më tutje tulla duke i shpëtuar ndëshkimit dhe shembjes së veprës penale do përballet jo vetëm me fadromat e inspektoratit, por dhe me policinë”.