Rama: Lotarinë Kombëtare do t’ja kthejmë publikut!

471
Sigal

Partia Socialiste organizoi tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të biznesit të madh

PS-ja zhvilloi dje tryezën e dytë me biznesin e madh. Kryesocialisti Rama u shpreh para tyre se, programi i Rilindjes Kombëtare ka për qëllim të rrisë komunikimin me grupet e interesit, duke shembur kështu barrierën e vendosur deri më tani, siç tha ai. “Të mbyllim njëherë e përgjithmonë aksesin e privilegjuar me grupet e interesit. Të hapim një kapitull të ri ku si Qeveria dhe opozita të komunikojë lirshëm me grupet e interesit. Të lëmë pas kapitullin e zymtë të moskomunikimit. Është e domosdoshme për sipërmarrjen që të flasë hapur, pa frikën se pasi flet i vjen shantazhi, presioni apo dëmi i radhës. Është e domosdoshme që edhe të gjitha forcat politike të dinë në detaje situatën ku ndodhet sipërmarrja”,- tha Rama. Kryesocialisti u shpreh më tej se: “Sipërmarrja nuk ka ngjyrë politike, nuk duhet ndarë në vazhdën e ndarjes së përgjithshme që sot e pengon Shqipërinë të shkojë përpara, në blu dhe rozë”, -tha ai.

LOTARIA KOMBËTARE

Rama deklaroi se, do rishikojë të gjitha marrëveshjet në dëm të sipërmarrjes, duke përmendur këtu edhe marrëveshjen për Lotarinë Kombëtare. Nuk mund ta pranojmë, -tha Rama, duke nënvizuar se do t’i kthehet publikut.

TAKSA PROGRESIVE

Lideri i opozitës e ndali vëmendjen e tij edhe tek taksa progresive, për të cilën tha se jo vetëm që nuk e kërcënon biznesin e madh, por e ndihmon atë, pasi duke lehtësuar taksat e shtresës së mesme ju jep atyre mundësinë të konsumojnë më shumë.

ARSIMI

Rama ka bërë të qartë para biznesmenëve që nuk është kundër arsimit privat në Shqipëri, por është kundër diplomave të pavlera. Ai tha se, në programin e Rilindjes Kombëtare parashikohet sistemi i akreditimit të institucioneve.

SHËNDETËSIA

Kreu i PS-së deklaroi ndër të tjera se në Shëndetësi do të aplikojë modelin anglez. “Sot ka 1 milion shqiptarë të papunë. Këta të papunë janë të pasiguruar, me këtë sistem ju thuhet mos u sëmur se po s’pate lekë, mund të vdesësh dhe po u sëmure drejtohu zotit se doktori do lekë. Ne i jemi referuar sistemit britanik, ku është shteti që e blen shërbimin dhe shërbimi i’u jepet të gjithëve sipas nevojës”, saktësoi Rama.

REAGIMI I BIZNESMENËVE

Një nga biznesmenët, i tha zotit Rama, se:  “Normalisht monopole ka pasur edhe në kohën e mëparshme të qeverisjes, kur ka qenë zoti Rama, por ka edhe sot tepër të dukshme në syrin e shqiptarit. Dhe një pjesë nga ata njerëz që kanë qenë atëherë, janë edhe sot. Uroj që të përcaktojmë një rregullore të qartë apo një draft ligjor, i cili të lexohet më përpara nga biznesi dhe pastaj të vejë edhe më lart dhe të aprovohet. Që të mos ndodhë siç ka ndodhur në dy kohërat. Në kohën e ministrit Ridvan Bode, që është dhe tani, e  merr draftin dhe e çon pa u konsultuar me biznesin, por edhe në kohën e zotit Rama kur u vendos 5%-shi i ndërtimit nuk patëm ndonjë konsultim, por e morëm papritur. Kështu që, mendoj se dhe tek zoti Rama është një reflektim i madh gjatë kësaj kohë, ndaj edhe fjalimi është shumë herë më i mirë, që dhe ne e besojmë, për të parë klimën dhe biznesin në të ardhmen”. Ndërkohë, duke ju referuar Lotarisë Kombëtare, biznesmenët i kërkuan Ramës, konkurrencë të lirë në treg. Biznesi do një kuadër ligjor të saktë, që të ketë një ligj të tillë që monopolet të mos krijohen sepse monopolet dihet seç janë. Konkurrenca të jetë e lirë në treg. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, ngriti nevojën e një paketë të re fiskale për ndërtimet, ndërkohë duke ju referuar taksës së propozuar nga socialistët, Jaka vlerësoi se, duhet menduar për futjen e sistemit të TVSH-së. Drejtori i “Biznes Albania”, Luan Bregasi propozoi që opozita të ndërmarrë debate akademike para se të vendosë për taksën progresive. “Unë mendoj se ka një nuancë të re në taksën progresive dhe ju keni bindjen se kjo mund të jetë më e mirë. Mendoj se duhet të ketë debate akademike. Taksa progresive mund të jetë e mirë, por duhet provuar me argumente që ajo që propozoni ju është më e mirë”,- deklaroi Bregasi.