Rama: Jemi afër nënshkrimit të një dokumenti të ri partneriteti Shqipëri-Greqi. Ligji i luftës dhe çështja e detit…

Kryeministri Edi Rama shprehet se dialogu Shqipëri-Greqi ndodhet në një moment pozitiv. Ai thekson se shumë shpejt do të shënohet edhe momenti i nënshkrimit të një dokumenti të ri partneriteti strategjik mes dy vendeve, sa i takon çështjeve të mbetura pezull.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të partisë Socialiste në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, kreu i qeverisë tha se pjesë e këtij dokumenti strategjik do të jetë çështje sensitive, si ajo e ligjit të luftës, marrëveshja detare, çështja çame, etj.
“Jemi në një moment pozitiv në dialogun me Greqinë, ashtu sikundër e shprehu publikisht edhe kryeministri grek. Pajtohem me përshtypjet se momenti i nënshkrimit të një dokumenti të ri partneriteti strategjik mes dy vendeve tona është shumë afër. Natyrisht duhet të presim përfundimin e shkruar të këtij procesi dialogu gdhe negociatash për një sërë temash që prekin harkun e 70 viteve, duke filluar nga ligji absurd i luftës, e duke vazhduar për tema që për ne kanë një rëndësi të veçantë, si marrëveshja për detin, si dhe garantimi i të drejtave të gjithë qytetarëve shqiptarë, sidomos atyre që i përkasin komunitetit çam, për të pasur lëvizje të lire dhe t papenguar nga historitë t e shkuarës. Si dhe për të pasur çdo të drejtë ligjore sa i takon pretendimeve të pronësisë.
Po kështu synohet lehtësimi i të gjithë marrëdhënieve që kushtëzojnë komunitetin e madh të shqiptarëve që kanë emigruar në Greqi, në aspektin e burokracive, të lëvizjes, dhe besoj se përfundimi i procesit dhe garantimi i këtyre marrëdhënieve përmes vënies në funksionim të vulës, dhe po ashtu përmes përfundimit të një marrëveshjeve mes dy ministrive të Brendshme, lidhur me administrimin e pikave doganore, përbëjnë një hap të konsiderueshëm përpara”, tha kryeministri Rama.
Sakaq, kreu i qeverisë është ndalur edhe tek negociatat Greqi-Maqedoni për çështjen e emrit.
“Nga ana tjetër ne e shohim me shumë simpati ecurinë pozitive mes dialogu të Greqisë dhe Maqedonisë dhe urojmë dhe shpresojmë që të ketë një finalizimin të negociatave të vështira, që do t’i hapnin rrugë Maqedonisë me një emër të negociuar për të hapur rrugë procesit të ndërprerë të integrimit europian dhe integrimit në NATO”, tha Rama.
Sigal