Rama- Fule: Dialog konstruktiv maxhorancë-opozitë për integrimin

447
Sigal

Komisioneri për zgjerim në BE, Stefan Fule, ka theksuar edhe një herë domosdoshmërinë e një dialogu politik konstruktiv mes maxhorancës dhe opozitës për të çuar përpara axhendën europiane. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Fyle e vlerësoi  të rëndësishme nismën për një dialog të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Komisionit Europian, me qëllim përshpejtimin e përmbushjes së 5 prioriteteve që i janë lënë Tiranës në mënyrë që të nisin bisedimet për anëtarësim. “Ne kemi diskutuar dhe kemi prekur një sërë çështjesh. Natyrisht që, kemi folur edhe për statusin e vendit kandidat. Natyrisht që, përveç rekomandimit pozitiv për dhënien e statusit të vendit kandidat, Komisioni Evropian ka theksuar edhe pesë prioritete kyçe, të cilat ende duhen përmbushur. Kjo, për sa i përket edhe vendosmërisë që duhet të tregojë Shqipëria për trajtimin e këtyre sfidave, por mbi të gjitha, për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mes disa gjërave të tjera, unë kam theksuar nevojën për një dialog politik konstruktiv. Natyrisht, ky mes qeverisë, por dhe opozitës, pasi besoj që ky është tërësisht thelbësor për të rigjallëruar jetën politike të vendit. Ne diskutuam edhe për synimin, për të cilin unë edhe kam ardhur në Shqipëri, që është edhe ky dialog i nivelit të lartë të cilin ne do të lançojmë nesër, për prioritetet kyçe, i cili do të ndihmojë Shqipërinë për të përqendruar fokusin e veprimeve të saj, pikërisht në këto fusha kaq të rëndësishme”tha Fule.. Nga ana tjetër kryeministri Rama shprehu angazhimin e qeverisë për një gjithëpërfshirje të palëve  në këtë proces, sikundër theksoi se zotimi për ti ofruar të gjithë hapësirën opozitës do jetë realitet i prekshëm. “Komisioneri për Zgjerimin, viziton Shqipërinë, në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit si një proces që padyshim nuk është ekskluzivitet i qeverisë apo i shumicës parlamentare, por një proces gjithëpërfshirës që shkon edhe përtej partive politike dhe që pa asnjë dyshim, është vullneti ynë që ta zgjerojmë sa më shumë. Unë dëshiroj të nënvizoj se ne jemi 100% në një gjatësi vale lidhur me pesë prioritetet e përcaktuara nga Komisioni, në funksion të përpjekjes për të shkuar drejt hapjes së negociatave, jemi 100% të vendosur për të çuar më tutje, një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar apo krimit të rrugës dhe korrupsionit, luftë e cila vetëm sa ka filluar dhe jemi 100% të predispozuar që të ndërtojmë një proces, ku zotimi ynë, që të mos i mohohet opozitës asgjë nga çka na u mohua ne kur ishim në opozitë dhe ne të sillemi me opozitën, ashtu siç do të kishim dashur të sillej qeveria me ne, të jetë një realitet i prekshëm” deklaroi Rama.