Helmet e Sirisë, zyrtarisht në Shqipëri

821
Sigal

Miratimi i helmeve kimike është bërë në 15-18 tetor, por deputetët janë informuar para 3 ditësh në fshehtësi dhe me dyer të mbyllura

Ajo prej së cilës kemi pasur më shumë frikë, ka ndodhur qysh në javën e tretë të tetorit, por situata është mbajtur e fshehtë, për shkak të reagimit popullor dhe frikës nga zhvillimet ardhshme brenda vendit. Vendimi për pranimin e helmeve kimike të Sirisë, në vendin tonë është dhënë rreth datave 15-18 tetor të muajit të kaluar dhe për këtë ngjarje kanë pasur dijeni vetëm tre vetë, të cilët kanë qenë, Kryeministri, ministri i Jashtëm dhe ministrja e Mbrojtjes. Vendimi është marrë në mënyrë të shpejtë, të çuditshme dhe të njëanshme, sepse për këtë qëndrim nuk ka pasur dijeni as presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili përveçse është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ai mban njëkohësisht edhe postin e Kryetarit të Sigurisë Kombëtare. Aq e vërtetë është kjo, saqë ende nuk dihet roli dhe mendimi i presidentit për këtë problem madhor. Nga ana tjetër, zhvillimi i mëtejshëm apo përhapja e lajmit në radhët e deputetëve socialistë është bërë në mënyrë “top sekret”, duke u kërkuar atyre të mos kundërshtojnë asnjë premtim, të bërë në mesin e tetorit.

Deputetët

Deputetët socialistë janë informuar 3-4 ditët e fundit, duke ua shpjeguar situatën, sikur kjo punë duhej bërë patjetër dhe njëkohësisht duheshin mbajtur sekrete detajet e tjera. Është thënë gjithashtu se, “kemi qenë të detyruar ta bëjmë miratimin”, dhe se nuk kishim rrugë tjetër”. Nga ana e vet deputetët rozë kanë dëgjuar të traumatizuar variantin e rrëfimit që u thuhej duke u befasuar nga mënyra e shpërfilljes që është bërë ndaj tyre.

 Protesta dhe ambientalistët

Një pjesë e drejtuesve të ambientalistëve janë paguar nga segmente shtetërore që të vihen në krye të protestave dhe në një moment të caktuar, ta lënë përgjysmë atë, duke e lënë qeverinë të qetë. Pra një pjesë e atyre që zënë vendet e para në rreshtat e protestuesve, janë njerëz të paguar që do të veprojnë sipas skenarit shtetëror, kundrejt pagesave apo peshqesheve të ndryshme që do të marrin për strategjinë e tyre në këto protesta. Ndërsa intelektualët e ndershëm dhe populli i thjeshtë janë hedhur në këto protesta me ndershmërinë dhe sinqeritetin maksimal, duke mbrojtur me zjarr të ardhmen e fëmijëve të tyre. Në këtë radioskopi të gjendjes së krijuar është zbuluar, se ky problem është mbështjellë me mashtrim dhe falsitet, deri edhe tek liderët që do të drejtojnë protestat popullore, kundër qeverisë. Pra, këta përfaqësues të protestave po bëjnë lojë të dyfishtë duke çorientuar krejtësisht opinionin publik, në një moment të caktuar, kur atyre do t’u vijë urdhri të tërhiqen nga protestat dhe ta ndërpresin atë.

Ambasadori i SHBA-ve

Disa burime të tjera sqarojnë se kjo ngjarje është një fitore e punës diplomatike të ambasadorit Arvizu, ku padyshim kontributi i tij, pati rolin e vet në miratimin e futjes së helmeve siriane në Shqipëri. Përpara kësaj ngjarjeje, Arvizu nuk kishte shumë alternativa për të zgjedhur, por tanimë rruga e tij diplomatike duket e do të vazhdojë nga kjo fitore e madhe që  ai arriti me lidershipin e qeverisjes së shqiptarëve. Ky është një sukses si përsosur dhe personal i ambasadorit Arvizu, që e rrit ndjeshëm imazhin e tij në postet e ardhshme që e presin. Nga ana tjetër duhet thënë se të gjitha debatet për pagesat janë qesharake dhe thuajse inekzistente në shifrat që përfliten, sepse specialistëve që merren me këto punë u nevojitet vetëm vendi, apo toka ku ato do të neutralizohen.

Si do të shkatërrohen armët kimike me laboratorë e specialistë nga SHBA-të

Nëse armët kimike të Sirisë vijnë për t’u shkatërruar në Shqipëri, procesi i eliminimit të tyre, sipas të gjitha gjasave do të kryhet nga specialistët amerikanë përmes një aparature të sapo prodhuar nga Pentagoni. Quhet Field Deployable Hydrolysis System (FDHS), Sistemi Portativ i Hidrolizës dhe është prodhuar nga ushtria amerikane vetëm në muajt e fundit, posaçërisht i menduar për armët kimike të Sirisë. Sistemi i ri dhe i paprovuar më parë u mendua nga Pentagoni për t’u dërguar në Siri, me qëllim shkatërrimin në vend të armëve kimike, por tani plani është, sipas artikullit të “Foreign Policy” të cituar në “Nevvs24” disa ditë më parë, që ky sistem portativ të vijë në Shqipëri për të kryer këtu eliminimin e 1 mijë tonëve sarin dhe gazra të tjerë, duke qenë se situata në Siri mbetet e paqëndrueshme. Aparatura për të cilën po flasim kërkon 15 punonjës për të operuar dhe ka një kapacitet 5-25 ton kimikate në ditë. Sistemi përdor procesin e hidrolizës, i neutralizon kimikatet duke i përzierë me ujë dhe me reagentë si hidroksidi i sodiumit dhe hipokloriti i sodiumit dhe pastaj përmes nxehjes i kthen ato në përbërës që nuk mund të përdoren në armatime. Në zemër të sistemit ndodhet një reaktor titaniumi, me kapacitet 8300 litra, ku kryhen reaksionet kimike, ndërsa dhoma e punës ajroset përmes filtrave speciale për agjentet kimike. E gjithë njësia është autosuficente dhe e transportueshme. Përpara dhomës së reaksioneve ka një dhomë dekontaminimi me ajër të kondicionuar, ku kalon fillimisht personeli. Sistemi ka edhe një laborator për analizimin e gazit helmues si edhe një sistem ngrohjeje të shpejtë, për të ngrohur ujin deri në temperaturën 90 gradë, pompa, reaktorë, cisterna deri edhe gjeneratorë të energjisë elektrike.  Por, përveç faktit që ky është një sistem që do të operojë për herë të parë në shkatërrimin e armëve siriane, le të krahasojmë pak zhvillimin e procesit në vendet me të fuqishme ushtarakisht. Vetë SHBA-të, ashtu si edhe Rusia, e kanë nënshkruar prej vitesh Konventën Kundër Armëve Kimike që u hartua në vitin 1993. Prej asaj kohe të dyja vendet kanë nisur shkatërrimin e armëve të tyre kimike, por asnjë prej dy superfuqive nuk ia ka dalë akoma. Rusia mendon se do të arrijë shkatërrimin e plotë në vitin 2027, ndërsa SHBA thotë tani se do ta përfundojë procesin në vitin 2023. SHBA-ve u kanë mbetur 523 ton gaz sarin, vx dhe mustard, që është depozituar në Richmond, Kentaki, aty ku ndodhet një uzinë supermoderne, e quajtur Blue Grass, që ka kushtuar 2 miliardë dollarë, zë një hapësirë prej 323 km katrorë dhe do të nisë nga puna vetëm në vitin 2020. E gjitha kjo për 523 tonë gaz, gjysma e sasisë që disponon Siria.