Rama fton opozitën: Pakt për kryeprokurorin

538
Kryeministri Rama iu drejtua opozitës me një kërkesë publike për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për Prokurorin e Përgjithshëm, ndërsa sot mbushen 5 vjet nga zgjedhja në këtë detyrë e Adriatik Llallës. Sipas Ramës, një marrëveshje për prokurorin, do të ishte “pikënisje e një Pakti Kombëtar për Evropën që duam”. “Të paktën në gjashtë muajt e ardhshëm, t’i vihemi në dispozicion së bashku përpjekjes për të siguruar çeljen e negociatave, duke bashkërenduar nismat e veprimet e nevojshme për ta çuar jo qeverinë, po Shqipërinë në fitoren e kësaj sfide të vështirë, por krejtësisht të mundur tanimë”, thuhet në ftesën publike të Ramës. Sipas tij, momenti kur diskutohet për mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm, është momenti i duhur për të diskutuar, jo thjesht daljen nga situata e fund-mandatit të prokurorit në detyrë dhe hyrjen në fazën e një mandati të përkohshëm me një prokuror të përkohshëm, po nisjen e një faze të re bashkëpunimi mes qeverisë e opozitës në vigjilje të vendimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. “Çka unë i kërkoj opozitës është të konsiderojë pa humbur kohë ftesën që të ulemi në tryezë për çështjen aktuale të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të bëjmë një Pakt Kombëtar për Evropën që duam. Të thjeshtë, të qartë dhe serioz. Me disa hapa të përbashkët drejt çeljes së negociatave (dhe pse jo edhe përtej nëse ka mundësi në rrugën e arsyes), si shprehje e vullnetit të mirë për ta vënë Shqipërinë mbi partitë dhe axhendën e përbashkët kombëtare mbi agjendat e përveçme të politikës së ditës”, shprehet Rama. Sipas tij, kjo do të ishte rruga më e arsyeshme për të mos përdorur kartonët e shumicës së thjeshtë në çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe për të mos i lënë asgjë mangët përpjekjes për t’i çelur negociatat për anëtarësim.
Sigal