Ish-zyrtari i FBI-së i arrestuar në SHBA kishte biznes në Shqipëri, McGonigal administrator i studios ligjore (DOKUMENTI)

147
Sigal

Ish-zyrtari i lartë i FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Charles McGonigal, i arrestuar në fundjavë në Nju Jork, ka një aktivitet biznesi në Shqipëri. Ai është administrator i një studioje ligjore të quajtur ‘Law Office and Investigation’, aktualisht me aktivitet të pezulluar dhe ka 25% të aksioneve. Ai është bashkë me dy aksionerë të tjerë në këtë kompani: Shefqet Dizdari dhe Agron Neza. (LEXO KETU)

‘Law Office and Investigation’ është një kompani e regjistruar në vitin 2007 nga avokati Shefqet Dizdari, i cili në 2019 ai i ka shitur aksione ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Mc Gonigal, Agron Nezës dhe një shtetasi tjetër të huaj, me emrin Mark Thomas Rossini.  Dy vite më parë, në 2017-ën, amerikani kishte pasur një takim me Kryeministrin Rama.

Ish-zyrtari i FBI-së i arrestuar në SHBA kishte biznes në

Rregjistrimi në Shqipëri i studios ligjore

Sot amerikani McGonigal, në një aktakuzë të veçantë, me nëntë pika në Uashington, akuzohet se ka marrë të paktën 225,000 dollarë para në dorë nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare në këmbim të promovimit të interesave të tij të biznesit. Pra amerikani, me forcën që i jepte pozicioni të ndërhynte që agjenti shqiptar, i cili ishte edhe shtetas amerikan, të përfitonte dhe për këtë është shpërblyer me shifrën 225 mijë dollarë.  Aktakuza pretendon se McGonigal mori tre pagesa të veçanta në para nga biznesmeni në vitin 2017, pasi të dy udhëtuan në Shqipëri, ku McGonigal u takua me kryeministrin e vendit më 9 shtator 2017, dhe i kërkoi atij “të ishte i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licencave të shpimit të fushës nafte në Shqipëri për kompanitë ruse të frontit”.

Në vitin 2018 Ministria e Energjisë shpalli fitues të një gare të mbajtur nga Albpetrol për koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë, kompaninë Transoil Group AG. Më 31 mars Transoil Group AG u shpall fitues mes nëntë kompanive ndërkombëtare pjesëmarrëse.

Të dhënat dhe dokumentet tregojnë se Transoil Group në Shqipëri administrohej pikërisht nga Shefqet Dizdari, avokati i njohur i cili ne 2019 i ka shitur studion ligjore amerikanit Charles McGonigal dhe shqiptaro-amerikan Agron Neza. Kjo kompani kishte lidhje biznesi me gjigandit rus të prodhimit të gazit, Gazprom, kompani që zotërohet në shumicën e aksioni nga shteti rus.Kompania ‘Transoil Group’ ka qenë e regjistruar në Zvicër dhe më pas ka ndryshuar emrin në  ‘Terraoil Swiss’, me administrator pikërisht avokatin Shefqet Dizdari.

Në vitin 2020 ka pasur një vendim të Gjykatës Administrative Vlorë, e cila thoshte se përzgjedhja e kompanisë zvicerane në koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë u krye nën favorizim dhe shkelje të barazisë në tender.  Sipas gjykatës, “Terraoil Swiss” sh.a me administrator avokatin Shefqet Dizdari, në aplikimin e saj në tender nuk ka dorëzuar dokumentet e kërkuara për kushtet teknike.

Charles McGonigal, agjent amerikan dhe zyrtar i Lartë i FBI, dyshohet se merrte ryshfet nga Agron Neza, shqiptaro-amerikan dhe dyshohet ish-agjent shqiptar i inteligjencës, për të ndikuar që një koncesion i majmë i hidrokarbureve t’i jepej një kompanie të administruar nga Shefqet Dizdari, i cili më pas bëhet edhe ortak biznesi me personazhet e mësipërm. Problemi ishte se përfituesi i koncesionit ishte Gazprom, gjigandi i shtetit rus, lidhjen me të cilin amerikanët nuk mund t’ia falnin një zyrtari të lartë, siç ishte Charles McGonigal.

Dy akuzat për amerikanin

Amerikani McGonigal përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Në rastin e dytë, në akuzën në D.C, McGonigal akuzohet se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë. I pari referohet në aktakuzë si Personi A, një shqiptar i natyralizuar amerikan me banim në Nju Xhersi, i cili vihet në dukje se ka qenë punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare dekada më parë. Por personi në fjalë i ka dhënë paratë McGonigalit, mes të tjerash edhe që ky i fundit të hapë një hetim në SHBA në lidhje me një lobues që ka lobuar “për një parti të ndryshme me atë të kryeministrit shqiptar”. Sipas aktakuzës, zyrtari i FBI ka udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë dhe është takuar me Ramën në disa prej këtyre vizitave. Aktakuza në D.C. vëren se “as FBI dhe as McGonigal nuk pagoi për hotel ndërsa gjendej në Shqipëri.” Sipas akuzës, McGonigal u takua me Personin A në gusht 2017 dhe e pyeti nëse ai mund t’i jepte atij para. Në 5 shtator 2017, ai udhëtoi në Shqipëri si qytetar privat, një udhëtim që e deklaroi në FBI, por për të cilin, dështoi të thotë se shpenzimet e udhëtimit do të paguheshin nga personi A dhe se gjatë udhëtimit, ai u takua me një të dytë, të quajtur Personi B (identiteti e te cili deri tani është i panjohur), bashkë me të cilin takoi kryeministrin Edi Rama më 9 shtator 2017.

Në akuzat zyrtare të prokurorisë amerikane thuhet se në shtator 2017, në Shqipëri, i pandehuri McGonigal u prezantua nga personi A me një politikan i cili ishte njëherazi edhe biznesmen, i cili i tha të pandehurit McGonigal se donte dikë për të hetuar një atentat të dyshuar për ta vrarë atë”

Gjithashtu nënvizohet se më 10 shtator 2017, i pandehuri McGonigal ka udhëtuar me makinë nga Shqipëria për në Kosovë, së bashku me Personin A, dhe të tjerë, ku i pandehuri McGonigal u takua dhe e siguroi për ndihmë nga FBI-në një politikan kosovar. Menjëherë pas këtij udhëtimi në Kosovë, i pandehuri McGonigal dhe Personi A, kanë udhëtuar së bashkë për në Shtetet e Bashkuara.

Më 25 nëntor 2017, i pandehuri McGonigal informoi Departamentin e Drejtësisë për një hetim të ri të mundshëm penal që përfshin një shtetas amerikan i cili ishte regjistruar për të kryer punë lobimi në Shtetet e Bashkuara në emër të një partie politike shqiptare, parti e ndryshme nga ajo në të cilën ishte anëtar kryeministri. Një ditë më parë, ai kishte marrë informacion nga Personi B në lidhje me lobistin qytetar amerikan.

Kryeministri Edi Rama e ka pranuar që ka pasur lidhje miqësore me Charles McGonigal, duke e gjykuar marrëdhënie e tyre krejt të ligjshme dhe duke mos marrë asnjë përgjegjësi për ndonjë shkelje ligjore qe ish agjenti i lartë te FBI mund ta ketë kryer.

Akuzat në drejtim të tij, Rama i konsideroi si të pabaza, duke thënë se SHBA-ja nuk do ta kursente nëse ai do ishte fajtor.

“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve! Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur. Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, tha Rama.