Rama është vetëm një hap larg rivendosjes së Neodiktarurës

886
Sigal

Adriatik DOSTI

Letër e sinqertë Opozitës Shqiptare…

Kryeministri i sotëm i Shqipërisë Edi Rama me gjithë ç’ka bërë e po bën, vetëm një hap larg rivendosjes e ligjërimit të Neo-diktaturës

Në kolapsin moral, shpirtëror, politik, ekonomik , social, shoqëror, ligjor, institucional, qeveritar, shtetëror e kombëtar që gjendet sot Shqipëria e shqiptarët, pra Atdheu e populli im, të cilit i përkas, e pashë të udhës t’ju shkruaj këtë letër të sinqertë e publike, duke besuar e shpresuar se do të dini se si ta lexoni e, aq më shumë, ta kuptoni qëllimin e përmbajtjen e saj, edhe pse shumë prej jush mund t’ju vijë pak hidhët, por ju siguroj se, ju kam thënë të vërtetën lakuriq dhe vetëm të vërtetën, me shpresë e bindje se mund të ndreqni e përmirësoni shumë nga qëllimi ynë i përbashkët: Rrëzimin e Ramës e të bandës së tij kriminale, të qeverisë së Rilindjes së tij antikombëtare dhe rikthimin e shpresës, besimit e moralit tek ai vend e ai popull i drobitur, i lodhur, i përdhosur e i keqtrajtuar si kurrë më parë në historinë e tij…

Neo-diktatura, një hap larg,

Tashmë është e qartë si drita e Diellit që Kryeministri i sotëm i Shqipërisë ose i vetë pretenduari si i zgjedhur i 1 milion shuplakave, Edi Rama me gjithë ç’ka bërë e po bën mbi atë vend e mbi atë popull është vetëm një hap larg rivendosjes e ligjërimit të Neo-Diktaturës shqiptare të shekullit të 21-të… Është më shumë se kurrë i plotfuqishëm kudo e mbi gjithçka…pasi ka pushtetin absolut politik. Pra, veç Timonit ka edhe Tepsinë të gjithë siç e kish ëndërruar e siç e kërkoi me ngulm derisa e mori, por mbi të gjitha i mbështetur tek paratë e pista të drogës, korrupsionit, prostitucionit, përvetësimit dhe abuzimit me pushtetin si dhe tek bandat kriminale me dhe pa pushtet. AI dhe ATA që e rrethojnë dhe e mbajnë atë ende në pushtet financiarisht janë më të fortë e më të kapur se asnjë lloj qeverie e pushteti i mëparshëm në historinë e atij vendi e ku e ku, madje edhe me vetë Perandorinë absolute komuniste e diktatoriale të Enver Hoxhës…

Uzurpimi i të gjitha pushteteve

Rama për ”meritë të vet” e për faj edhe të Opozitës sot i ka të gjitha në duart e nën këmbët e tij. Pushtetin, ministritë, ministrat, Gjykatat, prokuroritë, policinë, ushtrinë, mediat, televizionet në veçanti, doganat, taksat, arsimin, shëndetësinë, bashkitë, artin, kulturën, sportin e deri edhe tek fermanët që vetë i propozon, vetë i vendos e vetë i vulos… T’i thuash Sulltan është pak…t’i thuash Diktator je i vonuar! Ai prish e ndërton si t’i dojë kokrra e qejfit e pa i thënë kush, plaç e pa i hyrë një gjemb në këmbë; sheshe, stadiume, qendra urbanistike, lungomare, aeroporte, rrugë, teatro, parqe kalamajsh e pensionistësh…vendos tra ndarës mes Shqipërisë e Kosovës, shkatërron pronën private të qytetarëve, fyen e përdhos mediat e gazetarët me fjalor banditi e rrugaçi… sjell avionë të dyshimtë turq të Erdoganit e nuk ka as pikën e turpit t’i quajë shqiptarë. E më pas me ta shëtit ”intelektualët ” e nesërm të Shqipërisë, pensionistët që i kanë dhënë fjalën që do ta votojnë deri në frymën e tyre të fundit e, madje edhe vetë llumin e kazanin, plehrat e injorantët…gazetarë të “medias së qelbur shqiptare” siç i etiketon po ai vetë orë e çast… Dhe asgjë nuk e bën pa paramendim e as pa një qëllim të caktuar, sigurisht tepër djallëzor e ashtu siç di vetëm një Djall i tipit të tij pervers…

Tradhtia kombëtare

Po ky Ramë, Detin ia shet Greqisë…varret e shqiptarëve i shndërron në varre ushtarësh grekë në tokën tonë. Po ky Ramë fshin fjalën Çamëri nga historia kombëtare e shqiptarëve, ngre dorën pro dhënies së tokave shqiptare Malit të Zi, bën pazare me tradhtarin tjetër, Thaçi e me miqtë e tij për kokë serbë; Vuçiçët e Daçiçët për ndarjen e copëtimin e Kosovës, projekton Aeroporte të Erdoganit në Vlorë, piketon porte maqedonase në Durrës etj., etj., po jep e po shet me PPP-ra e koncesione pasuritë mbi e nëntokësore të Shqipërisë e shqiptarëve… Pra, ka bërë e po bën gjithçka antikombëtare e antishqiptare dhe askush nuk po e ndal dot në çmendurinë e tij shumë më tepër se të rrezikshme e prag-diktatoriale. Dhe shumëkush rri e rri dhe fajëson; së pari, popullin… ok…edhe një farë të drejte e ka, por… Popuj të këqij nuk ka. Të dashur opozitarë dhe ti moj zonjëza Opozitë!…Ahhh! Po qeveri, politikë e politikanë të këqij e të poshtër që i shesin e i tradhtojnë vendet e popujt e tyre ka plot, madje me shumicë. Prandaj edhe ato vende e ata popuj vuajnë kaq shumë si në rastin tonë konkret, sepse si kurrë më parë, këtë vend e këtë popull, moj Opozitë për vite me radhë e pate ti pas vetes dhe ai me sy e veshë, me zemër e shpirt, me besim e bindje absolute tek ty të erdhi pas e të mbështeti e të përkrahu, rrezik edhe shumë më tepër sa ç’mbështetën të kuqtë komunistët e Hoxhës për të instaluar aty regjimin e tyre gjakatar e antishqiptar në atë Nëntor të largët të 1944-s, kur me duart që u kullonin gjak…hynë në Tiranë si çlirimtarë e si fitimtarë…

Zhgënjimi nga Opozita

Dhe ti, moj zonjëza Opozitë që sot qan e s’pushon dot së ankuari për bëmat e Ramës e të qeverisë së tij bandite-kriminale… vetë ia hape rrugën që ai të vinte kësisoj në pushtet, sepse për vite e vite me radhë …e tradhtove vendin e popullin tënd, e preve në besë këtë popull, e le në baltë e në mes të rrugës, në mëshirë të fatit, e ç’moralizove, e dekurajove, e degradove, e mashtrove e gënjeve, e zhgënjeve, e vodhe, e le pa pronën e tij private që i takonte, ia le kriminelët pa i futur brenda e pa i shpënë pas hekurave për krimet e përbindshme që kishin kryer për dekada me radhë mbi këtë vend e mbi këtë popull, sepse e përbuze , e përçmove , e dekurajove dhe luajte me të persekutuarit e vërtetë politikë shqiptarë në mënyrën më të turpshme. Shqiptarëve iu humbe besimin e i vrave shpresën tek e nesërmja. I humbe mbi të gjitha moralin se nga sot e mbrapa me ju në krye Shqipëria e shqiptarët e stërvuajtur do të ishin krejt ndryshe… Ia mbushe të parën Parti opozitare me sigurimsa e spiunë të së djeshmes që kishin marrë më qafë me mijëra familje shqiptare…etj., etj. PO!

Unë e fajësoj popullin tim për shumë gjëra …për atë që ju besoi xhaketave të kthyera si bënë shumë prej jush në krye të asaj Opozite fantazëm.

Për atë që besoi, se po të japësh diku në një firmë 1 mijë lek ajo pa punuar ti fare të kthen 10 mijë… në të famshmet Piramida tuaja.

E fajësoj që ra preh e provokimit tuaj të rëndë antinjerëzor e antishqiptar tek u armatos kokë e këmbë në Depot e shqyera të armatimit e, në vend që të vriste urdhër-hapësit nisi të vrasë vetveten pa pushim.

E fajësoj se rri gjithë ditën e ditës nëpër kafene, restorante, pika bastesh, telebingo, lloto sporte etj., etj.,

E fajësoj se u bë hasëm me nënën e babën e vet vetëm e vetëm për të qenë besnikë e militantë të çmendur pas Partive e Liderëve politikë që ia hëngrën e po vazhdojnë t’i hanë kokën si kurrë më parë.

E fajësoj që nuk ngrihet t’ju verë litarin në fyt të gjithë juve, racës së poshtër të politikanëve të të gjitha ngjyrave që po i shisni Atdheun e që e keni tradhtuar këtë vend e këtë popull prej kohësh..

E fajësoj që po bie pre e lojës suaj të ndyrë politike e antikombëtare për të braktisur vendin e dheun e tij.

E fajësoj që nuk ngrihet për Detin, për trojet e veta amtare, për pazaret në kurriz të Kosovës, për gjuhën shqipe e të drejtat etnike, njerëzore e kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri e kudo që jetojnë shqiptarët etj., etj.

Kauza politike të braktisura të Opozitës

Dhe ti, moj zonjëza Opozitë që e thërret këtë popull në Çadrën e Lirisë e që i premton se nuk del prej andej pa shporrur Ramën e pa përmbysur qeverinë e tij, një mbrëmje të bukur me Hënë të plotë, na i ngul thikën pas shpine popullit tënd e vetë fle e argalisesh me Mullixhinë… Pra, me ”armikun ” tënd për të cilin ke hyrë në Çadër. Të nesërmen e thërret po atë popull në ”miting madhështor” dhe në kulmin e tij e lë në mes të rrugës. Një javë më pas e çon të përleshet me policë e forca speciale në hyrje të Ministrisë së ministrit bandit Xhafa dhe sërish e braktis dhe e tradhton në mënyrën më të turpshme… E ngre në këmbë për të mbrojtur Teatrin dhe vetë kërcet e çan ferrën e vete në Vlorë a në Shkodër… E përball fizikisht me policinë e korruptuar të Ramës në rrugën e Kombit në Kukës dhe i kthen shpinën e vjen e kthehesh në Tiranë. Banditi e banditët e tij me Kryeprokurore dhunojnë e burgosin djemtë trima e patriotë të Kukësit, ndërsa ti vazhdon serinë e deklaratave dhe kërcënimeve tipike kineze se, “…po ju prek një fije floku atyre…do bësh namin” e Rama do ta pësojë keq etj., etj., broçkulla të këtilla… Dhe po të kujtoj që ata trima e bij nënash ndodhen ende në burgjet e kriminelit, Kryeministër Rama… Ndaj dhe sot, moj zonjëza Opozitë, ky popull që i provoi të gjitha llojet e veshjeve e të kostumit tënd në trupin e tij e që i djegur shumë herë nga Qulli ka kohë që ka filluar t’i fryjë Kosit e ka të vështirë të vazhdojë të bëjë më e pafundësisht rolin e Budallait. Ndaj as nuk po të përgjigjet e as të ndjek më dot, as të mbështet e as të përkrah, ndaj vëri gishtin kokës sa nuk është vonë, më shumë se vonë… Dhe ka shumë arsye e po aq edhe të drejtë apo jo?! Sepse e ke zhgënjyer, kupton?! E ke tradhtuar, kupton?! E ke prerë në besë e në moral,kupton?! I ke humbur besimin e shpresën …! A e merr vesh?

Luftë jo për pushtet, por për kauzën e popullit

Ndaj luftën tënde primare, moj zonjëza Opozitë, nuk mendoj se e ke, as me Ramën e Qeverinë e tij por edhe as me PS e Rilindjen e tij, por e ke drejtpërsëdrejti me popullin tënd: Për t’i rikthyer besimin, moralin, shpresën , motivimin, sigurinë, seriozitetin, garancinë, korrektesën, qëllimin, shpirtin, atdhedashurinë etj., etj. Druhesh ta ngresh popullin tënd në revoltë se të tërheqin veshin ndërkombëtarët? Këtu gabon, madje mjaft rëndë…! Kush nga këta farësoj ndërkombëtarësh i tha gjë dje Diktatorit, që në mes të Evropës për 50 vjet me radhë na vrau e na preu, na burgosi e na torturoi, na internoi e na rrethoi me tela me gjemba, na la në mizerie e mjerim të tejskajshëm? Kush i tha gjë Ramës dje dhe sot…për mënyrën se si të rrëzoi ty e erdhi vetë në pushtet? Ah …madje ata qenë të parët që, jo vetëm e përkrahën, por edhe e ndihmuan se si të vijë në pushtet… apo jo? Kush ju tha gjë rumunëve që dolën në shesh, ama ashtu siç dilet, derisa i arritën ato që donin…? Kush i pengoi apo i qortoi armenët që për një javë në shesh hodhën me bythë përpjetë kryeministrin e qeverinë e tyre palaço? Kush i tha gjë Erdoganit që nxori shpatën e preu koka sa deshi, vetëm e vetëm, pse imagjinoi se po i rrëmbenin pushtetin? Kush po ju thotë gjë serbëve, grekëve, maqedonasve, malazezëve etj., për gjithë çfarë po bëjnë në vendet e tyre e me popujt e qeveritë e tyre? Pa thënë atë, se kush po guxon t’i thotë gjë Rusisë e Putinit deri në atë krim barbar makabër tek dogjën komplet në flakë një Siri të tërë e vranë e masakruan miliona sirianë të pafajshëm? Dhe të siguroj se, JO pa sytë, veshët, ndërgjegjen e dijeninë e aprovimin e këtyre farë ndërkombëtarësh…!

 

Përralla me Ujk ..të ndërkombëtarëve

Çudia më e madhe vetëm tre ditë zgjat, moj zonjëza Opozitë, ndaj flake tej e harroje një orë e më parë Përrallën me Ujk të ndërkombëtarëve , aq më shumë që përvoja e fundit me Lu e Vllahutinëra duhet të të ketë vlejtur jo pak, sepse e hoqe në kurrizin tënd si askush tjetër apo jo?! I zoti e di se ku i pikon çatia dhe po i zoti e nxjerr gomarin nga balta. Ok. Ndaj shtëpinë e di unë vetë se si dhe ku e ndërtoj e nuk pyes ”ustallarët” që vetëm bëjnë punën, marrin paratë e: Hajt ngjatjeta! Por janë ca gjëra që vërtetë stonojnë e nuk shkojnë kurrkund… P.sh… Si mund të të ndjekë sërish ty populli nga pas, moj zonjëza Opozitë, tek sheh që kryetari yt në daljen e fundit publike në Vlorë, në një krah mbante Monikën dhe në krahun tjetër Idrizin e rikthyer nga kampi bandit i Ramës?! Si mund të të besojë më ty, kur ende mban në gjirin tënd karavidhe e aguridhe si Klejvisi i Fahriut, superspiunit të djeshëm apo edhe Salianjin e SMS-ëve erotike me Gridën e kryesisë tënde… Rama nuk rrëzohet as me qoka, as me deklarata, as me kërcënime por me të njëjtën gjuhë e veprim të tij… Pa rrëzohet po ashtu siç erdhi… Sepse populli duhet të ketë siguri e garanci, që nuk do ndodhë njësoj si në tërë ato vite kur i zhgënjeve, kur ti sërish mban për aleatë kryesorë e besnikë të tutë…Kaçin që do na thyente kafkat, Dulen – Kalë Troje të grekut, Mehdiun e masakrës së Gërdecit, Monën aleate besnike të Tepsisë së djeshme të Edvinit, Shpëtimin që të nguli thikën pas shpine e sot të thotë…e po ashtu ishte dje loja …etj etj…?! Ndaj lëri qokat sa në Shkodër, Elbasan e Vlorë sa më parë të jetë e mundur..e dil burrërisht në sheshin e Burrave..dhe dilju për zot vendit e popullit tënd ashtu siç të takon…! Ndaj lëreni luftën për rikthimin tuaj në karriget e pushtetit e lërini zënkat si ato kurvat e këqija qëmoti dhe luftoni të ulni në ato karrige Popullin tuaj, se më pas di ai vetë se kujt i takon çdo lloj karrigeje ok… Opozitë… Bojkoto Parlamentin e kriminelit Ruçi, digji mandatet, mos prano kurrë të hysh në çfarëdo lloj zgjedhjesh pa rrëzuar më parë Banditin e Bandën e tij kriminale. Krijoi ” Block out ” por edhe ”Black out” Ramës, qeverisë e shtetit të tij kudo e ngado me mosbindje masive civile nga Vermoshi në Konispol… me bojkot ligjor e institucional, qeveritar e shtetëror. Braktis çdo lloj komisioni, marrëveshjeje e bashkëpunimi me të, qoftë edhe sikur të jetë a të ketë qenë formal e i detyrueshëm…! Mbro Teatrin, mbro dinjitetin e integritetin e shqiptarëve të tu! Mbro personalitetin e historinë e vendit tënd! Mbro trojet e detet shqiptare! Mbro pasuritë e shqiptarëve dhe të Shqipërisë! Dili për zot Kosovës e Çamërisë…etj., etj. Digji në koshin e plehrave të historisë simbolet e propagandën e rrezikshme komuniste, falë së cilës Rama e të tijtë janë aty ku janë sot dhe më të fuqishëm se kurrë. Ndaj, nëse, sikurse thua e të dhimbset fort ai vend e ai popull atëherë:

Sikterrise foltoren e parlamentit palaço shqiptar e ngri Podiumin Popullor në mes të sheshit ku të flasë populli për hallet e vuajtjet e tij e jo të kakarisësh ti si gjithmonë e te çosh ujë tek mulliri i armiqve-miq të tu, tash e 27 vite me radhë…

Bojkoto me përbuzje e neveri studiot e bythëlëpirësve, sahanlëpirësve e palaçove të medias së sotme antishqiptare që sot Rama, aty tek i shan e i poshtëron, po aty iu bën edhe nga një xhiro me Air Albanianin e Erdoganit ….

Larg nga studiot e gazetat paçavure të atyre sharlatanëve gazetarë të lidhur bythë e brekë me pushtetin e krimin dhe bashkëfajtorë po njësoj sa politika e politikanët antishqiptarë të këtyre 27 viteve e të të gjitha ngjyrave e krahëve…

Shpresë e besim ka ende, ndaj edhe ky vend e ky popull presin.

Diljuni në krah e në ballë, ndryshe edhe ju nesër historia do ju dënojë e gjykojë pa as më të voglën mëshirë siç do bëjë edhe me Diktaturën e Hoxhës apo edhe me Neo-diktaturën e Duçes shqiptar të këtij shekulli etj.

Sepse ju siguroj përfundimisht që, Rama nuk përmbyset dot me FB e Qytetarit Digjital sikurse nuk mund të qëndrojë dot kurrsesi përjetësisht në pushtet përmes ERTV së tij perverse. Ok..?!. Opozitë, populli e vendi të presin, aty në shesh, derisa të shporrim Banditin e bandën e tij.

Mos u vono, ndryshe e nesërmja e Shtatorëve e Marseve të tua në kalendar që shtyhen e harrohen vit pas viti mund të rezultojë më shumë se sa fatale për fatet e kësaj Shqipërie e të këtij populli të stërvuajtur e të keq përdorur si askush tjetër në Evropë…