Rama e përdor gjyqin e Hagës, për përfitime të pushtetit të tij

368
Sigal

Flet Agim Nesho, ish-ambasador në OKB/ Takimi i Minishengenit nuk është një rastësi, por edhe nëse ishte i tillë duhej të refuzohej nga Rama sapo Gjykata Speciale e Hagës arrestoi udhëheqësit e Kosovës. Miqësia Rama-Vuccicc, selektimi i Kosovës dhe akuzat qesharake ndaj liderit të opozitës. Ish-Presidenti Meidani:Kuvendi i Kosovës të ndërpresë mandatin e Gjykatës Speciale.

 Gazeta Telegraf

 Agim Nesho, ish- ambasador në OKB në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke iu referuar gjyqit në Hagë ndaj udhëheqësve të UÇK-së thekson se prokuroria nuk ka fakte ppër të vënë në përgjegjësi personale individët, prandaj ka aplikuar precedentin “Tadiç” Ata duan ta paraqesin si një luftë etnike lokale, ku të dy palët kanë pasur qëndrime të njëjta, duke kryer krime kundër njerëzimit. Zoti Nesho pohon se takimi i pardjeshëm i Minishengenit, nuk është rastësi, që u zhvillua në një ditë me gjyqin në Hagë, ndërkohë, që akuzat e kryeministrit Rama ndaj liderit të opozitës për çështje të zhvillimit të gjyqit në Hagë, janë të pavërteta e përdoren politikisht.

Akuzat ndaj liderit të opozitës Basha të bërë në këto çështje të zhvillimit të gjyqit në Hagë, janë jo vetëm të pavërteta por dhe të përdorura politikisht. Mendoj se qëllimi kryesor ka qenë të hequrit e vëmendjes nga takimi me Vuçiç

 -Zoti Nesho, çfarë prapaskena politike fshihen pas procesit të Gjyqit të Hagës ndaj udhëheqësve të UÇK- së?

-Ngritja e Gjykatës për krimet e ndodhura në Kosovë gjatë një periudhe të caktuar kohe janar 1998 -Dhjetor 2000, u shty nga politika serbe dhe e mbështetur nga diplomacia e Moskës.  Duke qenë se nacionalizmi serb asnjëherë nuk e pranuar humbjen e Kosovës, ka dashur ta kompromentojë procesin e shtet-formimit të Republikës së Kosovës duke kompromentuar qëllimin e ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare për të ndaluar genocidin e ushtruar nga regjimi kriminal i Miloshevicit kundër popullsisë shqiptare. Ata duan ta paraqesin si një luftë etnike lokale, ku të dy palët kanë pasur qëndrime të njëjta, duke kryer krime kundër njerëzimit. Baltosja e epopesë së lavdishme të luftës për liri, të drejtuar nga UÇK do t’i mundësojë regjimit të tanishëm nacionalist të Beogradit të kërkojnë një kompromis të ri, ku Serbia të fitojë diçka. Ky projekt serbo-rus ka më shumë se një dekadë që kërkon të gjejë hapësira në diplomacinë e fuqive të mëdha, duke sponsorizuar edhe një rezolutë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës nga persona të përdorur dhe pa integritet. Për të mbyllur këtë kapitull dhe për të pranuar që realiteti për Kosovën është një realitet i pakthyeshëm, vendet perëndimore pranuan ngritjen e një gjykate për krimet individuale të pjesëtarëve të UÇK për disa arsye.

Së pari, pas shumë viteve të afronin një balancë midis dy vendeve, duke ndëshkuar krimet e luftës nga të dy palët. Kjo do të shërbente si bazë për krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme midis dy vendeve, të cilat aspironin të bëheshin pjesë e një projekti të përbashkët që ishte Bashkimi Europian.

Së dyti, krimet e fabrikuara nga raporti i Dick Marty paraqiteshin aq monstruoze dhe duheshin qartësuar se vinin në dyshim dhe vlerat dhe parimet që përfaqësonin fuqitë perëndimore si aleatë të forcave çlirimtare të Kosovës. Ky ishte një rast që Kosova të pastronte veten e saj ndaj çdo situate dhe krimi montruoz të fabrikuar nga nacionalistët serbë.

 

Nuk mendoj se takimi i Minishengenit është një rastësi dhe po të ishte e tillë ajo duhej të refuzohej nga zoti Rama. Është naivitet të besosh që Presidenti Vuçiç, është lideri që mund të sjellë prosperitet dhe bashkëpunim të sinqertë në rajonin e Ballkanit

Së treti, të sjellë një ekuilibër të ri në marrëdhëniet e Perëndimit me Serbinë. Pas heqjes së regjimit famëkeq të Milosheviçit, vendosja e demokracisë nuk zhduku nacionalizmin pasionant serb, që e vendoste Serbinë midis Lindjes dhe Perëndimit. Ky ishte qëllimi i komunitetit ndërkombëtar pa prapaskena, duke e mbrojtur Kosovën nga kërkesa e Serbisë dhe Rusisë që një gjykatë e tillë mund të ngrihej edhe nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, gjykatë e cila do të sillte një rol më të madh të vendeve jo-perëndimore që nuk ishin dakort me pavarësinë e Kosovës. Në qoftë se ne sot shikojmë një gjykatë që tejkalon mandatin e saj dhe kërkon të fajësojë linjën e drejtuesve të UÇK-së në krime individuale të kryera gjatë luftës, në mënyrë racionale mund të mendojmë për prapaskena politike që kanë sjellë këtë situatë. A është veprimtaria e liderëve të Kosovës, ish-drejtues të lartë të UÇK-së, të cilët duke u bërë promovues të skenarëve të rrezikshëm anti-europianë të sponsorizuar nga linja serbo-ruse kundër interesave të Europës? A është mohimi që i bëri Presidenti Thaçi mesazhit europian të Samitit të Berlinit, duke dashur ta zgjerojë  zgjidhjen e konfliktit me aktorë të tjerë ndërkombëtarë? A është prishja e konsensusit të madh Euro-Atlantik për çështjen e Kosovës dhe zgjidhjen e saj duke reaguar me arrogancë për mos besimin europian në arritjen e marrëveshjes? A është reagimi i demokracive perëndimore kundër qeverisjes arrogante dhe të rrezikshme të lidershipit Kosovar që për arritjen e qëllimeve të tyre rrëzon qeveri demokratikisht të zgjedhura si Qeveria Kurti në kushtet e pandemisë globale për të realizuar qëllime të ngushta politike?

Si konkluzion i gjithë këtyre të panjohurave, a po e trajton tani Perëndimi lidershipin e vjetër të Kosovës si një ‘bandë’ që vepron jashtë rregullave demokratike dhe meriton të sillet me të si e tillë? Të gjitha këto pyetje janë mbrapa atyre mendimeve që e shikojnë procesin në Hagë si një proces të pamerituar ndaj luftës së lavdishme të UÇK-së.

 

Duket që prokuroria nuk ka fakte të mjaftueshme për të vënë në përgjegjësi personale individët, prandaj ka aplikuar precedentin ‘Tadiç’ të Tribunalit për krimet në ish-Jugosllavi, duke shfrytëzuar zingjirin e komandës

– Pse kjo Gjykatë Speciale e Hagës nuk ka akuza ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Serbe për masakrat që bëri ndaj popullsisë shqiptare? Çështja e mijëra shqiptarëve civilë të rrëmbyer, burgosur e të humbur gjatë kësaj Lufte pse nuk është subjekt hetimi nga kjo Gjykatë?

– Gjykata të tilla për krimet e luftës janë një praktikë në të drejtën ndërkombëtare si Dhomat e Specializuara në Timorin Lindor, Liban, e gjykata hibride në vende të tjera. Me të drejtë ju vini re një paradoks të madh në ushtrimin e kësaj të drejte. Në Kosovë gjykohen udhëheqësit e luftës për çlirim ndaj një regjimi kriminal si ai i Milosheviçit, ndërsa në Serbi vazhdojnë të udhëheqin ministrat e Milosheviçit, që me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë sjellë tragjedi në shumë kombe gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë. Këtu fillon dhe përgjegjësia e klasës politike në Kosovë, e cila gjatë kësaj periudhe duhet të konsolidonte sistemin e drejtësisë në Kosovë. Ajo nuk duhej të takonte ligjin për Gjykatën Speciale pa e zgjeruar objektin e hetimit për ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë dhe krimet e kryera atje. Nuk mund të jetë vetëm Milosheviçi dhe 2-3 gjeneralë të tij për krimet në gjithë Jugosllavinë. Nga ana morale nuk mund të barazohet krimineli me viktimën. Për të ndaluar këtë situatë dëshpërues klasa politike në Kosovë duhet të kishte punuar me kohë për të faktuar genocidin dhe krimin e kryer në Kosovë dhe të mos e linte Serbinë në rolin e protagonistit për një ngjarje të rëndë të historisë, ku ata kanë marrë damkën e zezë të urrejtjes patologjike ndaj kombeve të tjera. Historia ka nevojë të dokumentohet, se ndryshe në kohë ajo shtrembërohet dhe manipulohet. Sjellja jonë për të mos qenë provokativë, për të mos krijuar probleme, për të thënë po, menjëherë, ndaj çdo sugjerimi të ndërkombëtarëve, mund të sjellë dhe situata të cilat përjetohen negativisht nga një komb, që ekzistencën e tij e ka bazuar në liri dhe për të kthyer në vend padrejtësie historike të bëra ndaj tij.

–  A është rastësi që takimi Vuçiç – Rama- Zaev për Minishengen u bë pikërisht në ditën e fillimit të Gjyqit në Hagë ndaj udhëheqësve të UÇK-së? A duhej ta pranonte këtë takim në këtë ditë kryeministri Rama?

– Nuk mendoj që është një rastësi dhe po të ishte e tillë, ajo duhej të refuzohej nga zoti Rama. Është naivitet të besosh që Presidenti Vuçiç, që qëndron pas gjithë këtij skenari anti-shqiptar, është lideri që mund të sjellë prosperitet dhe bashkëpunim të sinqertë në rajonin e Ballkanit. Përpara se të bashkëpunonte me kombet ballanike, ai duhej t’i kërkonte falje shqiptarëve për krimet monstruoze të kryera nga serbët, për vrasjet masive, persekucionin, përdhunimet ndaj popullit të pafajshëm dhe jo të vazhdojë të nderojë Millosheviçin si një figurë të rëndësishme.  Edhe mini-shengeni është një skenar serb i dominimit të ri të tyre në rajonin e Ballkanit. Miqësia e tij me Kryeministrin Rama dhe skenarët e tij selektivë – bashkëpunim me shqiptarët, por mohim për Kosovën si shtet sovran – nuk janë të mjaftueshme për ta pranuar si një figurë kryesore në bashkëpunimin ballkanik. Rama gabon rëndë duke menduar se çështja e Kosovës nuk e pengon Shqipërinë në avancimin e çështjes shqiptare në rajon. Kosova është alfa dhe zeta e çështjes shqiptare në rajon. Konceptet e tjera zhvilluese janë variacion për pushtet personal.

Zoti Nesho, ju si e shpjegoni qëndrimin e Kryeministrit Rama që si hetues, akuzon Bashën, për “Shtëpinë e Verdhë?” A është koha e duhur që kryeministri Rama të akuzojë publikisht, tani kur zhvillohet ky Gjyq në Hagë?

– Akuzat ndaj liderit të opozitës Basha të bërë në këto ditë të zhvillimit të gjyqit në Hagë, janë jo vetëm të pavërteta, por dhe të përdorura politikisht. Mendoj se qëllimi kryesor ka qenë të hequrit e vëmendjes nga takimi me Vuçiç. Për Shqiptarët tani është e qartë se kush i është nënshtruar serbëve nga padituria, naiviteti apo mania e madhështisë, në të gjitha këto variante, Shqipëria është e humbur.

Miqësia e Vuçiç me Kryeministrin Rama dhe skenarët e tij selektivë – bashkëpunim me shqiptarët, por mohim për Kosovën si shtet sovran – nuk janë të mjaftueshme për ta pranuar si një figurë kryesore në bashkëpunimin ballkanik

–  Ky gjykim ndaj udhëheqësve ushtarakë dhe politikë të UÇK a  është  gjyq kundër UÇK-së?

– Gjykimi në gjykatën e Hagës nuk është gjyq ndaj UÇK, por ndaj individëve të veçantë. UÇK është epopeja e lavdishme e popullit shqiptar për liri dhe është aleatja e madhe e perëndimit në realizimin e projektit human të shpëtimit të një populli nga genocidi. Duket që prokuroria nuk ka fakte të mjaftueshme për të vënë në përgjegjësi personale individët, prandaj ka aplikuar precedentin ‘Tadiç’ të Tribunalit për krimet në ish-Jugosllavi, duke shfrytëzuar zinxhirin e komandës. Por, siç e tha dhe avokati anglez i mbrojtjes, barra e procesit për këtë akuzë nuk ju takon të pandehurve, por akuzës. Mendoj që gjyqi do të zgjasë dhe në fund përfaqësuesit e UÇK-së do të dalin të pafajshëm, siç ishte e pastër edhe vetë kauza e tyre. Individë të veçantë mund të dënohen, por jo ajo që përbën thelbin e luftës për liri.

– Faleminderit!