Rama: “Do të përsosemi, ndryshe ndëshkohemi”

518
Sigal

PS-ja mbledh Asamblenë Kombëtare për të analizuar fitoren e 23 Qershorit

Qeveria aktuale duhet të kalojë në fazën e kujdestarisë dhe të heqë dorë nga marrja e vendimeve në funksion të programit të saj, i cili u ndëshkua me votë plebishitare në 23 Qershor. Me këtë apel i është drejtuar kreu i socialistëve dhe kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama Kryeministrit në largim Sali Berisha, ndërsa foli në Asamblenë e Kombëtare të PS-së. Të njëjtin apel ai ka përsëritur edhe për subjektet private, duke i paralajmëruar se do të zhbëhet çdo kontratë e firmosur pas zgjedhjeve. Rama ka ftuar anëtarët e Asamblesë të analizojnë mirë rezultatin zgjedhor, sikundër të mësojnë nga libri i gabimeve të trashëguara nga kundërshtari politik, për të mos zhgënjyer popullin por dhe për të mos pasur të njëjtin fat me ta pas katër vitesh. Sipas Kryesocialistit periudha 2005-2013 duhet të hyjë në histori si periudha e qeverisjes së korruptuar deri te kapja e shtetit. Në kuadër të angazhimit për mirëqeverisjen e vendit, Rama theksoi se, duhet një reformë në funksion të sundimit të ligjit dhe një riorganizim i gjithë sistemit të administrimit të territorit si pasuri kombëtare dhe publike, por edhe si shprehje e gjithë interesave privatë dhe të parasë publike. “Duke nënvizuar këto pika, ne duhet të ndërtojmë një plan të ri nëse nuk duam të përfundojmë më keq se kundërshtarët tanë në sy të publikut. Jemi thirrur nga shqiptarët të ndërtojmë shtetin modern të tyre dhe koha vrapon shumë shpejt, duke përbërë edhe sfidën e parë dhe ndoshta kryesore që të jetojmë me kohën që vrapon dhe ta sjellim politikën në kohën që jeton Shqipëria. Shoqëria, sipërmarrja, komunitetet, administrata, individi, populli opozitar u stresuan përmes presionit qeveritar deri në atë pikë sa mori përgjigjen përmes një revolucioni të heshtur me votë. Na duhet të biem në një mendje që ky nuk është mandati i radhës për një qeveri të radhës, por mandati që ne na vendos përballë dy mundësish ose të bëjmë histori ose të ndëshkohemi pas 4 vitesh në mënyrë historike. Na duhet një reformë tërësore në funksion të sundimit të ligjit, na duhet të fillojmë menjëherë për një ndarje të re territoriale në funksion të një administrimi tërësisht të ri të territorit”, vijoi kreu i PS. Sa i takon atyre që Rama i konsideron si çështje të një rëndësie parësore kombëtare, çështjen e ujit, legalizimeve dhe çështjen e klimës së biznesit, Kryeministri i ardhshëm tha se do të angazhohet personalisht për zgjidhjen e tyre. Kreu i selisë rozë u ka kujtuar ligjvënësve socialistë të mandatuar nga populli në 23 Qershor se tashmë nuk ka asnjë alibi për të thënë se kemi pengesa. “Shqiptaret na kanë dhënë gjithë përgjegjësinë, për ti kthyer në vepra ato që i kemi thënë me fjalë, brenda dy muajsh do të shikohen me vepra, është e domosdoshme që deputetet të ndjejnë barrën e jashtëzakonshme të mandatit e të kuptojmë se nuk është e mundur se Rilindja që kemi premtuar dhe ecja drejt BE të realizohen si projekt i dy tre individësh por vetëm si skuadër. Kemi premtuar hapjen e 300 mijë vendeve të punës, nuk i bëmë për të marrë pushtetin e për të shkatërruar shtetin, nuk kemi bërë sikur në këtë betejë ku kemi humbur jetë njerëzish, ku kemi parë sakrifica njerëzish të zakonshëm që janë flakur në rrugë se nuk kanë dashur të rreshtohen me pushtetin, nuk duhet të bëjmë sikur asnjë moment sepse shpresa e madhe që kemi lindur brenda zemrës së këtij populli, besimi i jashtëzakonshëm që na ka dhënë është kërcënimi se mund të përfundojmë më keq se kundërshtari që kujtoi se mund ta fuste këtë popull ne xhep”- tha ai. Shefi i selisë rozë premtoi se qeveria e ardhshme, Ministrat e të cilëve nuk do të jenë deputetë, do të jenë në funksion më orar të plotë dhe në përpjekje të plotë për zgjidhjen e problemeve te qytetareve. Duke kërkuar hapjen e PS-së për kontributorët që e sollën në pushtet, Edi Rama, u tregua i drejtpërdrejtë  kur tha se punësimet e reja do të kryhen vetëm në bazë të meritokracisë.  Në fund të fjalës së tij, Edi Rama  njoftoi se Taulant Balla do jetë anëtari i ri i kryesisë së PS-së, duke zënë kështu vendin e lënë bosh nga largimi i Arben Malajt.