Rama dhe Ponta kundër deklaratës së Putin: Ka diferenca mes Krimesë dhe Kosovës

458
Sigal

Kryeministri i Shqipërisë dhe i Rumanisë diskutojnë deklaratën e Putin-it dhe integrimin në BE

Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Rumanisë njëzëri sot janë shprehur kundër deklaratës së Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin që theksonte se rasti i Krimeas është i ngjashëm me Kosovën. Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë, kryeministri rumun Viktor Ponta dhe homologu Edi Rama u shprehën se, patën si temë diskutimi dhe Kosovën. Të pyetur nga mediat rreth deklaratës së Putin që hoqi paralelizma mes çështjes së ndezur të Krime në Ukrainë dhe shtetit të Kosovës në Ballkan, kryeministrat thanë se nuk e mbështesin aspak këtë paralelizëm. Ponta u shpreh: “Jo. Nuk e mbështes paralelizmin, ka diferenca në bazë, dhe besoj se është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet e Bashkimit Europian, të kenë një pozicion shumë të qartë, për atë që përfaqëson një krizë të padiskutueshme për gjithë Europën dhe për atë që quhet si lufta e ftohtë. Situatat nuk ngjajnë midis tyre dhe nga pikëpamja jonë besoj se duhet mbështetur Ukraina ashtu si Gjeorgjia dhe Moldavia në rrugën drejt integrimit europian, ashtu sikundër Rumania beson se, kjo zonë e Ballkanit Perëndimor, do jetë e sigurt vetëm ne momentin kur të gjitha vendet do jenë anëtare të BE”. Kurse Kryeministri shqiptar Rama u shpreh: “Nuk lë vend për asnjë ekuivok. Paralelizmi është tërësisht i pavend sikundër dhe ndërhyrja ruse, shkon në sensin e kundërt të historisë”. Në konferencën e posaçme me kryeministrin e Rumanisë, Viktor Ponta, kryeministri Edi Rama vlerësoi Rumaninë si një vend mik, me të cilin na bashkon historia si dhe ndihmën që i ka dhënë e do i japë Shqipërisë për tu bërë pjesë e BE. “Rumania një vend me të cilin na bashkon një histori e gjatë. Një vend mik me të cilin na lidh historia dhe kultura dhe janë të shumtë emrat familjarë për shqiptarët që dëshmojnë këtë lidhje të thellë dhe të vjetër me Rumaninë. Folëm për domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve në të gjitha planet. Forumi ekonomik mes dy vendeve është për ne një hap pozitiv, që kërkon shtysë të dyanshme për të rritur shifrat e bashkëpunimit ekonomik. Rumania është pikë referimi si vend anëtar në BE, prej të cilit kemi shumë për të mësuar nga eksperienca e integrimit të tyre dhe Kryeministri Ponta me shumë përzemërsi na ka ofruar të bëhemi pjesë e eksperiencës duke na ofruar një nivel ekspertësh. Një nga çelësat e suksesit ekonomik të qeverisë së tij është zhbllokimi i fondeve që lidhen me BE, eksperienca rumune do jetë një mbështetjen shumë e fortë në këtë drejtim edhe për ne. “Një tjetër histori suksesi në Rumani është lufta me krimin e organizuar dhe në këtë drejtim ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur që na ofrohet një ndihmë e drejtpërdrejtë”, tha Rama më tej. Kryeministri Rama bëri me dije se ka marrë mbështetjen e homologut rumun se shumë shpejt vendi i tij do të njohë zyrtarisht shtetin e Kosovës. “Dua ti shpreh mirënjohjen në emër të gjithë shqiptarëve për rolin e tij në lidhje me Kosovën, qëndrimi i Kryeministrit na jep shpresë se në një kohë jo të largët edhe Rumania do i bashkohet vendeve që e kanë njohur Kosovën”, shtoi ai. Edhe kryeministri rumun u shpreh dhe për shtetin më të ri në Ballkan, Kosovën. Ai theksoi e Kosova dhe Serbia e kanë vendin në Bashkimin Europian. “Me Kryeministrin Rama diskutova dhe për çështjen e Kosovës. Në Rumani lind polemika rreth Kosovës. Pozicioni përfundimtar i Rumanisë do të përfundojë mes një marrëveshje të presidencës, Parlamentit e qeverisë së Rumanisë. Unë mund të flas në emër të qeverisë dhe qeveria rumune mbështet zhvillimin në Kosovë, dhe një Serbi e Kosovë, anëtarë të BE, do të jenë zgjidhja më e mirë”.

Integrimi i Shqipërisë

Nga ana e tij, Ponta iu uroi sukses shqiptarëve në rrugën e integrimit. Ai garantoi në emër të qeverisë rumune se do të ndihmojë Shqipërinë që të mos bëjë gabimet e Rumanisë në 5 vitet e para të integrimit në Bashkimin Europian. “Më Ramën, jemi me të vërtetë miq dhe gjatë viteve të fundit kemi qenë dhe kolegë opozite. Sot kam kënaqësi të takoj një mik dhe koleg. Shqipëria po ecën para me objektiva shumë të qarta dhe mund dhe duhet të bëhet sa më shpejt pjesë e familjes evropiane. Duam të ndihmojmë miqtë shqiptarë që të mos të bëjnë gabime që i bëri Rumania 5 vitet e para të integrimit në BE. Duam që Shqipëria të kalojë shumë herë me shpejt se ne atë periudhë 5-vjeçare dhe të arrijë në të njëjtën mënyrë që Rumania ishte në vitin 2013”. Po kështu kreu i qeverisë rumune, Ponta vuri theksin se fusha e dytë që Rumania do ofrojë asistencën e saj është dhe lufta kundër krimit të organizuar. “Në këtë fushë, institucionet e Rumanisë kanë pasur një sukses shumë të madh dhe do të shkëmbejmë eksperienca”, garantoi Ponta.