Spartak Braho: Ka një handikap që Drejtori i Përgjithshëm i SHISH-it sot është i pacertifikuar

441
Sigal

Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, prononcim për mediat: Ka një angazhim më të madh të strukturave të Prokurorisë

Braho: Jemi në pritje të kapërcimit të kësaj pengese, por nëse do të vonohet, do të veprojmë shumë shpejt

 Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, z. Spartak Braho, duke folur për mediat në lidhje me punën e Prokurorisë, vlerësoi angazhimin e strukturave të organit të akuzës dhe kërkoi prej këtij institucioni që të vijojë çdo ditë goditjen ndaj krimit. “Padyshim që kërkesat për organin e Prokurorisë janë të mëdha. Kam përshtypjen, një përshtypje në dukje është kjo, që ka një lëvizje në veprimtarinë e Prokurorisë, ka një angazhim më të madh të strukturave të saj. Natyrisht, Prokuroria është një organ që çdo ditë është në punë dhe çdo ditë duhet që të forcojë goditjen e saj ndaj krimit. Ky shtet bëhet dhe ky është mendimi im, në qoftë se Prokuroria do të jetë në lartësinë e detyrave të kërkuara”, tha z. Braho.Deputeti z. Spartak Braho, bëri thirrje për mbështetje financiare të shtetit ndaj organit të Prokurorisë dhe për rritjen e numrit të kuadrove që punojnë në këtë institucion. “Me këtë rast unë do t’i bëja thirrje edhe njëherë strukturave të shtetit, qeverisë, që të ndihmojë organin e prokurorisë, veçanërisht nga ana financiare. Vihet re një mungesë e kuadrove në Prokurori. Prokuroria ka nevojë për 10-20 prokurorë shtesë dhe që lipset që, jo vetëm Komisioni i Ligjeve apo Komisioni i Sigurisë, por edhe qeveria ta dëgjojë dhe ta përcjellë pozitivisht këtë nevojë të këtij organi”, theksoi Kryetari i Komisionit të Sigurisë. Në vijim të interesimit të mediave për kërkesën e një grupi deputetësh për ngritjen komisionit hetimor pranë SHISH-it, z. Braho sqaroi se kjo lëvizje është pezulluar momentalisht për shkak të mungesës së certifikatës së sigurisë nga Drejtori i Përgjithshëm i SHISH-it. “Po, është e vërtetë, është depozituar. Ne kemi pezulluar vënien në lëvizje. Ka një handikap që Drejtori i Përgjithshëm i SHISH-it sot është i pacertifikuar. Nuk mund të ushtrojë funksionet e tij normale, sepse që të ushtrojë funksionet e tij normale, duhet të japë dhe të marrë informacion të klasifikuar ‘sekret’. Atij i mungon certifikata. Duhet të presë dhe të vihet në funksion të detyrave të tij vetëm në periudhën që ai do të certifikohet. Jemi edhe ne në pritje të kapërcimit të kësaj pengese, por nëse do të vonohet, ne do të veprojmë shumë shpejt”, deklaroi deputeti z. Braho, i cili garantoi se Komisioni i Sigurisë do të dërgojë grup pune për të verifikuar ato ankesa apo problematika për të cilat është ngritur shqetësimi.